Cikël poetik
PENG
Nën zërin e psalmeve të murgut ditëpaktë
të pëshpërita të më rrëmbeje kur të piqeshin qershitë
e të dehur dashurie të ishim ne të ikurit e Trojës.
(Sa të çmendur kishte soditur dhe kjo e fundit.)
E di?
Shumë herë i pata folur Trojës për ty.
I thosha dhe asaj se ti do të më doje
e nga dashuria dhe brinjën tjetër do ma jepje
pa bota, sërish le të digjej e tëra
sa herë në prekje fundshpine do të lexonim ëndrra.
Pastaj
natë për natë të thashë dhe ty
se brezat ashtu të humbur s’do të kenë fjalë për ne
dhe po t’ua lëmë mbi gjoks mëkatin e të martës,
andaj, dashuri le të jetë gjithçka jona!
E di?
Në psalmet e radhës do të dëgjosh për MUA.
Peng për ty dhe Trojën.
JANË DHIMBJE E LOT GRATË E DHEUT TIM.
Njeri!
Ngadalë dashuroji!
Ngadalë dhe flokun ua prek!
E për buzën që shekuj ëndërruar ke
lut zotin të ta sjellë natën!
Kambanat
gratë tjera brenda kanë për t'i çuar.
FJALË TË LËNA KUJTIM
Ishte i heshtur mëngjesi i atij shkurti.
Tuat fjalë në shpirtin tim i lëshonte dhimbja.
Prajshëm i pranova
nën qetësinë e mbushur helm.
I bëra të miat e krenare ua dhashë jetën,
pa menduar nëse gjysma do më dilte për vetën
në agun e nesërm,
kur ti, si Dionis antik
në siluetë femre do leje mallin,
në faqe të saj do braktisje puthjen
e me djallin do dehnit shpirtrat.
M’u bëre i largët pa mbyllur derën,
pa i thënë jetës se kishte mbaruar.
U bëre re.
Vetëm re.
Një re e dendur në mbytje të shpirtit.
Në qerpikë të lexova dëshirë largimi.
U pajtova dhe me të.
Ndoshta ashtu do ta frymëzonim Kongolin
për histori romani me fletëza të verdha.
Unë e ti,
si askush tjetër,
personazh me fjalë të lëna kujtim.
AFSH
Mos më fol me dashuri për të djeshmen tonë!
Kur flokët tua të zeza në duar i mbaja
edhe përkundër burrave të fiseve tona
që lëndinën e takimeve na e kthyen në varr
e lidhjen me ty, më shumë se frymë
i thashë murgut të ma njihte.
Për to mos më thuaj as se i desha!
Ndonëse si pendë korbi të zeza ishin
për mua kishin emrin e një dashurie
sot të kthyer në legjendë
për të cilën ti u betove që ta bekoje.
Por ti
sërish
as për këtë mos më fol!
Hesht ashtu siç të thanë “burrat e mëdhenj”
që rrugën drejt meje
me afsh ta shtruan në dhimbje
të dehur nga arti fshehur në gjoksin e mallkuar të Evës!
Mos më bëj as sot që të vdes në agun e shpresës
duke të thënë se për ty ende më bie malli.
(E thyer dhe për murgun ka për të qenë kjo ndjenjë.)