Nga Marianna Iannarone
- Nga Marianna Iannarone Drejtoreshë e shtëpisë botuese Tempra Edizioni
Në panoramën bashkëkohore të artit dhe letërsisë, ekzistojnë nisma kulturore që arrijnë të bashkojnë forma të ndryshme shprehjeje artistike, duke krijuar ura dialogu midis poezisë, pikturës dhe ndjeshmërisë njerëzore. Një prej këtyre nismave është antologjia dyghuhëshe: italisht - hollandisht “Giallo Cromo - Krom i Verdhë”, lindur pas Konkursit Artistik-Letrar me të njëjtin emër, i organizuar nga shtëpia botuese Tempra Edizioni për t’i kushtuar homazh të veçantë njërit prej artistëve më të mëdhenj dhe më të dashur të historisë së artit botëror, Vincent Van Gogh.
Figura e Van Gogh-ut vazhdon të magjepsë breza të tërë artistësh, studiuesish dhe lexuesish. Jeta e tij e shkurtër, por jashtëzakonisht intensive, u karakterizua nga kërkimi i vazhdueshëm i së bukurës, nga vuajtja e thellë shpirtërore dhe nga një dëshirë e pashuar për të komunikuar emocionet më intime përmes artit. Veprat e tij nuk janë thjesht piktura, por pasqyra të shpirtit njerëzor, të mbushura me dritë, dhimbje, shpresë dhe reflektim.
Poetët dhe ilustruesit pjesëmarrës në konkurs u frymëzuan nga universi emocional i Van Gogh-ut, duke interpretuar me gjuhën e tyre artistike temat që përshkojnë krijimtarinë e tij: vetminë, kërkimin e identitetit, lidhjen me natyrën, shpirtin dhe dinjitetin e njerëzve të zakonshëm. Çdo poezi dhe ilustrim përfaqëson një dialog të ri me artin e mjeshtrit hollandez, duke e sjellë atë në kohën tonë përmes vizioneve dhe ndjesive personale të autorëve.
Prodhimtaria artistike e Vincent Van Gogh-ut mbetet një nga trashëgimitë më të vyera të historisë së artit. Në harkun e vetëm një dekade ai realizoi rreth 900 piktura dhe më shumë se 1.100 vizatime e skica. Evolucioni i tij artistik ishte i jashtëzakonshëm: nga tonalitetet e errëta dhe tokësore të periudhës hollandeze, te ndikimi i impresionizmit në Paris dhe më pas te shpërthimi i ngjyrave të gjallërueshme në Arles, ku arti i tij arriti kulmet e ekspresivitetit. Në Saint-Rémy dhe Auvers-sur-Oise ai krijoi disa nga veprat më të njohura të botës, të karakterizuara nga penelata dinamike dhe një intensitet emocional që vazhdon të prekë zemrat e njerëzve.
Një element qendror i këtij projekti artistik është ngjyra “Kromi i Verdhë”, pigmenti që Van Gogh përdori në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të tij më krijuese. Për të, kjo ngjyrë nuk ishte vetëm një zgjedhje estetike, por një simbol i dritës, energjisë, ngrohtësisë dhe jetës. E verdha krom u bë një mjet për të transformuar realitetin, duke i dhënë atij një dimension emocional dhe shpirtëror. Pikërisht për këtë arsye, pjesëmarrësit e konkursit u ftuan ta përfshinin këtë ngjyrë në krijimet e tyre, duke e interpretuar sipas stilit dhe vizionit personal.

Antologjia dygjuhëshe italisht-hollandisht është rezultat i bashkëpunimit të artistëve të shumtë që dallohen në skenën kulturore bashkëkohore për talentin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre. Krijimet e përfshira në këtë vëllim dëshmojnë se arti vazhdon të jetë një mjet i fuqishëm komunikimi, reflektimi dhe bashkimi ndërmjet kulturave të ndryshme.
Një vlerë e shtuar e librit është seksioni “Poezi jashtë konkursit”, i krijuar për të nderuar personalitete që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në fushën e kulturës, letërsisë, gazetarisë, botimeve dhe veprimtarisë shoqërore, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Kjo pjesë e antologjisë pasuron më tej projektin, duke sjellë zëra të njohur që përfaqësojnë përkushtimin ndaj kulturës dhe promovimit të vlerave njerëzore.
Mes këtyre personaliteteve spikat Regina Resta, presidente e Shoqatës Ndërkombëtare Verbumlandiart dhe drejtoreshë e revistës “Verbum Press”, autore e vlerësuar me çmime të shumta dhe e angazhuar në aktivitete vullnetare. Po ashtu, një kontribut i çmuar iu dha autores shqiptares Angela Kosta, gazetare, promovuese e kulturës në arenën ndërkombëtare dhe ambasadore e paqes, e cila prej vitesh ndërton ura komunikimi mes popujve përmes letërsisë dhe artit.
Mirënjohje e veçantë i shkon gjithashtu shkrimtarit Antonio Cipriano për kontributin e tij në konceptimin dhe realizimin e këtij konkursi, duke mbështetur një projekt që synon të promovojë krijimtarinë dhe dialogun kulturor.
“Giallo Cromo - Krom i Verdhë” nuk është vetëm një antologji, por një udhëtim artistik dhe shpirtëror që fton lexuesin të zbulojë botë të reja emocionale. Përmes poezive dhe ilustrimeve, kjo vepër dëshmon se arti i vërtetë nuk njeh kufij kohorë apo gjeografikë, por vazhdon të frymëzojë, të bashkojë dhe të ndriçojë rrugën e njerëzimit, ashtu si drita e pashuar e "kromit të verdhë" në veprat e pavdekshme të piktorit të famshëm hollandez Vincent Van Gogh.
Përktheu: Angela Kosta



Moderator 