CIKËL POETIK NGA MARIANA GJERGJI
Mariana Gjergji e lindur në Lezhë është pjesë e botës së artit që në moshë të vogël. Ka kënduar në festivale dhe koncerte të ndryshme e gjithashtu krahas këngës, ka ndjekur paralelisht mësime pianoje dhe kitare. Në moshën 12 - vjeçare ka botuar librin e saj të parë me poezi, të titullar: "Një natë buzë detit". Për shumë vite ka qenë pjesë e revistës "Zemra Shqiptare". , gazetës VOAL, VOICE of ALBANIANS në Zvicër , dhe pjesë e gazetës LiSSALBA. Mariana ka mbaruar Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë në specialitetin e kitares klasike e më pas ka vazhduar Universitetin e Arteve, ku është diplomuar me rezultate të larta po në degën e kitarës klasike. Autorja Gjergji ka panuar për shumë vite si mësuese kitareje, ku passioni i saj më i madh krahas dëshirës për të performuar në skenë, është edhe ajo e mësimdhënies. Pas emigrimit të saj në SHBA, ajo vazhdon përsëri pasionin e saj për kitarën, duke marrë pjesë në koncerte të ndryshme
TI VJEN...
Ti vjen çdo natë në ëndrrat e mia
Më buzëqesh me aq ëmbëlsi
Hap krahët dhe më përqafon
Me aq mall sa ka prindi për fëmijë.
Kaq shumë kohë sa ka kalu
Më duken vite që unë ty nuk të kam taku
Eh... kur m'i thua fjalët
Ku e ka babi vajzën që e ka rrit?
Ah... të kam pas thanë kur unë ma mos të jem
Me u ba e fortë!
Mos me u merzit!
Më fshin lotët më përqafon
E ngadalë me natën shkon
Unë pres dritën për me zbardh
E natën tjetër për me ardh...
MOS MË PREMTO!
Mos më premto se ke me më dashtë gjithmonë
Se dashuria nuk është premtim
Ajo rritet çdo ditë…
Mos më premto se në sytë e mi s'do të ketë lot
Se jeta ka me pas dallga stuhish
Por më premto që atëherë
kur dallgët të përplasen fort nën këmbët tona,
ti ke me më mbajt
e nuk ke me më lanë me ra.
Mos më premto që kam me ken ylli më i bukur në sytë e tu
Por më premto që sytë tanë kur të shihen,
do të shkëlqejnë më shumë se yjet e natës.
Mos më premto asgjë
Por më premto vetëm që atë ditë
që do të shkojmë drejt altarit të Zotit
Dhe duart tona të lidhen përgjithmonë
Atë premtim... mos e thyej!
PËR ATA QË GJEJNË FORCË TË SHKAKTOJNË...
Për ata që gjejnë forcë të shkaktojnë
lot në faqen e një gruaje, një nëne.
Ku e gjen forcën që më prek?
Në cilën pjesë të zemrës ajo fshihet?
Të më mposhtësh është fare e lehtë
Mjafton një shikim të më bindësh.
Ku e gjen forcën të zbrazesh mbi mua?
Unë nuk t'u luta të më sjellësh në jetë...
Më lindët nga dashuria më bëtë shpirt trazuar
Ndihem zog i vetmuar pa krahë, pa fletë
Ku e gjen forcën që prek një grua?
Që prek një nënë?
Ajo mbi shtrat numuron yjet zgjuar
Të ka bërë të ndihesh mbret.
Shikomë në sy!
Gjeje forcën baba!
Gëzohu! Linda djalë të bëhem burrë
Më ngrite në qiell, doje trashëgimtar
Por ta dish nuk dua të bëhem si ty...
Kurrë!
Redaktoi: ANGELA KOSTA