Aleksandër Bardhi -Cikël poetik (Redaktoi Angela Kosta)

Aleksandër Bardhi -Cikël poetik (Redaktoi Angela Kosta)
ALEKSANDËR BARDHI
 
Aleksandër Bardhi ka lindur ne fshatin Libofshë të qytetit të Fierit më 15 maj 1955.
Aleksandër ka mbaruar arsimin 8 - vjeçar në vendlindje, arsimin e mesëm profesional në qytetin e Lushnjes. Studimet e larta i kreu në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", (Elbasan), për Gjuhë - Letërsinë shqipe
A. Bardhi ka punuar për shumë vite si drejtues në institucionet kulturore të qytetit si dhe drejtues i zgjedhur i pushtetit lokal.
Me krijimtari letrare është marrë herët, kryesisht poezi dhe prozë të shkurtër, duke qenë fitues i disa çmimeve kombëtare. 
A. Bardhi është autor i vëllimeve poetike "Dashuri bujku" 1984, "Zërat e prillit" 2000, "Në tokën e hijeve" 2009.
Ai është vazhdimisht prezent në organet më prestigjoze të shtypit dhe krijimtarisë letrare.
Aktualisht Aleksandër Bardhi banon në Tiranë.
 
BUKURIA
 
Ishte e pikuara prej qiellit....
Dhe sa herë si drita prej drite shfaqej në rrugë,
plakave u derdhej qumështi në duar
pleqeve llullat u shuheshin në buzë.
 
Por një ditë u mbyll, e treti veremi.
Si u shua ai yll...ç'u tret ajo magji?!
Thonë një djal u thinj asaj nate,
iku..u ç'mend dhe s'e pa njeri...
 
VETËM NGA NJË PLAGË...
 
Vetëm nga një plagë një pikë lot, një mister
Dhe shkoj në harrim, pa dhimbje, ankime.
Hije e plakur, pa dritën e vet
Kruspull, kruspull në erresirën time.
 
Dhe bie diku, humnerave pa fund,
Ku askush s'të hep e askush s'të merr,
Dhe prap kthehem, zoti yt dhe i vetes
Vetëm nga një plagë, një pike lot, një mister.
 
KAPROLLJA
 
E vranë kaprollen,
e hodhën në lumë.
 
Lumi i kuq,
pylli i kuq,
hëna e kuqe.
 
Drerët netëve
vdesin të verbuar.
 
MË IKËN KY SHPIRT
 
Më ikën ky shpirt fare pa më pyetur
Te një kopedht nate, pa ylbere dhe shira,
Mes gjethëza ditësh-bilbile të akullt
Mbi purteka stinësh-zogëza të ngrira.
 
Dhe s'di ç'po ndodh me vitet e mia
O dimërakët e mi që pezull më mbani...
Ju, ndoshta tani pushoni të heshtur
Mbi nje degëz moti, me lule të kaltra duhani.
 
KARAFILAT E TË DIELAVE
 
Karafilat e të dielave,
si qirinj të ndezur
në palat e dherave...
 
A s'do të ndihej pak shenjt
dhe qoftëlargu i shpellave?

Redaktoi Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese