Zyrafete Kryeziu Manaj - Cikël poetik

Zyrafete Kryeziu Manaj - Cikël poetik
MUNGESA

Kena hup krejt...!
As qiellit nuk po i flasim,
retë e dendura mbarsur me rebelim shiu
sikur po qajnë mallshëm për mungesat,
as fjalë as lajm nuk vjen nga dheu i atdheut,
brigjeve të shpirtit, vullkani, llava djeg brenda meje,
Se mungesa është prushi që tinëzisht të djeg.

ATDHEU

Veç me dashtë atdheun nuk është mjaft
me ia zanë brumin e dheut të atdheut pa tharm,
me përqafue çdo ditë si nanën
me ia bo "hyzmetin" pa hile.

Veç me dashtë atdheun nuk është besa e dhënë,
 po me ia zbut dhimbjen,
me ia ujit koren e tokës me djersën tonë,
e përditë me vet veten:
- A thua ia freskova naj trohë zhuritjen nëpër shekuj?

Veç me fol mirë për atdheun nuk je patriot.
Me ia mshel çamjet e hapura brigjeve e fushave;
me ia fshi lotin e tronditur përditë nga pak,
kjo është me dasht atdheun pa hile.

 MALLI NË COPA

Me nda mallin në copa
ngjanë në pjesët e zemrës 
dhe në copa pogaqeje të nxehta valë,
ose vjen tallaz, tallaz, si valë deti i trazuar
që thepisë lëkurën time përditë,
përkufizohen netët që të bëhen të përjetshme.
Vjen herët mëngjeseve pa lind dielli
dhunshëm ngreh kryet përpjetë,
më shponë me fuqinë e murlaneve
pa i bër hesapet e shpirtit,
se rrëmbehet nga episode jete të përditshme,
e zihet ngusht brenda meje.

VONË ARRIJMË

Mbërrijmë vonë ne,
që rrugëve të vendit vijmë me valixhe në duar
edhe atëherë kur na pret një fije gëzimi,
edhe atëherë kur mundohemi ta vrajmë lotin,
e ta shuajmë zemrën e shkrumueme.

Mbërrijmë vonë ne,
netëve të vona kur na pret një prag-ikje,
apo një daulle gëzimi,
se shpesh ndodh na ik treni
e ne nëpër stacione të ngrirë mbesim,
duke prit një tjetër në ardhje,
a thua kur do vijë?!

Shpesh e hamë shpresën me kafshatën e mallit,
e ndrydhim veten me duart e tokuna në largësi,
se vonë mbërrijmë me i puq faqet tona,
me ëmbëlsinë e së vërtetës dashuri,
se vonë arrijmë.