Ruth Joy Darling (Shqipëroi Irma Kurti)

Ruth Joy Darling (Shqipëroi Irma Kurti)
RUTH JOY DARLING
 
Ruth Joy Darling është një poete nga Filipine. E ka dashur gjithmonë poezinë e fjalën dhe ka shkruar vazhdimisht pavarësisht nga profesioni i saj llogaritare. “Numrat janë pa ndjenja, ndërsa fjalët mund të përcjellin dhe të nxisin një mori emocionesh”-thotë ajo. Ruth ka botuar dy libra me poezi “Transitions” (Tranzicione) dhe “Season of Poetry” (Stina e poezisë).
 
AJO VAJZË JAM UNË
 
Pashë një vajzë në anën tjetër
të rrugës, do t’më pëlqente ta takoja.
Ka aq trishtim në sytë e saj
sa e ka të vështirë ta maskojë.
E shoh teksa vështron ngado,
është e trishtuar, sepse pranë
askënd nuk ka ajo. Dalloj një lot
që i rrjedh në faqe ngadalë,
nuk e gjen dot dashurinë e saj.
Unë fiksoj pasqyrën, kuptoj me të vërtetë
se ajo vajzë s’është askush tjetër, jam unë vetë.
 
PËRRETH BOTËS
 
Është një zjarr i furishëm që rrjedh në venat e mia
Më konsumon. Duhet ta ushqej që të mos çmendem
Kam dëshirë të udhëtoj, i nënshtrohem thirrjes së tij me pasion
Si sirenat e dikurshme, që kur tingëllonin i thërrisnin marinarët,
Dhe në skajet më të thella, më të largëta të tokës
Jam kthyer në pelegrin, duke udhëtuar kudo që ia vlen
Me rërën në këpucë dhe flokët e borës në flokë
Udhëtoj gjatë e gjerë e shkujdesur krejt
Por më duket se s’ka rëndësi se ku kam qenë
Ndjej një zbrazëti brenda meje thellë
Pastaj më vjen në mendje se nuk mund ta mohoj
Pa ty në krahët e mi, më duket se mirë nuk jetoj
Jam e trishtuar, më duhet të nxitoj në shtëpi
Dashuria ime e çmuar, po kthehem në shtëpi tek ti.

Përktheu dhe redaktoi: IRMA KURTI