Albinus Joseph (Përgatiti për botim Angela Kosta)

Albinus Joseph (Përgatiti për botim Angela Kosta)
Jetëshkrimi Albinus Joseph
Autori, njohës i shumë gjuhëve të huaja, të paktën 10, duke përfshirë greqishten e vjetër dhe latinishten, ka lindur në një fshat bregdetar verior të Shqipërisë (ku lum, det dhe fushë ka me bollëk) më 1972.
Pas shkollës së mesme, përveç studimeve teologjike, ka studiuar për informatikë dhe ekonomi. Por pasioni i tij ka qenë qysh herët për letërsinë dhe i apasionuar në studimin e filozofisë, psikologjisë dhe teologjisë.
Në vitet 2000 është shpërngulur në Tiranë ku ka punuar në fusha të ndryshme të shtypshkrimit dhe përkthimit, si përkthyes i pavarur (freelance translator). Është marrë edhe me botime në fushën e letërsisë.
Nga viti 2015 ka emigruar në Evropë dhe aktualisht jeton familjarisht në Gjermani.
Botime të autorit:
-Shtegtime – Poezi, ribotim 2025 (botimi i parë: 2003)
-Hëna mbi ajsberg – Poezi, ribotim 2025 (botimi i parë: 2006)
-Edhe këtu është qiell – Poezi, ribotim 2025 (botimi i parë: 2012)
-Oguri i yllit – 333 Haiku plus 7 Poezi, 2025 -Premtime gordiane – Poezi, 2025
-Sytha shkëndijash – Thënie, 2025
-Eden – Poezi, 2025
-Viti dhjetëvjeçar – Roman, ribotim 2025 (botimi i parë: 2006)
-Turbullimi lejla i mbrëmjes – Roman, 2025
-Pelegrin në Aprokrifland – Roman, 2025
Përveç librave të botuar deri tashti, autori ka 11 romane (3 prej të cilëve janë botuar më 2025) që presin dritën e botimit, bashkë me një vëllim me tregime dhe një me poezi.
 
ENDE PRILL
 
Pranvera,
kur po ndiqte van Gogun
pas një lëndine prilli,
me qeshjen e diellit në bebëza
me mall të dalldisur në zemër
në zemër,
u kap
si një premtim dashurie,
dhe s’e ka lëshuar ende. 
 
ISHTE IKJE
 
Shpati i malit
përkulur e anuar
ishte një fushnajë
që derdhej.
 
Një rrahje këmbësh në tokë
shkundte gjethet e jargavanit,
natën ndillte me hënë.
 
(Ishte ikje)
Shpati im i pjerrët
lëshonte në rrokullimë
njëmijë Sizifë.
 
ELEGJI PËR NJË ELEGJI TË VOGËL
 
Vajtimit,
dënuar me të njëjtët vargje
me hyjnitë homerikë,
ti nuk i shpëton.
 
Mos vdis sot,
sepse ende s’ta kam mbaruar
poezinë,
që më kall frikë
fundi i saj elegjiak.
 
Përgatiti për botim Angela Kosta