MEDALJON I LUFTËS HYJNORE
Disa herë kam lexuar historinë e Ademi Jasharit. Provova ta lexoi, ta kuptoi e ta rishkruaj sa më bukur për ata të cilët do të lindin shumë stinë e kohë pas meje. Dhe nuk di a kam lexuar, kuptuar e rishkruar mirë. Diari, nipi im filloristë nga Klina më tha në telefon, shumë me pëlqeu shkrimi, unë pres edhe shkrime tjera për këtë hyjnor.
Një natë më vonë provova të shkruaj edhe një ese të vogël për Medaljonin e Luftës Hyjnore... dhe e thash se emri i tij duhet të rishkruhet në një pllakë mermeri të madhe, dhe secilës germë t’i jepet dritë edhe natën edhe ditën, pa ndërruar asgjë nga asgjëja.
Adem Jashari, është i madh sa vet Historia. Është artist i përsosur i pushkës dhe artit luftarak, i atij arti që quhet LIRI.
Emri Adem është i papërsëritshëm... Nuk ka aktorë që mund t’a zëvendësoi atë, as si pamje, as si strateg, në asnjë film dhe në asnjë dramë... Ishte, është dhe do të mbetet simbol i përjetshëm lirie edhe 100, vjet, edhe katër shekuj, edhe gjashtë epoka...
Të gjithë ata që kanë hyrë dhe hyjnë nëpër faqet e historisë janë Yje që nuk shuhen për mot. E Ademi është dhe mbeti i gjallë përjetë, sepse i dha dritë edhe Diellit edhe Qiellit. I dha gjak edhe atdheut edhe lirisë. Edhe lulet, edhe pemët edhe gjithçka mbi tokë morën aromë tjetër, krejtësisht tjetër.
Vet historia e tij është një medaljon që ruan kujtesën për Luftën Hyjnore. Ai është medaljon i artë i Luftës së Shenjtë Çlirimtare. Është kryepersonazh i një Historie të re me dritaret e hapura të dritës mbi dhe e mbi atdhe.
Historia e këtij medaljoni është letërnjoftim dhe vulë e një Lufte hyjnore që hyri në legjendë duke u dhënë frymëmarrje të gjitha baladave, duke e rikthyer dritën dhe oksigjenin kësaj toke të ujitur me Lule Gjaku.
Kjo histori as preket e as humbet por gjithmonë do të shndrisë në tokën Arbërore. Ai u shndërruan në dritë dielli së bashku më të gjithë ata që u flijuan për lirinë e atdheut.
Këtë shkrim timin të vogël ia lexova edhe njëherë nipit tim Diarit në telefon, ai me tha:
Bukur është... por zgjate, e zgjate, e zgjate edhe më shumë. Fotografinë e Ademit e mbajmë edhe ne në çantat tona, besa unë e mbajë e do ta mbajë për jetë e mot edhe në zemër. Ua kam treguar edhe shokëve edhe shoqeve të klasës në Klinë, por, asnjëri nuk më ka besuar që nuk është aktor i madh filmi. Unë u kam premtuar se çdo shkrim që shkruhet për të, do t’ua sjell që ta lexojmë para se të bie zilja e orës së parë. Të gjithë me kanë përqafuar, edhe mësuesja gjithashtu.
Faleminderit gjysh, më tha Diari dhe mbylli telefonin.