Bedri Tahiri - LIRIDASHËSIT (tregim)

Bedri Tahiri - LIRIDASHËSIT (tregim)
LIRIDASHËSIT
(Trimave që, në janar 1891, dogjën sarajin turk dhe dëbuan kajmekamin nga Drenica)
 
Buzëmbrëmje e ftohtë janari. Dimër i egër, i pamëshirshëm. Veriu të printe si me shpatë. Të grinte fare. Borën e imët që binte pa pra, e përplaste shtrojerave dhe krijonte ortekë të pakalueshëm. Malësorë të armatosur e të veshur mirë nxitonin. Me gunat hedhur krahëve nuk ia vënin veshin as acarit, as dëborës. Ecnin e ecnin. Ca kaluar, ca këmbë. Vinin nga drejtime të ndryshme e në një cak përfundonin. Takoheshin në Prekaz të Epërm, në kullën e Ahmet Delisë. Sekush që hynte brenda shkrihej nga  zjarri  bubulak që s'shuhej kurrë në oxhakun çemerli. I varnin armët dhe zinin vend sipas rendit e sipas moshës. Edhe armët shkëlqenin nga të nxehtit, djersiteshin. Pranë tyre qëndronte lahuta. Ato, njëra pa tjetrën s'bënin dot.
Por sonte heshtnin. Ashtu ishte puna. Krerët e Drenicës nuk ishin tubuar për gazmend e për lojëra filxhanash. Jo, jo. Sonte kishte Kuvend historik. Të tilla kuvende mbaheshin rrallë, vetëm kur kishte rrezik. Para një kapërcyelli historik gjendej edhe Drenica. Perandoria otomane po gatitej ta vente nën pushtet. Ku shkel turku bari s’mbin, thoshin të moshuarit. E këto troje, nuk ishin mësuar. Të lira kishin rrojtur denbabaden. Kishin kaluar plot 336 vjet nga pushtimet osmane dhe ende s'e kishin provuar robërinë.  Lirinë e çmonin më shumë se jetën.
 Dhe çdo përpjekje u kishte vajtur huq. Me sukses e kishin thyer dhe zmbrapsur. E kësaj here?... Zërat e kasnecëve kishin arritur më herët. Para një viti, Padishahu kishte vendosur ose ta nënshtrojë këtë vend të mallkuar, ose ta lëshojë nga dora përgjithmonë. Ndjehej fare i fyer e i turpëruar. Net të tëra, gjithë Pallati Mbretëror kishte gdhirë pa vënë gjumë në sy. Në fund e caktuan Xhelil pashain.
         Ç'të bënte i gjori? Fati e mashtroi. Në vend të vdekjes e pranoi këtë detyrë të mundimshme.
         Dhe që nga ajo natë nuk e zuri gjumi kurrë. Mendja i sillej vërdallë.  Ëndërronte...lakmonte... frikësohej... dyshonte... shpresonte...Për të qenë shpërblimet ishin të majme: ofiqe të larta e çifligje të pasura. E shihte veten Sundimtar. Në fillim do t'i marrë me të mirë, thoshte. Urtë e butë, siç më ka mësuar nëna. Pastaj e di vetë dhe qeshte nën hundë. Por, jo, kurrë nuk besoj që zbuten me të mirë, ndërronte sakaq mendje. Janë farë e mallkuar, që duhet zhdukur me rrënjë. Do t'i masakroj të gjithë. Do t'i djeg e do t'i ngul në hunj për së gjalli. Që të gjithë, pa dallim. Ah, jo, gabova. Vashat e bukura jo. Ato janë të mira për robinja. Sa do të gëzohet Lartmadhëria kur t'ia dërgoj një në harem. Pika do t'i bjerë. Iu kanë  mërzitur tulajkat anadollake. Më të mirën do ta marri për vete. Do të martohem me një drenushë. Nuk më kujtohet mirë në cilën kronikë kam lexuar se emri Drenicë vinte nga emri Dreri, përkatësisht Drenusha.
            Po Jashar pashai?...
Kjo pyetje e turbullonte fare. Fill zbehej dhe i dridhej gjithë trupi. Edhe ai e kishte kërkuar një të tillë, por e la kokën në Çikatovë. Hë, hë, bënte me vete, ai ka qenë një sylesh i patru. Unë jam ndryshe. Do t'ua hedh qafirëve, do t'ua hedh, e qetësonte veten...
        Dhe, fill pas lajmeve, filluan edhe punimet. Saraji HAMIDI lëshonte shtat midis Llaushës, Polacit e Prekazit. Heshtja dhe mosinteresimi i vendësve i trimëronte edhe më. Dhe vazhdonin punët. I emëruan nëpunësit dhe kajmekamin. E zgjodhën më të ashpërinë, Kahreman beun. Ditën e premte, më l4 janar 1891, do të vinte edhe vetë pashai...
       Kjo i tmerroi drenicasit. Urrejtja dhe mllefi i tyre shpërthyen si uragan i pandalshëm. Shpejt thirren edhe Kuvendin. Çdo trimëri donte edhe mençuri. Flisnin rend e me vend. Të gjithë ishin të një mendjeje: pushteti turk nuk duhej pranuar kurrsesi.
        Ahmet Delia nuk po fliste. Qëndronte këmbëkryq bri oxhakut dhe i dëgjonte. Ishte në odën e vet, andaj fliste pak. Zemra i qeshte nga gëzimi. Kuvend i mbarë, mendonte. U thanë të gjitha, por prijësit i takonte ta përmbyllte. U ngrit në gjunjë dhe me zë të qetë iu drejtua të pranishmeve:
      -Ju lumtë, more vëllazen! Çka ma ndjente zemra, e thatë Ju. Nuk do t'i koritim varret e të
parëve. Drenica jonë as kësaj here nuk do të nënshtrohet. Nuk do ta shkelim besën e Millosh
Kopiliqit. Deri në pulë do të farohemi e nuk do të dorëzohemi. Mos ta harrojmë amanetin e
brezave, që nga një pashë me e mbyt për vjet. Sarajin do ta rrënojmë me themel e turqit do t'i
dëbojmë. Ata që kundërshtojnë, do ta pësojnë si Ali pashë Maxharri në Gjakove, më 1878.
Na qoftë e mbarë ajo ditë!
         Dita e pritur nga të dy palët agoi. Mëngjes i bukur, por i ftohtë. Rreth Sarajit, atmosferë
festive. Gjysmëhëna valonte në qiellin kaltërosh. Roje të shumta me kësula të kuqe e me pushkë të gjata, kontrollonin qosh më qosh. Natën kishin arrirë edhe përforcime të shumta nga Mitrovica e nga Prishtina. Nga Vushtrria po vinte edhe vetë Xhelil pashai. Ai këtë ditë e kishte pritur kaherë. Kjo do t'i sillte fat, ose kob. Këtu merrnin fund ëndrrat e tij. Do të bëhej i lumtur ose do t'i  shkonte koka. Këtë të fundit mundohej të mos e kujtonte, por kot. Mu ajo e torturonte vazhdimisht. Rrugës disi i hyri lepuri në bark. Filluan ta zënë ethet. Dridhej. Kjo i ngjau, posa kaloi Klysyrën e Manovit. Lëvizjet e shpejta të malësorëve kodrave e monopateve me  pushkët e gjata në duar, nuk iu duken shenja të mira. Disa herë mendoi të kthehej.
        Karrocieri i ngiste kuajt shkujdesshém, pa çarë kokën se ç’bluante i zoti brenda. Fishkëllente një melodi që atij ia ngucte nervat. Disa herë u mat t'i thoshte mjaft, por u përmbajt e s'foli. Kur arritën në vend, mori zemër. Ushtarët e shumtë ia shtuan besimin në
fitore. Të fortë jemi ne, tha me vete. S'kanë çka na bëjnë këta rebelë leckamanë. Ah, ç’tutkun që jam edhe unë, gdhe fare. Gati u marrosa rrugës. Qyqan u tregova...
Dhe, tamam kur po bëhej gati të zbriste nga karroca, ngjau ajo, që çdo herë, ia kishte brejtur mendjen. Ca thirrje lemëritëse, ca krisma të rralla pushkësh dhe çdo gjë mori fund. Sulm i papritur. O zot! Si të dilnin nga toka.
        Kundërsulmi qe i vogël, apo nuk pati fare. Këtë nuk e mori vesh. Ushtarët e tij i gjuanin
armët dhe i ngrinin duart si të ishin kalamaj. Nuk i besohej. Ishte në ëndërr, apo zgjuar?! Kuajt ngarendnin andej nga kishin ardhur. Edhe njëherë ktheu kokën prapa. Saraji po digjej flakë. Gjysmëhëna ishte përdhosur. Në vend të saj valëvitej përplot krenari shqipja dykrerëshe. Ah, e mallkuar! Këtë zog e kishte urryer tërë jetën. Këtu iu shuan të gjitha ëndrrat dhe shpresat...
         Ai largohej. Ikte e ikte. Nga vdekja ikte e drejt vdekjes shkonte. Edhe një kokë fatzezë do të radhitej në kamaren e turpit.