Vjollca Aliu - Poezi
Po të isha piktore,
vetëm sytë e tu do t'i pikturoja
e ato piktura do t'i ekspozoja në galeri,
sepse sytë flasin e pasqyrojnë ç'shpirt ke ti.
Po të isha kompozitore,
me tingujt e të qeshurës tënde
do të krijoja nota në pentagram
e do të thurja këngë për dashurinë.
Sikur t'isha arkeologe,
do të zbuloja kristalet e zemrës tënde
e të ndërtoja kështjella lumturie.
Po të isha ekonomiste,
do të bëja llogarinë e mendimeve të tua,
që të nxjerrë bilancin e netëve pa gjumë.
Matematikane sikur të isha,
lumturinë dhe sukseset e tua
do t'i fusja në rrënjë katrore,
brengat do t'i zbrisja
e do t'i rritja dëshirat e realizuara.
Sikur të isha gjeografe,
do të shëtisja nëpër hartën e zemrës tënde
dhe të bëja piknik në atë oazë dashurie,
pa u djegur nga të nxehtit tropikal.
Arkitekte po të isha,
do të bëja një plan për kalanë e lumturisë,
enterierin do ta bëja me margaritarë zemre,
kurse eksterierin me bardhësinë e shpirtit.
Kjo kala do të bëhej vepër arti,
ku gërshetohen e bukura dhe ndjeshmëria,
ashtu si kënga dhe poezia.
Çfarëdo që të isha,
e çkado që të kisha,
s'do të ndërroja nga kjo që jam.
Jam veç një shpirt i thjeshtë,
nuk kam kurorën diademë mbi kokë,
jam e butë në shkrime shprese
se art e kam shpirtin plot.