Bujana Xhindoli, tregim

Bujana Xhindoli, tregim
~TRËNDAFILAT E DAJËS ~
 
Shkoja çdo verë me gjyshen në shtëpinë e madhe dykatëshe të nëngjyshes. Ajo ishte një grua e vogël në trup, me flokët gjithmonë të mbledhura me karfica të zeza. Kishte filluar të kërrusej paksa nga mosha dhe artriti që e mundonte prej vitesh. Megjithatë, sytë i mbeteshin të gjallë dhe plot dritë. Nëngjyshja jetoi njëqind vjet. Ishte e fundit nga fisi i gjyshes që arriti një moshë kaq të madhe.
Kur shkoje në shtëpinë e saj, të priste me shurup dhe reçel trëndafili. Në tryezën e sallonit gjendej gjithmonë një buqetë e madhe me trëndafila të verdhë, të sapokëputur nga kopshti. Aroma e tyre përzihej me erën e drurit të vjetër të mobilieve dhe me freskinë që vinte nga oborri. Në atë shtëpi ndihesha si princeshë. Mënyra si flitej aty, historitë që tregoheshin dhe qetësia që mbretëronte në çdo cep të saj më krijonin ndjesinë se kisha hyrë në një botë tjetër.
Djali i nëngjyshes kujdesej për kopshtin. Një të tillë kam parë shumë më vonë vetëm në filma apo në fotografi. Ishte i vetmi në llojin e vet.
Djali quhej Gjon. Ishte bjond, me fytyrë të bardhë dhe sy të çelët. Dallohej për shkathtësinë në të folur, në ecje dhe në punë. Kur miqtë e tij shkonin pasditeve në kafenenë e qytetit, herë vetëm e herë me gratë e tyre, Gjoni rrinte në kopsht për orë të tëra. Mbillte, ujiste, krasiste dhe sistemonte çdo degë e çdo gjethe sikur të ishte duke punuar mbi një vepër arti.
Kopshti i tij nuk ishte i madh, por kishte një harmoni që nuk e kam parë askund tjetër. Trëndafilat rriteshin pranë zambakëve, manushaqet mbulonin qoshet me hije, ndërsa hardhitë e trëndafilave kacavirreshin mbi harqe të vogla hekuri. Çdo gjë dukej e menduar me kujdes, por pa humbur natyrshmërinë. Nuk kishte asgjë të tepruar.
Një herë e dëgjova duke i thënë dikujt:
- Më kanë kërkuar ta projektoj të njëjtin kopsht edhe në shtëpi të tjera. Kam përdorur të njëjtat lule, të njëjtat vazo dhe të njëjtin sistem mbjelljeje, por nuk kam mundur të krijoj një të dytë. Ky është i vetmi.
Atëherë nuk e kuptova çfarë donte të thoshte. Më vonë e mora vesh se kishte të drejtë. Disa gjëra nuk përsëriten. Mund të kopjosh formën, por jo shpirtin e tyre.
Nëngjyshja bëhej paksa xheloze kur i biri fliste me aq pasion për kopshtin. Ishte e moshuar dhe kërkonte vëmendje. Kur e shihte që ai po humbiste në bisedat për lulet, e ndërpriste me ndonjë koment apo me ndonjë ankesë të vogël. Gjoni buzëqeshte dhe menjëherë e kthente vëmendjen nga ajo.
- Po, nënë, po. Ti ke të drejtë, - i thoshte.
Dhe ajo qetësohej menjëherë.
Më pëlqente ta vëzhgoja marrëdhënien e tyre. Ishte e mbushur me përkujdesje, me ato gjeste të vogla që nuk bien në sy, por që mbajnë gjallë dashurinë mes njerëzve. Vitet kaluan. Nëngjyshja u largua nga kjo jetë dhe pak nga pak edhe shtëpia humbi gjallërinë e dikurshme. Kur kaloja aty pranë, më dukej sikur dëgjoja ende zërin e saj nga ballkoni ose tingullin e hapave të Gjonit nëpër oborr. Edhe pasi ndërroi qytet, Gjoni vazhdoi të merrej me kopshtari në kohën e lirë. Profesioni i tij ishte inxhinier mekanik, por lulet mbetën dashuria e tij më e madhe. E takova një të diel në qytetin ku jetoj. Kishte kaluar shumë kohë që nuk ishim parë. Më pyeti për gjyshen time dhe për familjen. E pyeta për punën, përditshmërinë dhe, natyrisht, për kopshtin. Ai heshti për një çast.
- Nuk e kam më atë shtëpi, - tha. - As kopshtin.
Në fjalët e tij lexova keqardhje dhe një lloj malli të heshtur. Nuk e pyeta më tej. Disa humbje nuk kanë nevojë për shpjegime. Qëndruam pak në heshtje, duke parë herë përdhe e herë larg. Dukej sikur secili po kërkonte në kujtime një copëz të atij oborri të dikurshëm. Pastaj ai pa orën.
- Epo mirë, mbeskë, tani duhet të ndahemi. Kam punë.
Kur më përqafoi, më mbajti pranë vetes më gjatë se zakonisht. Pastaj, me zë të ulët, sikur po më besonte një sekret, tha:
- Mbeskë, trëndafilin e Liz Tejlër e ruaj ende.
Buzëqesha. E mbaja mend mirë atë zakon të tij. Çdo trëndafili i vinte emrin e një gruaje. Disa mbanin emra të afërmsh, të tjerë emra aktoresh apo personazhesh të njohura. Për të, lulet nuk ishin thjesht lule. Kishin karakter, histori dhe kujtime. Teksa e shihja të largohej, mendova se ndoshta kopshti i tij nuk kishte humbur kurrë. Ndoshta ai vazhdonte të jetonte në kujtesën e atyre që e kishin parë, në aromën e reçelit të trëndafilit të nëngjyshes, në fotografitë e vjetra dhe në një trëndafil që ende mbante emrin e Liz Tejlër. Sepse disa gjëra nuk mbijetojnë në tokë, por në zemrën e njerëzve. Dhe aty, ndryshe nga lulet, nuk vyshken kurrë.