Eralda Cuko - Cikël poetik

Eralda Cuko - Cikël poetik
Cikël poetik

KUSH TA FALI BUKURINË?

Mike e dashur a s'më thua,
ndoshta e heq sonte mërzinë...
Kaq e bukur a s'po më thua,
kush ta  fali  bukurinë???

Shtati derdhur porsi flutur,
aromë bjeshke skaj më skaj...
Ti më qënke kaq e  bukur,
shpirtin mos ma lër në vaj...

Si pëllumbeshë pendëshkruar,
në çdo shpirt paqe përçon...
E stolisur dhe  zbukuruar,
nëpër ëndrra pse më fton?

Kur të shoh ty midis shoqesh,
prej së  largu të veçoj...
Ti më je si drita e diellit,
vallë pa ty si mund të rroj?

Zemra jote kaq fisnike,
e pafajshme në pafundësinë...
Kaq e ëmbël dhe magjike ,
kush  ta  fali  bukurinë?

Nëpër ëndrra vjen praruar,
m'përkëdhel e thua fjalë...
Nga gjumi i natës më mban zgjuar,
a e di se kam fort mall?

Hapat hedh ashtu ngadalë,
e bukura jote sjellë magjinë...
Veç më thuaj se jam në hall,
kush ta fali  bukurinë???

TË BURGOSUR PREJ DASHURISË...

I burgosur në qelinë tënde jam,
i burgosur je edhe ti në qelinë time...
Por çudi se burgun frikë se kam,
dhe pse ky burg i ëmbël sjellë trishtime...

Ti prangat m'i vendose krejt papritur,
çelësin e fshehe thellë në zemër...
Tash jemi nga kjo botë ne krejt të ikur,
s'reagojmë as kur na thërrasin në emër...

Ky burgim sa do zgjasë s'po dimë,
ndofta i përjetshëm mund të jetë...
Kjo qeli s'paska gjumë, as zgjim,
të burgosur do të mbesim ne përjetë!

S’TË THEM DOT LAMTUMIRË…

Si një yll i perërënduar,
shpirti fort lëngon për ty…
Gjumi i natës më mban zgjuar,
shumë mall kam për ata sy…

Nis mëngjeseve të rrjedhë loti
porsi ujëvarë në ata sy…
Mu në zemër më sjellë mall,
pikëllimi që mbaj për ty…

Kur me ëndje të vështroj,
thellë në shpirt më zgjohet mall…
N’ëndrra rrekem të t’kërkoj,
ushqej shpirtin ta mbaj gjallë…

Shpirtin tim prej ikjes tënde
ma vret mua pa mëshirë…
Ndaj dhe zemra nis t’rropatet
krejt vetmuar në shkretëtirë…

Buzë greminës jam afruar,
po fundosem dhe s’jam mirë!
Dorën jepma ti shtrënguar,
se s’të them dot: lamtumirë!

AJO ISH FLOKËLËSHUAR

Ajo ish flokëlëshuar supeve mënjanë,
dallonte nga të tjerat, kish tjetër freski...
Kur fill e pashë m'u duk sikur zanë,
më sëmboi në zemër mall e dashuri...

Ajo ish e brishtë dhe krejt e pafaj,
përshfaqte mirësi me t'sajin vështrim.
Gjithkënd e tërhiqte bukuria e saj,
për të që tash s'kam gjum as zgjim...

Ajo ish si një kopsht me lule n'lulëzim,
me aromën e trëndafiltë që të deh pa fund.
Buzëqeshja e saj të shpie në çmendinë,
dhe t'ëmblën fytyrë qe se kam ndesh askund!

Ajo ish e hollë dhe e gjatë si perri,
kur fliste një nur seç e përshkonte
Me shikimin e saj nga syri i bukur, i zi
në të bukurën ëndërr padashur të ftonte.

Ajo ish flokëlëshuar dhe tejet e bukur,
papritur u ndesh në timen udhë përballë
prania e saj më bën kaq të lumtur,
se di nëse një ditë a do ta ndesh më vallë?

(Kjo poezi i dedikohet të gjitha poeteshave respekt për to)


POETES

Je mbretëreshë poete mendjendritura ti,
nëse për ty flasin mos u dëshpëro!
Për kurorë ke vargjet e tua plot magji,
eh, ku ka më bukur, tjetër mos kërko!

Nëse dikush pyet: Pse pa shoqëri?
Mund t'i thuash për mike kam poezinë...
E nëse thonë: Pse pa dashuri?
Mendimet që m’rrjedhin ma heqin vetminë...

Mendja jote e lirë të shpie tek guximi,
je e lirë në shpirt të bësh çka të duash...
Edhe nëse ndonjëherë të mbyt trishtimi,
krijo për dashurinë mbase s’do të vuash...

Lëri ziliqarët ç'të duan të mendojnë,
t’ushqehen dhe ata me tëndin sukses...
Nga froni mbretëror s’mund të të rrëzojnë,
lëri të kënaqen sepse e kanë ves...

Talentin të gjithë ty ta kanë zili,
vargje të pafundme bukur i krijon...
Të lexojnë me ëndje e shumë kërshëri,
mendjet e fjetura  nga gjumi i zgjon!

TINGUJ DASHURIE

I trishti tingull heshtjen befas solli,
gjer melankoli shpirtin ma këputi...
Zemrën e brengosi, dhimbjen aty mbolli,
në shtrojën e errësirës krejt më përhumbi...

Tingulli melodikëputur vrullshëm godet,
në sketerrë të shpie gjer në shkatërrim...
Zemra merr cegëm kur ai troket,
mbulohesh thellësisht fort me dëshpërim...

Kaherë ai tingull ritmin e ndryshon,
luan kaq bukur më sjell alegri...
Gëzimi merr hov dhe zemra gufon,
fytyra gjallohet n’ekstazë e harmoni...

Ata s’janë tjetër veç tinguj dashurie,
që ndezin pasion, dëshirë dhe zjarr...
Dhe shpirti i mardhur merr hov lumturie,
të bukurat ëndrra nga gjumi i zgjon.

Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta shkrimtare, poete, gazetare, eseiste, bashkëpunëtore në Revistën Orfeu dhe web: Orfeu. al, Drejtore në gazetën Dritare e Re dhe Zv. Drejtore & Zv. Kryeredaktore në Albania Press.