Bedri Tahiri - BAJRAM TЁRNAFCI (1893-1924)

Bedri Tahiri - BAJRAM TЁRNAFCI (1893-1924)
BAJRAM TЁRNAFCI (1893-1924)
 
Njëri ndër bashkëluftëtarët më të ngushtë dhe më besnikë të Azem Bejtë Galicës, që të shumtën e herëve luajti edhe rolin e këshilltarit, ishte edhe Bajram Tërnafci, i cili në këngët popullore, në krijimet artistike dhe në shumë dokumente del edhe si Bajram Delia. Edhe ky është pinjoll i familjes së njohur Deliaj, e cila që nga periudha e Turqisë, më saktësisht, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nuk e ndali këngën e grykëhollave liridashëse.

Bajram e Xhemë Tërnafci

     Kur ai erdhi në këtë botë, më 1893, në Tërnafc të Drenicës, trojet shqiptare ishin në lëngatë të thellë.  Nga të parët e tij kishte trashëguar burrërinë, mençurinë, bujarinë, trimërinë. Ai pati edhe dy vëllezër: Halimin dhe Brahimin.
     Bajram Tërnafci ishte ndër të parët që iu bashkëngjit Çetës heroike të Azem Bejtë Galicës. Në fakt, me të marrë vesh se Azem Galica me dy vëllezërit e tij: Seferin e Zenelin dhe me burrat e Galicës, nën bekimin e nënë Sherifes, mu tek Lisi Trenjakë, formuan bërthamën e çetave çlirimtare, e cila më vonë do të bëhet Nëna e  Çetave, ky trim syptrembur vajti në Galicë dhe u bë ushtar besnik i kryekomandantit. Pra, ai, tre- katër muaj para Xhemë Tërnafcit ishte inkuadruar në çetën luftarake dhe ishte bërë ushtar i lirisë.
        Dhe, më kurrë nuk iu nda kapedanit tё vet. Kudo, në beteja e në kuvende, ishte më i dalluari. Kështu, në Kuvendin e Zhabarit, ku u zhvilluan bisedimet midis Azem Galicës dhe Ceroviqit, në një moment, kur përfaqësuesi serb foli ligsht, ai i tha: “Ju na shtypni e na të rrimë të qetë, të mos nxehemi! Mos kujtoni se në vend të gjakut në dej kemi ujë?! Na kemi me u qetësua vetëm kur t’ju dëbojmë nga vendi ynë”.
     Mirëpo, në Betejën e fundit të Azem Bejtë Galicës, që në histori njihet më shumë si Epopeja e Arbërisë së Vogël, ai u tregua hero i vërtetë. Duke qëlluar brenda në kullë, atij i ёshtё dashur që të angazhohet edhe për çarjen e rrethimit të parë përreth Kullës- Kala. Pas konsultimeve me kryetrimin, Bajrami doli nga ana e poshtme e Kullës. Nën avlli hasi në forcat serbe, por me zjarr të furishëm çau përpara. Ashtu, nëpër tym e flakë, arriti deri tek Livadhi i Isuf Rexhës në Mikushnicë. Aty, ku  kryqëzoheshin rrugë e shtigje, ishin koncentruar forca të  shumta armike. Aty u zhvillua edhe beteja kryesore fyt më fyt. Pasi vrau disa ushtarë serbë, pushoi edhe pushka e Bajram Tërnafcit.
     Bajram Tërnafci, për trimërinë dhe heroizmin që tregoi nëpër luftëra e beteja, me vendimin nr. 435 të datës 26 Janar 1993, është Dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, z. Sali Berisha, me Urdhrin për veprimtari patriotike të klasit I, me motivacionin: “Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit e ripushtuesit, duke qenë shembull për pasuesit në luftën për pavarësi e çlirim”.