SOFIA SKLEIDA
Sofia Skleida ka lindur në Athinë. Ajo ka studiuar Filologji në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, ku ka marrë diplomën Bachelor, një master në arsim, një doktoraturë në arsimin krahasues dhe një çertifikatë kërkimore postdoktorale. Ka marrë gjithashtu një çertifikatë në gjuhën Braille. Sot punon si mësuese në arsimin e mesëm. Ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme dhe ka botuar artikuj në revista shkencore greke dhe ndërkombëtare, raporte dhe kapituj librash. Ajo është nderuar me çmime për pjesëmarrjen e saj në konkurse poetike e letrare në Greqi dhe jashtë saj. Poezitë e saj janë përkthyer në italisht, anglisht, spanjisht, shqip, rumanisht dhe Bangla. Përmbledhja e parë me poezi, me titull “Ëndrra e oazit” (Selanik, 2014), u përkthye dhe u botua në Itali në vitin 2017. Ka fituar po ashtu çmimin e dytë në një konkurs ndërkombëtar në Milano. Ka botuar shumë libra. Sofia Skleida është zëvendëspresidente e Institutit të Kulturës Zakinthian, Anëtare e komisionit gjykues për anëtarët e rinj të Shoqatës së Shkrimtarëve Grekë, anëtare e rregullt në Unionin Panhelenik të Shkrimtarëve dhe në Shoqatën e Shkrimtarëve Grekë.
MË MUNGON…
Më mungon…
Ti je këtu por më mungon...
Me mungon pulsi i frymëmarrjes tende
Energjia jote jetëdhënëse që shkakton stuhi
Buzëqeshja e syve të tu që kënaq shpirtin e pangushëllueshëm
Ti je një grimcë rëre që ekziston ngado
Në kujtesën time
Në mendjen time
Në psherëtimën time
Në optimizmin tim
Në pikëllimin tim
Në besimin tim
Në pabesinë time
Në ngritjen e shpirtit
Ti je lindja e diellit dhe perëndimi im...