Shefqete Gosalci - DO TË KTHEHESH PRISHTINA IME

Shefqete Gosalci - DO TË KTHEHESH PRISHTINA IME
DO TË KTHEHESH PRISHTINA IME
(poezi e shkruar në kohë pandemie, mars 2020)
 
Sot, doja të t'pikturoja
Dhe portretin tënd vura përballë
Ti më ike si drenushë
U trembe nga një gjë e rrallë,
Ike si ngjalë,
Më le pa fjalë,
U trembe dhe nga seanca partishë
e tregtishë, e rënje Qeverishë,
Rrugët, rrjeta merimangash që tërhiqen zvarrë,
mbetur dhe pa njerëz të marrë,
Ecja rrugëve pa qytet, dhe qytetit pa rrugë,
Qyteti futur në guacë,e buzeqeshja nën maskë,
Zhurmat ikur si balonë,
qiellit me harta vdekjesh,
u bëre shi prej lotësh,
Njerëzit mbaheshin me litar për fryme,
Hëna luante patinazh mbi akujt lotëngrirë,
E ta ruante lehoninë, Prishtinë,
Në zhurmën e heshtjes
dasma bënin veç fluturat e lulet,
Qyteti im i brishtë ike si top i hedhur
shqelmash mes fatit bosh,
Furtunës iu bëre fërfëllimë fustanelle,
me urime zemrash për fate të bardha,
Mos m'u tremb e ëmbla ime,
moteve të stisura,
Paske mbetë shtatzënë me grurin,
livadheve të harlisura,
Do t'më kthehesh Prishtina ime
nga ai "burg" i vogël sa një gisht,
Marrëzisë do ti bien maskat,
pranverës do ti flasin për dore,
E do të puthemi sërish
Mos u tremb e shtrenjta ime
nga kandari i vdekjeve, as formula e djallit,
Foshnjat do ta ruajnë portretin në ëndrra,
Do ta vrasin demonin e vogël,
E do të të duan dhe më shumë,
qyteti im pa lum,
Edhe borë na ra këtë verë Prishtinë,
Ëndrrat luajtën me litar në fyt,
Akujt ngrinë kërcyellin e kujtimeve,
Frikërat shesheve të hidhnin valle
Vdekjet si përcollëm as në varre,
Ti, edhe e vdekur ishe pak gjallë,
etur për një puthje,
Luteshe!
 
S'ka më Prishtinë se Prishtina, qyteti im kryeneç,
T'i marrtë të ligat ky virus për dreq,
Librat e Amzës i numëroje si qirinj të fikur,
Ah, sa njerëz m'kanë ikur,
Ike qyteti im vajzëror,
me varre pa kurorë,
Lutem,
Zot, ruaje qytetin tim të zjarrtë,
plot këngë, unaza e mall mërgimtarësh,
Ruaje qytetin tim adoleshent,
me të çmendur, dhimbje, dashuri e student,
Me jetima, heronj të harruar e heronj në amshim,
Zot, bekoje qytetin tim në kthim.