Ragip Gjoshi (poezi)

Ragip Gjoshi (poezi)
UDHËTIM POETIK PËRTEJ SHTATË DRYNAVE
 
1.
Në udhëtimin poetik gjeta dy udhë
Dy Epoka krejt të ndryshme
Në epokën para Diellit të lirisë
Dhe në epokën pas guximit e lavdisë
Kur shtatë drynat e pritjeve i thyem...
 
Shtatë rrathët e ferrit kapërcyem
Shtatë ditët e krijimit t’tokës e t’qiellit
Na kanë rënë t’shtatë lëkurët e dhimbjeve
Gjatë shtatë ditëve t’javës ndër shekuj
Shtegtuam nëpër shtatë pentagramet e jetës
Duke ecur nëpër shtatë shkallët e qiellit
Çel e mbyll shtatë drynat e pritjeve t’dritës.
 
Zëri i pushkëve poetike bubullinë n’poezi
Ushtimën përtej shtatë bjeshkësh
Bubullimë që lajmëron motin e mirë
Në mes të acarit, parathëne e lirisë.
 
Litarin n’qafë t’makeve e shtrëngonin
Si n’shuplakë shikon imazhin e lavdisë
Shpinën nuk ua kthyen vargmaleve t’gurta
E litarin e ankthit ia këputën territ para sysh.
 
Kur nën sqetull morëm fatit e dheut
Mbi kokë t‘atdheut zgjatej hija e korbave
Zogjtë e trembur nisën ikën larg, larg
Diçka e pathënë po u këndohej maleve…
 
Dikush vdekjes po ia luante syrin
Mirë që poeti ishte në fotografi në male
Se do hidhnin n’Dri nga Ura e Shenjtë
Kokëçarje e kokëdhembje i sollën robërisë
Tentuan ta lakuriqësonin guximin para historisë…
 
Si në valë deti po përkundet Kosova
Personazhet e këngës me notat elegjiake
Tinëz kishin nisë një këngë ogurbardhë
Derisa agoi liria nga qielli e nga mali...!
 
2.
Kur erdhi Epokë e pas lavdisë e lirisë
Pasi zbarkoi liria nga mali e qielli
Çastet epike tinëz plagoseshin
N’harresë e pas shtatë drynash i donin
Pas dyerve me brava t’ndryshkura kuisnin
Se dikush fort kishte drojë nga liria
Se nëpër terr kishin shaluar atin e huaj .
 
Nxjerrën shpatat nga kllëfi i Natës
Çelësat e drynave sillnin në gishtërinj
Na duanin pa Dielli mbi dhe, të mërdhirë
E lirisht të mos marrim frymë as n’ëndërr
Mbi kokë të pagjumëve t’ua shembnin qiellin!
Shtrëngata e dryna poetik thërrisnin
Se ujkut i pëlqen uturima nëpër mjegull…
 
Gjuhën e poetit e duanin të gozhduar
Çelsin e perlave të atdheut i mëshihnin
Atdheu të ngec i mbërthyer n’kryq
Si hije t’vërdallemi n’Hartën e (I)lirisë.
 
Pas drynave kërkohet drejtpeshimi i lirisë
Ciatje gjarpërinjsh rreth gishtërinjve të ngritur
Që dikush të shaloj atin,e t’rrënojë lavdinë,,,
 
Shtatë drynat e pritjes mbi shtatë koka
Të shtatë rrathët e ferrit për liribërësit
Që shtatë lëkurët e krenarisë i lanë n’male
Pas shtatë drynash u mbyll fjala shqipe liri.
 
Në Epokën pas Diellit të lirisë
Çuditërisht dikush thërriste shtatë dryna
Sa herë i nxjerrnin fjalën nga goja
Veç dryna thërrasin e dryna vendosin.
 
Është kohë drynash pa asnjë çelës
Ua kanë venë drynin derës për miq
Ua kanë vënë drynin Shtëpisë së fjalës së lirë
Ua kanë vënë drynin medias se ia kanë dronë...
 
Çelësat janë për të hapur drynat
Tufë çelësash përnjëherësh sjellë
Ua vunë çelësin edhe derës edhe bugjetit
S’mund t'i hapen e t'i mbyllen dyert dritës...
 
Çelësi i orës iu ka humbur
E mbyllën me shtatë palë çelësa Kosovën
Ata që mbajnë çelësat e institucioneve
Çelësambajtës burgu-roje mjegulle janë bërë
Të vonuarit e Epokës pas lindjes së Diellit
Në shtrat të vdekjes sollën lirinë
Plasi njerëzia prej anktheve inatçore...
 
Ne mos qofsha nën lëkurën e tyre
Do ta hanë njëri tjetri së shpejti
Të mjerët i kanë hyp mbrapshtë kalit
Atllarëve që shtatë herë kërcejnë përpjetë
E veç një herë të plandosin për tokë
Pranverat i kyçën me shtatë dryna.
 
Atyre s’iu qanë zemra për foshnjën n’djep
As pse lirisë ia sollën shpirtin n'fyt
Se fjalët i kanë më të rënda se plumbi...
 
Drenicë, më 30 korrik 2024