Francesca Gallello - lajme kulturë

Francesca Gallello - lajme kulturë
EMOCION I DYFISHTË NË ASTI: ANGELA KOSTA PREZANTON ROMANIN "SYTË E NËNËS" DHE FESTON DEBUTIMIN E PARË LETRAR TË MBESËS CHANEL BASHHYSA

NGA FRANCESCA GALLELLO

Më 07 shkurt qyteti i Astit (Itali), mirëpriti dy evente të mbushur me emocion: prezantimin e e romanit të shkrimtares Angela Kosta "Sytë e nënës", edicioni i dytë, publikuar në Itali nga shtëpia botuese G. C. L. Edizione me botues Giancarlo Lissi. Edhe pse e pamundur të merrja pjesë për shkak të angazhimeve në Kalabri, ndoqa me vëmendje çdo detaj përmes rrjeteve sociale, ku Angela ndau përvojën e saj me fjalë të sinqerta dhe prekëse, si edhe përmes një telefonate të këndshme.
Shkrimtarja e përshkroi ditën si një moment “të bukur dhe të paharrueshëm”, të përjetuar në një atmosferë familjare, mikpritëse dhe të mbushur me dashuri të ndërsjelltë. Publiku mori pjesë me interes të madh, duke krijuar një dialog të thellë mbi tema delikate dhe aktuale si femicidi dhe marrëdhënia komplekse prindër-fëmijë, me ndërhyrje, pyetje dhe reflektime që e pasuruan prezantimin.
Ngjarja u organizua nga Qendra Artistike dhe Kulturore Shqiptare “Margarita Xhepa”, nga Forumi i Gruas Shqiptare (Asti), me mbështetjen e Shoqatës AssoAlbania Asti, e përfaqësuar nga Presidenti Marjan Bjeshkza. Ndër autoritetet e pranishme ishin Kryetari i Bashkisë së Astit Maurizio Rasero, Presidentja e Këshillit të Provincës për Mundësi të Barabarta Dr Bianca Terzuolo dhe Presidentja e Këshillit të Barazisë së Komunës së Astit Dr Nadia Milleto.
Një falenderim i veçantë nga Angela iu drejtua moderatores Sabina Darova, e cila drejtoi takimin me profesionalizëm, si dhe pianistes Sonila Molla, e cila shoqëroi leximin e disa pjesëve të romanit me një sfond muzikor sugjestiv duke luajtur notat e kompozitorit të famshëm Piotër Çajkovski.
Leximet, të realizuara nga pjesëmarrës të ndryshëm, i dhanë zë faqeve të romanit, duke rritur intensitetin e tij emocional.

Por dita e shtunë rezervoi edhe një gëzim e emocion tjetër: prezantimin e librit të parë me përrallë të mbesës Chanel Bashhysa: "Mishel dhe ëndrra e saj si princeshë", publikuar nga shtëpia botuese Kubera Edizioni (Itali), një debutim edhe ky i mirëpritur me entuziazëm dhe dashuri. Për Angelën ishte një triumf i dyfishtë: të shihte veprën e saj të vlerësuar dhe, njëkohësisht të ishte dëshmitare e hapave të parë letrarë të një autoreje të re nga familja e saj. Një emocion i dyfishtë ky që e bëri eventin edhe më të veçantë.
-Angela Kosta është një figurë e rëndësishme në panoramën kulturore italo-shqiptare.
Shkrimtare, gazetare dhe promovuese ndërkombëtare, ajo është drejtoreshë e revistës letrare MIRIADE, një pikë referimi për përhapjen e kulturës mes Italisë dhe Shqipërisë, THE LANTERNS OF POETRY GLOBAL dhe NUANCES ON THE PANORAMIC.
Bashkëpunon me gazeta dhe revista të ndryshme të huaja botërore. Ka botuar vepra poezish, romane dhe përralla për fëmijë të përkthyera në 12 gjuhë.
Tekstet e saj janë përkthyer dhe botuar në 45 gjuhë dhe vende. Është botuese dhe bashkë botuese në shumë antologji në Itali dhe jashtë saj. Ka përkthyer 1500 tekste të autorëve të ndryshëm në italisht dhe shqip: recensione, intervista, poezi, tregime, kritikë letrare, studime, etj. Ka qenë dhe është pjesë e jurive të konkurseve të ndryshme letrare në Itali dhe jashtë vendit. Është anëtare e disa shoqatave të regjistruara në OKB dhe në Senatin e Republikës Italiane. Ka fituar disa çmime të rëndësishme si përkthyesja më e mirë, promovuese kulturore dhe poete në vende të ndryshme të huaja, përfshirë “Naji Naaman”, “Oscar Wilde” nga Shoqata e Kritikëve Italianë dhe Parlamenti Europian (Bruksel), çmimin Ekselencë e Letërsisë, Ambasadore e Kulturës si dhe medaljen Dr Honoris Causa nën patronatin e Parlamentit Europian. Gjithashtu është Drejtore e Shypit Ndërkombëtar në Akademinë Tiberina (Romë dhe Katedrën e Grave Italiane (OKB).
Me origjinë shqiptare, jeton prej tridhjetë vitesh në Itali, ku vlerësohet për talentin, ndjeshmërinë dhe angazhimin e saj të palodhur në promovimin e letërsisë. E shumëvlerësuar me çmime prestigjioze në konkurse të ndryshme letrare dhe e njohur në nivel ndërkombëtar, Angela përfaqëson një zë autoritar dhe të rafinuar në botën letrare bashkëkohore. Puna e saj çmohet jo vetëm për cilësinë e shkrimit, por edhe për aftësinë për të trajtuar tema të thella me delikatesë dhe qartësi. Ja si iu përgjigj ajo pyetjeve për revistën tonë Saturno Magazine:

-Angela, si do ta përshkruaje atmosferën e prezantimit në Asti?
-Ishte një përvojë e paharrueshme. U ndjeva pjesë e një familjeje të madhe, e mirëpritur me dashuri dhe admirim. Çdo moment ishte i mbushur me emocion.

-Cilat tema ngjallën më shumë interes tek publiku?
-Sigurisht femicidi, fatkeqësisht një temë aktuale dhe e dhimbshme, si dhe marrëdhënia prindër-fëmijë, me të gjitha vështirësitë që ajo përfshin. Pati ndërhyrje të thella, pyetje dhe shkëmbime mendimesh që e pasuruan dialogun.

-Çfarë e bëri këtë ditë edhe më të veçantë?
-Prezantimi i librit të parë të mbesës sime Chanel. Të shihja entuziazmin e saj dhe ngrohtësinë e publikut, fëmijëve të qendrës që e rrethuan plot dashuri, ishte dhe do të mbetet një dhuratë e jashtëzakonshme. Një emocion i dyfishtë, një sukses i dyfishtë.

-Ke dikë që dëshiron ta falënderosh në mënyrë të veçantë?
-Rrallëherë ndodh që një autor të përfshihet nga një ndjenjë e plotë lumturie. Kjo ndodhi tek Chanel dhe tek unë! Jo me fjalë, por me vepra. Gjatë eventit, gjithçka na rrethoi në një atmosferë të ngrohtë, mikpritëse, sikur të ishim në një shtëpi të madhe. Më bëri shumë përshtypje mënyra se si fëmijët i bënin pyetje Chanelit, pjekuria e tyre dhe dëshira e tyre për të "shkuar" përtej krijimit të një përralle... T'u them FALEMINDERIT është me të vërtetë pak. Kjo ditë do të mbetet në kujtimet tona në ato përqafime plot dashuri. Me mirënjohje të madhe falënderojmë sërish: Qendrën Artistike dhe Kulturore Shqiptare "Margarita Xhepa", shkollën shqipe Udha e Shkronjave, të gjithë organizatorët, autoritetet e pranishme, moderatoren Sabina Darova, pianisten Sonila Molla dhe të gjithë ata që lexuan pjesë nga romani. Prezantimi i romanit "Sytë e Nënës" i cili është përkthyer dhe botuar edhe në shqip dhe në turqisht, nuk ishte vetëm një ngjarje letrare, por një takim shpirtëror, një moment reflektimi kolektiv dhe një rast për të festuar talentin, kulturën dhe lidhjet familjare. Për Angela Kostën, shkrimtare me një zë të fuqishëm dhe autentik, ishte një ditë që do të mbetet e gdhendur në kujtesë: një sukses personal dhe familjar, një përqafim nga komuniteti dhe një konfirmim i vlerës së veprës së saj.

Nga Francesca Gallello: Drejtoreshë e revistës "Saturno Magazine" dhe e shtëpisë botuese "Veliero", gazetare, shkrimtare, kritike letrare