Llesh Gjoka për poezitë e poetit Xhemkadri Kastrati

Llesh Gjoka për poezitë e poetit Xhemkadri Kastrati
POEZI ME TIPARE LIRIKE, MORALE DHE ESTETIKE

- Duke lexuar poezitë e poetit të njohur kosovar, Xhemkadri Kastrati

Nga Llesh Gjoka

Poezia, për poetin kosovar Xhemkadri Kastrati, ka kohë që trajtohet prej tij, jo vetëm si një akt krijues, estetik i veçantë, por edhe si një vazhdimësi e jetës.
Sprova e poetit e ka arritur maturimin artistik, emocional dhe ideor duke na dhënë një produkt poetik të ndriçuar mirë, për t'u perceptuar shpejt nga shqisat e brendshme të çdo lexuesi.
Që në krye të herës, mund të themi se poeti Kastrati, di të matë mirë pulset njerëzore, di të lexojë barometrin e dashurisë, gëzimit apo të vuajtjes të shpirtit njerëzor.
Poezia e tij është e gjitha një ekstrakt, një rezultat i natyrshëm i raportit autorial me mendimin dhe filozofinë e tij krijuese.
Poeti ka bërë një pakt që në fillesë të dashurisë së tij me muzën poetike, që poezia e tij të pulsojë nga një shpirt i thjeshtë, larg çdo shprehësie që fjalët i kthen në britma, fyerje a diçka tjetër.
Poeti, Xhemkadri Kastrati luan me artin e fjalës brenda kufijve estetikë të përcaktuar mirë, duke përdorur çdo detaj që e mishërojnë atë si art poetik.
Tipologjia e tij e të shkruarit poezi dallon nga vargu me rimë, zakonisht ABAB, i organizuar në strofa të rregullta tetë a dhjetë rrokëshe. Koloriti artistik i harlisur i jep kësaj strukture poetike kandelën për të flakëruar ndjenja të bukura morale dhe estetike te çdo lexues.
Poeti Kastrati është poeti i mendimit të urtë, i kuintesencës që mbart një shpirt i farkëtuar në dallgët e jetës.
Poeti di t'i këndojë bukur të dashurës, qoftë ajo gruaja me të cilën rron dhe ndan shortin, qoftë ajo shëmbëlltyra idilike që vjen nga vitet e hershme të rinisë.
Krijohet imazhi i saj si vegim, si dallgë zjarri që herë afrohet dhe herë largohet pa u venitur kurrë.
Realiteti artistik paralel që krijohet shpeshherë përmes poezive të tij mbresëlënëse na verteton më së miri thënien e shkrimtarit dhe producentit të shquar amerikan Nicholas Sparks:
"Poezia nuk është shkruar për t'u analizuar.Duhet të na frymëzojë përtej arësyes, duhet të na çojë përtej të kuptuarit".
Si te çdo poet, kërkohet vendi ekzotik, vendi i "arratisjes", ku poeti duhet të gjejë "tokën e egër", atje ku mungon sundimi i të pangopurëve, i njerëzve pa moral dhe i kriminelëve që sulmojnë prenë e tyre.
Vargje që ilustrojnë këto mendime, që stigmatizojnë padrejtësitë që luhen sheshit, janë edhe vargjet e poezisë "Do të largohem" (Xhemkadri Kastrati)
E veçova këtë poezi të poetit si një nga poezitë më të bukura për nga mesazhi i rëndësishëm që mbart dhe përcjellja e arrirë artistike.
I uroj poetit të nderuar dhe mikut tim Xhemkadri Kastrati në radhë të parë shëndet dhe në vazhdimësi krijimtari të begatë poetike, të suksesshme.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

DO TË LARGOHEM

Një ditë do t’largohem nga këtu
Do të fluturoj sikur zogu i mekur
T’a ndërtoj folenë atje larg diku
Në atë vend ku bren miza hekur!

Dhe folenë do e ndërtoj nga gurë
Do t’rri vetëm në atë shkretëtirë
Ku njeriu nuk do t’më sheh kurrë
Ku s’ka urrejtje, xhelozi as smirë!

Do të shkoj n’vendin e kaktusëve
Ku dhe në janar atje të djeg dielli
Të qëndroj n’mesin e bambusëve
E mbi kokë le t’më qëndron qielli!

Do të shkoj n’çerdhën e ciklopëve
Sikur ujku prenë, le t’më shqyejnë
Dua t’u liroj vendin të pangopurve
Nga faqja e dheut le t’më shlyejnë!

Dua të iku larg nga tokë e harlisur
Që tua lë dhelprave ta hanë prenë
E të shkoj atje në tokën e braktisur
N’atë tokë të egër ku njeri nuk vjen!

T’ua liroj vendin edhe të uriturve
Që dhe ata t’ngopen nga lakmitë
Tu ofroj kënaqësi dhe të“miturve”
Të vallëzojnë përmbi padrejtësitë!

E kur unë më s’jam, le të më qajnë
Kinse u dhimbësem, le të marohen
Të tjerë të “sëmurë” do më shajnë
E pas ikjes sime uroj që t’kurohen!