Poezi nga Mike Turner (Shqipëroi Irma Kurti)
MIKE TURNER është një kompozitor dhe poet që jeton në Bregun e Gjirit të SHBA. I cilësuar si Argëtuesi i Vitit Gospel 2017 nga Shoqatat Ndërkombëtare të Muzikës Country në Amerikën e Veriut, këngët e tij origjinale janë transmetuar në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Evropë, Australi, Zelandën e Re si dhe në Rrjetin e Radios së Forcave të Armatosura të SHBA. Ai është bashkëthemelues i Music For World Peace Records, (Regjistrimeve muzikore për Paqen Botërore) të specializuara në këngë që promovojnë paqen botërore dhe kundërshtojnë luftën. Vargjet e tij janë botuar në revista dhe antologji të shumta të shtypura dhe on-line; poezia e parë u botua në revistën Spillwords në 2019. Përmbledhja e tij me poezi, "Visions and Memories"(Vizione dhe kujtime), u botua në 2021 nga Sweetycat Press.
HIJE DHE GENJESHTRA
Vegime fantazmë e ndjekin kujtesën time
Ndërsa sjell ndër mend një dashuri përtej kohe dhe hapësire
Çaste kënaqësie dhe ekstaze
Intervale paqeje dhe qetësie
Idile pushimi dhe përtëritjeje
Fusha me lule pranverore
Që rriteshin kundrejt pamjeve të arta të stinës së verës
Qiej të kaltër dhe re të fildishta
Derisa mbërritën stuhitë
Pikla uji si predha çeliku
Bombat që lulëzonin përmes stepave
Fusha e betejës e mbushur me yje të rënë
Që vëzhgonin se ç’do të ndodhte më pas
Degëzime tymi dhe mjegulle që ngrihen nga hiri
Gjithçka që ka mbetur nga një vuajtje e pranishme qysh më fillim
Nga errësira tek dielli
Nga e keqja tek e mira
Unë veten e pyes tani:
Cilat ishin hije
Dhe cilat gënjeshtra?
NJË NOTË
Secili nga ne ka një notë
Që dridhet në frekuencën e shpirtit tonë
Një kryqëzim i tonit perfekt
Intonacion
Dridhje
Timbër
Që tingëllon brenda qendrës së qenies sonë
duke shprehur mall, dëshirë, dhembje të zemrës, emocion
Tragjedi, triumf, ngazëllim
Që kërkohet si një dhuratë e mrekullueshme e jetës
Ne i biem kësaj note
Me familjarë, miq
Bashkëpunëtorë, të njohur
Edhe me ata që janë anonimë
Sepse secili prej nesh ka një notë
E cila, duke u ndarë së bashku
Muzikën e hidhërimeve, gëzimeve të përbashkëta
Shpresave dhe endrrave krijon
Të gjitha të djeshmet tona dhe të nesërmet
Në këtë simfoni madhështore
Të jetës.
NJË KËNGË PËR T’U KËNDUAR
Më jepni lirika plot shpresë
Për të mbështjellë shpirtin tim
Për të lehtësuar dhimbjen e zemrës së lodhur
Dhe problemet do të largohen një e nga një
Më jepni muzikë për t'u dhënë fund vuajtjeve
Do ta dëgjoj si një muzikë blues
Derisa t'i përgjigjet mallit tim
Dhe besimin e humbur të më ripërtërijë
Më jep një ndjenjë mrekullie
Që shpirti im të marrë krahë
Dhe unë nga kjo rrëmujë do të largohem
Duke kënduar një këngë qiellore.
MIKE TURNER
PËRKTHEU NGA ANGLISHTJA: IRMA KURTI