Vjollca Aliu

Gjithë jetën e doja të veshur me të bardha
Se i tillë ishte shpirti saj
Ishte vet dritë që shkëlqente bardhësi
Edhe kur terri mbulonte gjithçka.
Bluzën e bardhë qëndisur nga duart e nënës
E ruaj si thesar jetësor
Kur e shpalos sikur e ndiej aromën e saj
E para syve më del qeshja e saj e bardhë.
Lulet që i mbolli çelnin bardh si bora
Oborri ngjante në parajsën përrallore
Lodhesha duke numëruar vazot me lule
Ishin aq shumë, sa yjet e panumërta në qiell.
Një ditë, krejt ai pëlqimi për bardhësitë
M'u shndërrua në urrejtje për të bardhën
Trupi i nënës mbështjell në qefinin e bardhë
Ma ftohu shpirtin, ma ngriu zemrën
Si akulli i bardhë.