Angela Kosta
TRASHEDENCË
Njerëzit nuk reshtin kurrë së kërkuari të pamundurën...
nuk ndalen...
me frenezi sfidojnë vetë ekzistencën...
në kundërshtim me rrymat e epokës,
janë në kërkim të atyre copëzave lumturie,
vezulluese në galaksinë e kujtimeve të përjetshme.
Dhe mjafton vetëm një moment,
një sekond që gjithçka të ndalet
e çdo gjë kthehet në pluhur...
Hemisferat e kohës
zhduken në humbëtirë
pa lënë qoftë edhe një gjurmë të vetme,
ndërsa ti mbetesh pezull në ajër
pa mundur të vësh këmbët në tokë...
përhumbesh në hapësirën e panjohur,
zhytesh në mjegullën e harresës.
Nuk ke më sy
për të identifikuar horizontin
ku ka gjetur strehë karma jote,
nuk ke më veshë të dëgjosh tingujt
dikur të ëmbël të zërit tënd, tashmë pa nota,
nuk ke më duar që me majat e gishtave
të prekësh qoftë edhe një rreze dielli,
e vetëdijshme se çka do të të shpjerë në sipërfaqe.
E nuk ke më krahë të fluturosh drejt shpëtimit,
nuk ke më këmbë
të hedhësh e sigurt hapat drejt atij caku
që fundos në greminë të dlirën jetë.
Nuk ke më as frymë,
të mbushësh me oksigjen mushkëritë e botës,
nuk ke më as fjalë
të ndryshosh sadopak atë që nuk ka kthim
dhe në fund e kupton dhe e pranon
që nuk ke më forca,
nuk ke më rrahje zemre të jetosh
sepse shpirti yt nuk i përket më kësaj bote...
©️ Angela Kosta