ORA E JETËS
E thonë ka ndryshuar Ora
Herë një orë para e herë një orë pas
Kot lodhen qeveritë e globit
Tek luajnë me orën tonë
Atë nuk e bëjnë dot rrumbullak
Si topi
Ne e kemi orën tonë
Akrepat e saj i luan vetëm Zoti.
MORINË
E njoh një fshat me emrin ikje
Morinë e thërrasin
A me saktë e thirrëshin dikur
Se aty askush nuk thërret ma
Aty
Nuk flitet asnjë gjuhë
Nuk ka çelje dite
Nuk hapet derë e as nuk ka oborre
E as oxhaqe nuk ka
Vetëm rrënoja shtëpish
Që duken si gojë të shtrëmbta
Me dhemb të thyem e të ramë
Aty
Asnjë gjallesë nuk ndihet
As këndezi nuk bëza
As qentë nuk lehin
As bletët nuk gumëzhinj
Në rrugët e kullosës së lopëve
As bagla nuk ka
Aty
Asnjë këmbë njeriu
Ka kohë që nuk shkelë
E si një planet i vogël e pa jetë të ngja
Aty
Për çudi vetëm varret shtohen
E pllaka me lindje e vdekje pa pra
Aty
Si nga legjenda erdhi në vjeshtë
Një vajzë me emer dritë
Rozafë e bukur për t`u muros
E për të na kujtuar edhe një herë
Kujën e kësaj ikje
Aty nuk ka lindje
Nuk ka as vdekje
Aty ka vetëm varrime
E njoh një fshat me emrin ikje.
NJERIU I DJESHËM
Kur ishte i ri lexoj shumë vetëm një libër
Në ekranin bardhë e zi dukej me kulturë
Si një duhanxhi edhe i dehur
Hëngri si me dhëmb purën diktaturë
U bë i ditur, me i dituri në planet
Sa shpiku edhe rrotën e dytë
Na thoshte dikur
I mençuri ynë poet
Tanimë jo më i ri por është tjetër
Është automatik i mbushur
Edhe pse markë e vjetër
Me tytën prej nesh
Nga ekrani me ngjyra natë e ditë
Ai vret.
DY SHPIKJE ALLA SHQIPTARE
E para
Izolimi që na la
As gjallë e as vdekë
Në dhè
E dyta
Shpopullimi që po na lë
Pa varre
Edhe pa atdhè.
VJEDHËSIT E ATDHEUT
Të pa shpirtë e të ftohtë
Si mermer parmakësh e buste boshe
Duke i zënë frymën çdo rrugë e qoshe
Në qytete me ikje e pak banorë në radhë bukë vote
Dasmojnë në kështjella me pensione mamaje
Harbojnë në dyshek martese të mbushur me pare
Mburracakë e trashëgimtarë të pa burra për 100 vjet
Me vula dhe brava e kollare si jela të fëlliqta hingëllojnë
Pshurrin qelb politike e bagëlojnë kudo mut
pushtet.
POETËT JANË SI YJET
Poetët janë si yjet
Të vegjël, shumë të vegjël…
Të mëdhenj, shumë të mëdhenj
Të dukshëm e të padukshëm
Të afërt, të largët e shumë të largët
Yjet shalojnë qiellin
Dhe poetët në tokë shtegtojnë
Si yjet në hapësirë
Dhe poetët vetëm rrezatojnë
E ne bëjmë sikur i prekim
E ëmbël, ëmbël i vështrojmë
Por, a preket Universi?
DASHURIA, A E KA EMRIN DASHURI
Si gjethet e pemëve në vjeshtë
Bien pa i pyet degët
Degët nuk ju thonë ikni
Ndoshta edhe ju thonë
Toka nuk ju thot hajdeni
A ndoshta edhe ju thotë
Edhe dashuritë sot nuk e dinë
As kur nisin e as kur shkojnë
Bile vetë dashuria
Nuk e di, a e ka emrin dashuri?!!
Përgatiti për publikim Angela Kosta