Gori Stafa - Cikël poetik (Përgatiti për botim Angela Kosta)

Gori Stafa - Cikël poetik (Përgatiti për botim Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA GORI STAFA 
 
Ligor Stafa ka lindur me 11 Dhjetor 1960 në Kukës. Është diplomuar Master (MP) në Ekonomi, në degën Financë - Bankë, në Universitetin "Luigj Gurakuqi", në Shkodër. 
Prej vitesh, shkruan poezi dhe prozë.
Ka botuar librin me poezi "Natyrë e qetë", në Shtëpinë Botuese: "Konica Press" - Shkup, Maqedonia e Veriut, 2009), librin me prozë në dygjuhësh shqip - anglisht: "Autoportret", në Shtëpinë Botuese "Muzgu", Tiranë, 2023, si dhe librin në prozë "Självporträtt" në suedisht nga Shtëpia Botuese Böras, Suedi, 2024.
Gori Stafa është redaktor i librit "Tregjet dhe Institucionet Financiare" (Botimi i Dytë, Shkodër 2013) me autorë Prof. Dr. Elez Osmani dhe Rozafa Ristani, si dhe i librit "Tregjet dhe Institucionet Financiare" (Botimi i Tretë, Shkodër 2017) me autorë Prof. Dr. Elez Osmani dhe Prof. Dr. Ibish Mazreku. Aktualisht, jeton në Florida, (SHBA).
 
PREKJE
 
Dhe prek lëkurën tënde të ngjyer në blunë e natyrës 
e mëkatbuzëqeshja rrëshqet fshehurazi mes nesh. 
Po shndërrohem në përzierje magjie dhe besimi në këtë shumësi formash, gjendjesh?
 
Dhe prek zërin tënd brenda lëkurës time, 
zërin tënd që përcjell tek unë ca zëra mineralë, prek etjen tënde 
për të lexuar mbulesën e imagjinatave të mëdha.
 
Dhe prek pothuaj ëndrrën tënde blu 
dhe fryma e hollësive më shpëton nga duart. Ngulshëm dua ta ndiej ekzistencën tënde, 
dua të jem më shumë.
 
Unë zbraz tek ti trupin dhe shpirtin 
dhe mendoj se ti më shpike mua prej asgjësë, pastaj më dashurove, pastaj zbulove para meje kontrastet e pafundme të prekjes.
 
TË VËSHTROJ VJEDHURAZI
 
Ndiej një muzikë xhazi nën lëkurën time, 
kur ngjitem në këtë verandë kurthesh.
Kurth i trëndafiltë në ecje
I njëjti plazh, rërë tunduese
Kam uri për pohime të dhunshme.
 
Jam pusi e kaubojve që përgjon arratisjet. 
Jam një eunuk që vuan nga deluzioni i telepatisë.
Më tërheq kjo aventurë, 
ku gjithçka vërtitet mes mosprekjeve.
Vërtitet duke vërtitur format.
 
Përse ndihem i transportuar? 
Përballë një album, një cocktail ngjyrash, rrumbullakësitë e fshehta. 
Në trurin tim një buzëqeshje brakonieri, 
një dorë e padukshme, 
një përpëlitje buzësh, gjoksi, gjunjësh, vithesh.
 
Trupi im pret një ftesë, 
një fërgëllimë pëlhure që lutet për shpëtim, 
që pret me padurim të hidhet nga lartësitë.
Natyrisht i bukur ky kurth i trëndafiltë.
Vazhdon muzikë e xhazit nën lëkurën time.
 
AUTOPORTRET
 
Meqenëse s’jam i fundit i të pakuptueshmëve 
bëj një autoportret “Liliputi L.S.“ 
në kujtim të dëshirës sime për t’u zvogëluar 1728 herë në kujtim të miqve të mi liliputë 
që s’rreshtin së luturi për zvogëlimin tim.
 
Përgatiti: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese