Lirije Bimi (dy poezi për Shkodrën)

Lirije Bimi (dy poezi për Shkodrën)
MË PRIT SE ERDHA ROZAFA
 
Po vij përtej deteve për ty Rozafa
Të murosem në mes palcës së gurit
Me emrin që jeta për kohën ma la
Shqipe shtegtare, dalë prej flamurit
 
Nga maja e kalasë ta shikoj qytetin
Si ditët kur ika me plagët e Arbërisë
Duke lënë kujtime bashkë me detin
Si pëllumbeshat nëpër qiellin e lirisë
 
Po të kthehem Rozafa si hyjni sot
Me dhimbje e plagë për pak dashuri
Se borxh të mbeta për dy pika lot
Që i lash kur ika mbi sofrën lumturi
 
Kur se dija se sa të rëndon atdheu
Mes moteve kur të kafshon shpresa
Mes ikjeve terse ku si ferr a dheu
Ku mbetesh e huaj, të vret dhe besa
 
Po të vij Rozafa të murosem me ty
Bashkë, ta përkundim djepin lehonë
Jashtë si ti do ta lë, dhe unë një gji
Të ngopet me tambël biri i jetës tonë

SHKODRA IME
 
Shkodra ime - gjak i dejeve të mi,
Që djepin e drunjtë ma ruan diku...
Djep i kulturës ke qënë dhe je ti
Dhe shekujt do të ruajnë ashtu...
 
Në agim dhe në muzg për ty mendoj.
Të ndiej këtu, fare pranë...
Dhe prapë shpesh nis e këndoj
Këngët që përgjysmë i lamë...
 
Dhe legjenda e Rozafës përherë
Më endet këtu nëpër buzë...
Për Cukalin, lulet e tij në verë,
O Zot, më digjet shpirti shpuzë..
 
Dhe Drini dhe Buna e rrëmbyer
Rrjedhin nëpër damarët e mi...
Tashmë e lodhur nga mërgimi,
Tek Shkodër loce do vij përsëri...