VËSHTRIM
VEPRA “BLLACA ’99 ...” NË MEMORIEN E TË DËBUARVE SHQIPTAR
ose
DËBIMI ME DHUNË QË MUND TË MERRTE PËRMASA TË MËDHA BOTËRORE
Jahja LlUka : “Bllaca ’99- PËRJETIMET E TË DËBUARVE ME DHUNË NGA FORCAT SERBE “(Argumente), botoi “Fokus pront” Shkup, 2024, 296 faqe, pjesa e parë)
Më 10 prill 2024, aty ku ende ekziston kufiri shqiptaro-shqiptar (ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut) në Bllacë, ku para dy dekadash e gjysmë (d.m.th. para 25 vjetëve), u përurua vepra publicistike-historike-letrare) e autorit tashmë të afirmuar në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare – Jahja Lluka, njeriu që njëjtësohet me Shoqatën e të Shpërngulurve dhe të të Dëbuarve nga Trojet e Veta, ku bëri qëmtime, eksplorime dhe mblodhi shënime, duke dalë publikisht edhe me këtë libër argumentues para botës së civilizuar.Me këtë vepër, në krye të 25 vjetorit të Aksionit Famëkeq të Dëbimit të Shqiptarëve nga Kosova (më 1999) nga regjimi obskurantist serbo-sllav, në krye të të cilit ishte Sllobodan Millosheviqi dhe ithtarët e tij. Bllaca ’99 ishte nyja kyçe përmes së cilës popullata shqiptare e Kosovës mori udhët e botës, ku u degdisen anekënd rruzullit tokësor tek miqtë tanë liridashës, për të mos të mos e lënë këtë popull të shfarosej njëherë e përgjithmonë, ashtu siç e kishin planifikuar ideologët pushtues deri më 1999.Jahja Lluka hartues e mbarështues i kësaj vepreje monumentale “Bllaca ’99) ...” falë përkushtimit të pashembullt, gjatë këtyre 25 vjetëve (1999-2024), më shumë se kushdo tjetër iu qas me devotshmëri publikimit të përjetimeve të të dëbuarve shqiptarë, të cilët në Bllacë me ditë e net të plota (që nga marsi-maji 1999) kush më pak e kush më shumë përjetuan çaste të dhimbshme, tragjike të DRAMËS KOSOVARE, ku shqiptarët ishin vetëm trupa (figura) statikë – duarthatë, të uritur e të etshëm kurse rolet i luanin kriminelët, milicët, ushtarakët dhe efektivët e aparatit shtetëror serbo-sllav.Libri “BLLACA’99 ...” i autorit Jahja Lluka, edhe pse është pjesa e parë, që do të thotë se është nisma e një projekti më voluminoz, megjithatë, tash për tash kryefillesa që përcakton vendin BLLACË, vitin 1999 dhe popullatën shqiptare të dëbuar nga vatrat stërgjyshore dhe të grumbulluara në këtë kamp fushor, ku njerëzit përjetuan edhe “FERRIN” e Dantes, megjithatë falë ndihmave të vëllezërve e motrave tona që kontribuuan në forma e mënyra më të ndryshme dhe gjetën përkrahje jo vetëm morale por edhe materiale, duke dhënë gjithsecili atë që pati mundësi, duke mos kursyer asgjë, vetëm e vetëm t’u dilnin në ndihmë vëllezërve e motrave kosovare, të cilët gjatë tremujorshit mars, prill dhe maj 1999 ishin në mes të kudhrës e çekanit. Dhe, deshi Zoti, Amerika, Forcat Veri-Atlantike që në Misionin e tyre Humanitar, të koordinuara me forcat e UÇK-së ia dolën mbanë që të udhëhiqnin këtë popullatë, duke e zhvendosur, strehuar dhe ruajtur nga krimet e mundshme që mund të ndodhnin kudo dhe kurdo nga forcat ushtarake, policore të udhëhequra nga efektivët kriminelë serbo-sllavë, të cilët nuk kursenin askë ... – shprehin përjetimet e tyre të trishta në shkrimet e njëpasnjëshme në këtë libër – monument, për kryekreje – fillim e mbarim, si emërues të përbashkët ka : vuajtje, tmerr, gjak, ...Derisa në fillim të librit “BLLACA’99”, në pjesën e mbititulluar “Në vend të hyrjes” lexojmë pesë faqet e Dibran Fyllit për dëbimet e mëdha gjatë viteve 1977/78, aty theksohen dëbimet e shqiptarëve nga trekëndëshi i Toplicës 1878-1881, pastaj vihet në spikamë aneksimi serb i Kosovës dhe vijon me dëbimin e shqiptarëve në kohën e mbretërisë jugosllave dhe vihen në pah pasojat, vrasjet, masakrimet deri te dëbimi masiv i shqiptarëve gjatë vitit 1998/1999. Në vazhdimësi të dramës tragjike libri “BLLACA’99...” përmbledh procesin obskurantist nga krematoriumi mbi shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit e deri tek Kampi i Bllacës i autorit prof. Dr. Hakif Bajrami, i cili vë në pah programet fashiste serbiane që prodhuan mizori shekullore ndaj shqiptarëve, duke e quajtur Bllacën’99 Mathauazen i mizorive serbe ndaj shqiptarëve.Derisa në këto dy shkrime përmbledhëse me dëshmi “de facto” dhe “de jure” për veprimet e pushteteve serbe ndaj shqiptarëve në vazhdimësi, përjetimet e gjithë atyre që panë me sy, e dëgjuan me vesh, si dhe ndien me zemër dhe perceptuan me mendje dinë më shumë se kushdo tjetër se ç’domethënie përmbledh fjala “BLLACA ’99...” – këtë e dëshmojnë përjetimet e panumërta. Në shkrimin “25 vite nga dëbimi i shqiptarëve të Kosovës” Daim Hyseni, bashkëveprimtar i Heroit të Kombit - Zahir Pajaziti, flet për përjetimet e tij për varrin e djalit të Kosovës. Në vazhdimësi të rrëfimeve shpërfaq përjetimet e tij Rexhep Mehmeti, gazetar i Radio “Vatit” në Shkup i cili thekson numrin e madh të kolonve të refugjatëve shqiptarë. Shkrimi i gazetarit të luftës, Zeqir Bekolli, në 12 faqe të librit “BLLACA’99...” publikon përjetimet e tij me titull “Unë “arkitekt” i tendës së parë në Bllacë.” Po ashtu gazetari i “Rilindjes”, Bajram Kabashi, në shkrimin e tij prej 14 faqeve, pos të tjerave vë theksin tek shpëtimtarët duke vënë në rend të parë UÇK-në dhe Aleancën e NATO-s, duke e përfunduar me fundin e mendimeve.Shkrimi “Refugjatët në Bllacën e lotit” të Rudi Berishës përmbledh përjetimet e plagëve që kthehen në ditët e vdekjeve, kur babait të tij ia pritën (organizuan) të pamen për ngushëllime për së gjalli, meqë dikush e kishte shpallur të vdekur. Ndërkaq për eksodin “BLLACA ’99...” dhe Kalvarin Biblik shpërfaq përjetimet e tij Fadil H. Curri, i cili ishte i dëbuar nga forcat serbe. Kurse Lule Selimi, gazetare publikon shkrimin e saj me titull krenarie “Rruga e Lirisë”, duke iu dhënë njerëzve motiv – zemër për t’iu bërë ballë edhe këtyre sfidave, meqë luftës do t’i vinte fundi dhe Liria ishte e sigurt, prandaj lypsej durim. Gazetarja e gazetës “Fakti” në Shkup, Lindita Azizi, në librin “BLLACA ’99...”, në shkrimin e saj prej 11 faqesh, me titull tejet simbolik dhe domethënës “Një ferr i gjallë ku frymuan bashkë jeta dhe vdekja” vë në jehonë mungesën e provës së fundit në Bllacë, ku atdheu shërohet vetëm me atdhe, ku lufta në Kosovë e bëri të vetën.
Në vijim të përjetimeve të të dëbuarve shfaq rrëfimet e tij dhe Abdullah Troshupa, i cili në 7 faqe të librit të lartpërmendur rrëfen gjithë atë dramë derisa erdhi në Bllacë, në kampin ku ishin përqendruar me mijëra veta nga të gjitha anët e Kosovës.Në shkrimin “Vdekje lindjes shqiptare” gazetari i TV të Prishtinës, Shaqir Foniqi, shfaq përjetimet e tij, me stilin poetik-estetik, duke përmbledhur me pak fjalë (në dy faqe libri) për gjithë atë dramë që përjetuan shqiptarët e Kosovës, që u dëbuan masivisht nga Kosova e pushtuar nga forcat serbosllave. Përjetimet e tij, si ngjarje e paharruar, i shfaq në dy faqe libri dhe i dëbuari me dhunë Ismail Sahiti.Ndërkaq nga libri i Hajrush Kurtajt “Kontributi i femrës në Luftën Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe në Han të Elezit 1998-1999” shkëputet historia e hidhur e plot sakrifica e Sherife Lutës, fotografia e së cilës me fëmijën e saj ngryk duke i dhënë gji, mori përmasa botërore si fotoja më e dhimbshme dhe më domethënëse, e cila pamje u shfaq në të gjithamasmedia botërore, kurse në Bllacë u përjetësua edhe mozaikun me gurë me titull “Muri i përjetësisë”, duke theksuar dashurinë e nënës ndaj fëmijës së saj, të cilën edhe në ato kushte e rrethana të disfavorshme nëna shqiptare di dhe ngulmon t’iu bëjë ballë sfidave më të tmerrshme, duke qëndruar gjithmonë e pamposhtur edhe pse vetën e vë në rrezik për ta mbrojtur frytin e saj.Po kështu për përjetimet e tij të paharruara rrëfen edhe Miravt Luta, bashkëshorti i Sherife Lutës, të cilët së bashku me familjarët e tyre ishin dëbuar nga forcat serbe, por assesi nuk u dorëzuan dhe qëndruan të pagjunjëzuar edhe pse në ato kushte e rrethana ishte tejet e vështirë t’iu bëhej ballë forcave serbe. Po kështu, shprehin përjetimet e tyre Florim dhe Emine Kastrati, prindërit e foshnjës me emrin Laurent, që kishin përjetuar si shumëkush dhunës, kur ishin dëbuar nga shtëpia e tyre nga forcat serbe.Ndërkaq, në librin “BLLACA’99...”, në shkrimin e tij prej 6 faqesh Isak Spanca tërheq dy paralele, duke vënë në pah dhunën policore dhe ushtarake serbe, në njërën anë dhe kthetrat policore maqedonase, në anën tjetër, duke konkluduar se si njëra ashtu edhe tjetra ushtronin dhunë të paparë ndaj popullatës së pambrojtur dhe duarthatë shqiptare.Një shkrim tejet analitik dhe shumë domethënës mbarështohet nga prof.. dr. Zeqirja Idrizi, i cili duke qenë dëshmitar i ngjarjeve tragjike të dëbimit me dhunë të popullatës shqiptare nga Kosova, ai shkrimin e tij autorial e përmbledh me titullin kuptimplotë e tejet domethënës “Kur të dhemb një pjesë e trupit i tërë trupi është i sëmur”.Imami Ismail Limani në rrëfimin e tij, të publikuar në librin “BLLACA’99...” vë në pah kontributin e bllacjanve duke theksuar faktin se banorët e Bllacës ishin të parët që u dolën në ndihmë vëllezërve kosovarë.Administratori i kampit të Stankovcit 1 dhe 2 Shaqir Fera nga fshati Bllacë thekson faktin se brenda 20 ditësh kanë kaluar hiç më pak se 15,000 shqiptarë të dëbuar.Në shkrimin “Treni i tmerrit dhe burbuja e Bllacës” i Sabit Jahës, që mund të formësohet edhe kështu “TT & BB 99” në mënyrë të përmbledhur a të shkurtuar, ngërthen në vete e gjithë odisejadën që ka ndodhur në pranverën e vitit 1999 me të dëbuarit shqiptarë të Kosovës teksa po përjetonin të zitë e ullirit në këtë kamp fushor, nën qiellin e hapur, të pangrënë dhe të papirë, prej nga degdiseshin anekënd botës për t’i shpëtuar fallangës serbosllave. Shaip Haziri në shkrimin e tij “Në Bllacë e pashë me sy vdekjen e familjes sime” rrëfen për mënyrën e dëbimit me dhunë nga forcat serbe ndaj shqiptarëve të pambrojtur gjatë atyre ditëve. Dr. Bexhihidin Shehapi në vështrimin e tij “Shpirti humanitar në ditët e vështira” vë në pah rolin epokal të “El Hilalit” përballë fluksit të refugjatëve, intensifikimin e tyre përmes formave e mënyrave më adekuate, bartjen e refugjatëve, korridoret si projekte ogurzeza për t’i dëbuar shqiptarët nga Kosova sa më parë dhe sa më masivisht, shprehur në 9 faqet e librit “BLLACA’99” të autorit Jahja Lluka. Shkrimi “Kalimi nëpër kalvarin kolektiv të Bllacës” i gazetarit dhe publicistit Avni Spahiu jep të kuptohet fare qartë e gjithë ngjarjen që përjetuan shqiptarët e Kosovës në këtë kamp të Bllacës, duke përjetuar situata tejet rrëqethëse e tronditëse. Asllan Qyqalla në shkrimin e tij “Bllaca-ferri i Dantes, po edhe i shpëtimit” shpërfaq atë dramën tragjike si përjetues i dëbimit me dhunë nga forcat serbe.Në shkrimin e mbititulluar “Prologu” me titullin “Tymi i cigares shkrihet me tymin e luftës” ambasadorja e UNICEF-it Vanesa Redgrava shfaq përjetimet e saj si i kishte parë me sy e përjetuar me zemër gjithë atë burbujë të ndodhur me shqiptarët e dëbuar me dhunë nga forcat serbe.
Aktori dhe regjisori Xhevat Limani në përjetimin e tij rrëfen për shfaqjen teatrore (për t’i relaksuar fëmijët) me një improvizim artistik në kampin e shqiptarëve në Stankovec të Shkupit.Ibush Reçica në shkrimin e tij me titull “Dëbimi i hidhur” vë në spikamë e gjithë dramën e tij si dhe të tjerëve të cilët e përjetuan dëbimin me dhunë nga forcat serbe, gjatë gjithë atyre ditëve derisa kaluan në kampin e Bllacës dhe pastaj degëdisjen e tyre nëpër botë. Për përjetimet e tmerrshme, që përjetoi edhe Fehmi Kuleta, shprehet në shkrimin e tij me titull “Me dhunë na dëbuan nga shtëpia”. Ndërkaq, Rrustem Xhafolli vë në pah keqtrajtimet e policëve dhe agjentëve serbë ndaj qytetarëve të popullatës shqiptare gjatë procesit të dhunës së ushtruar, gjatë atyre ditëve.Fatlume Limani, përjetuese e dëbimit me dhunë nga forcat serbe, shfaq rrëfime të tmerrshme që kishte parë dhe përjetuar gjatë kohës kur popullsia shqiptare po braktiste Kosovën, ngase kjo dramë ishte planifikuar sipas skenarit serbosllav. Ndërkaq Safet Kamberi në shkrimin e tij prej 3 faqesh në librin “BLLACA’99...” bën fjalë për mësimin e organizuar me nxënës edhe në kampin ku kishte fëmijë. Haxhbi Zendeli rrëfen për kampin në Bojan të Shkupit, ku ishte administrator, duke vënë në pah se edhe aty u mirëpritën shqiptarët refugjatë nga Kosova, duke iu dalë në ndihmë vëllezërve dhe motrave të tyre me gjithçka që patën, pa kursyer asgjë.Sait Saiti, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq në RMV (në shkrimin e tij 1 faqe) në librin “BLLACA ’99....” të Jahja Llukës,vë në jehonë krimin ndaj njerëzimit (të popullatës së pambrojtur shqiptare të Kosovës) duke theksuar tmerrin e këtij fundshekulli të kaluar të Eksodit Bllaca 1999.Historiani nga Shkupi Qerim Lita në shkrimin e tij analitik prej 18 faqesh në librin “BLLACA ’99....” me titull tejet domethënës përmbajtësor “Bllaca 1999 – Fusha e Vajtimit” nxjerr në pah gjithë atë lumë lotësh të njerëzve që përjetuan dhunë gjatë eksodit shqiptar të imponuar nga pushteti obskurantist serbosllav.Nga Organizata Kulturore Humanitare “Merhamet” sektori për informim në Shkup, jepen të dhëna argumentuese për masën e refugjatëve të cilët u përqendruan së pari në Bllacë dhe pastaj u degdisën nëpër kampe të tjera të Maqedonisë Veriore si dhe shpërndarja nëpër shtete të shumta, anekënd botës së civilizuar.Në shkrimin e tij “Eksodi i vitit 1999” Halil Bislimi rrëfen për përjetimet gjatë procesit të dëbimit me dhunë nga forcat serbe kurse Xhelal Ramadani, koordinator i SHH “Kalliri i mirësisë” në Shkup rrëfen për kontributin e kësaj shoqate që iu doli në ndihmë vëllezërve kosovarë.Pjesa më e dhimbshme, më tronditëse është ajo e rrëfimeve të fëmijëve të dëbuar me dhunë nga Kosova. Këto rrëfime janë marrë nga libri i Rexhep Bajramit “Ditar lufte”. Rrëfimet janë nga Bukurie Sopa (Kaçanik), Sanije Hyseni (Prishtinë), Labinot Rafizi (Ferizaj), Emir Sholla (Prishtinë), Besjana Sallahu (Ferizaj), Mustafë Stublla (Prishtinë), Adnan Bajrami (Stagovë), Verian Brunçaj (Prishtinë), Arsim Islami (Viti), Remzie Bakiu (Viti), Valbona Syla (Viti), dhe Muharrem Kadriu (Prishtinë), shkrime këto në formë eseje, ku shfaqen përjetimet më të tmerrshme, krahasuar me atë të Ana Frankut gjatë LDB-së.Rubrika e librit “BLLACA ’99....” me titullin “Faktet flasin” janë 24 fotografi të huazuara nga fotoreporteri polak i luftës Gumowski.Në përmbyllje - e epilogu mbarështohet shkrimi i Jahja Llukës, ku zë hapësirë prej 3 faqesh te libri “BLLACA ’99....” me titull përmbledhës dhe shumë domethënës “Fushëgropa e Bllacës ishte vazhdimësi e gjenocidit serb”, ku autori në fjalë duke qenë kryetar i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në Trojet e Veta, i bie kambanës “për të gjithë ata që kanë sy, veshë dhe kokë për t’u vetëdijesuar sa më parë, për të mos e harruar gjithë atë odisejadë tmerri a ferri nëpër të cilën kanë kaluar në vazhdimësi të parët tanë.Në mënyrë përmbledhëse-përmbyllëse nga prof. dr. Hakif Bajrami, me shkrimin “Tragjedia shqiptare” jep të dhëna faktike – argumentuese për pasojat tragjike të popullsisë shqiptare gjatë shekujve që i përjetuan nga dhuna serbosllave.Recensioni i prof. Dr. Parim Kosova, me titull “ Tmerret në kampin e përqendrimit Bllaca e përjetësuar tani në Muzeun “BLLACA ’99”, ku në mënyrë përmbledhëse tërheq dy paralele (atë të vitit 1999 dhe tjetrën të vitit 2024) për të pasur në kujtesë gjithë atë çfarë ndodhi dhe sa e si duhet t’i ruajmë ato vlera të cilat populli i ka në zemër dhe në mendje gjithmonë
Libri “BLLACA ’99” (Argumente) Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe” i Jahja Llukës, është botuar në “Fokus print" në Shkup, 2024, më redaktor Jusuf Gogjufi, recensentët prof. dr. Hakif Bajrami dhe prof. dr. Parim Kosova, lektor Sabit Jaha, korrektor Zeqir Bekolli, radhitja kompjuterike dhe faqosja uniART creativ (df), kopertina dhe disejni nga Dibran Fylli, me teknikë shtypi kolor dhe lidhje të fortë, shtypur në tirazh prej 600 ekzemplarësh. Libri në fjalë ka më se 180 fotografi nga vende dhe njerëz të moshave e gjinive të ndryshme, ku shkrimet e tyre i kanë shkruar 42 autorë të profesioneve të shumta dhe gjinive të ndryshme.Përurimi i librit “BLLACA ’99 (Argumente) PËRJETIMET E TË DËBUARVE ME DHUNË NGA FORCAT SERBE” i autorit Jahja Lluka, u bë pikërisht me 10 prill në Bllacë (Ditën e festës së Bajramit) datë kjo tashmë tradicionale e Eksodit shqiptar, në kuadër të organizimit zyrtar të kryetarit të Hanit të Elezit, z. Mehmet Ballazhi, ku ishte edhe kryetari i mëparshëm z. Rufki Suma, ish komandanti i ZON për Kaçanik kolonel Hajrush Kurtaj, Familja Luta, prof. dr. Hakif Bajrami, prof. dr. Parim Kosova, imami Xhevat Kryeziu nga Malisheva si dhe aktori dhe regjisori Xhevat Limani nga Maqedonia e Veriut, aktualisht tashmë me qrndrimnë SHBA Një vepër e tillë si kjo e Jahja Llukës, në saje të veprimtarisë së tij të bujshme që u kurorëzua me mjaft sfida nga më të shumtat, tashmë pjesa e parë është në duart e lexuesve për t’ua bërë me dije se është duke u përgatitur edhe pjesa e dytë dhe për të vazhduar edhe më të tjerat e radhës, në mënyrë që të përmblidhen sa më shumë rrëfime për të lënë gjurmë në kohë. Prandaj, kjo është punë me përgjegjësi për të gjithë ne që ta përkrahim moralisht dhe materialisht këtë projekt në krye të të cilit tashmë është z. Jahja Lluka!
Prishtinë, 28.5.2024
Sabit Jaha,
publicist