Safet Sadiku - Tri poezi

Safet Sadiku - Tri poezi
Tri poezi nga Safet Sadiku 
ETIKA SHQIPTARE 
Fjala e dhënë
te ne nuk tretet
As era nuk e shpie
as shiu nuk e lan
Ajo rri si guri
në prag të shtëpisë
Një herë thuhet
dhe përjetë mban…
Etika shqiptare
si zemër mali
Me duar që mbjellin
jetë e dritë
Me shpirtin si flakë
si kroje të bardha
Me besë që nuk blihet
nuk shitet, nuk fshihet
Mikëpritja jonë
me dyer të hapura
Me sofër që s’njeh
as të huaj, as të largët
Një kafshatë ndan
me të varfërin
Një konak e shtronte
për udhëtarin e ardhshëm
Kështu rron
ende shqiptari?
kështu është rritur
Me fjalën e tij
më të fortë
se një prush
Me zemrën e tij
sa një mal e një fushë
Me nderin si lis
që nuk e tund as era
shqipja gjithmonë
gjallëron si pranvera
 
ZOTI IM QUHET ATDHE! 
Që kur linda
U shpreha qartë
Edhe kur qajta
Si foshnjor
Me ulurima zëri
Kam thënë:
«Jam vetëm
Atdhetar i betuar!
nuk dua të jem
fetar i turbulluar!»
Zoti im
Quhet atdhe!
Tejkalon
Çdo religjion
Çdo ideologji
Pse këndojnë
Për hasmëri!
Në çdo familje
Në çdo shtëpi?
Besimi në atdhe
Është besimi në zot!
Si e vetmja fole!
Është e qartë për ne!
Pa atdhe nuk kemi fe!
Zoti im
Quhet atdhe!
Është e vetmja
Dritë e lulëzuar
Pa atdhe
Mund ta puthësh
Secilën fe!
Jeta të shkon
Nën rrufe!…
Me rrëke…
Zoti im
Quhet atdhe!
Jam me fat
Në këtë fole
Zoti im
quhet atdhe
U tregua
shumë bujar
Që nga lindja
n’ditën e parë
Betimit tim
I vajti mbarë!
Luftë e shpallur!
Lajmi ka ardhur
I konfirmuar!
Se zoti im
quhet Atdhe!
 
FJALA 
Fjala e menduar
Fjala e dhënë
Fjala e mbajtur
është zemra
e çdo besimi
është çelsi
i çdo suksesi
Fjala në shoqëri
është si flori
me fuqi
Ajo lind burrëri
Lidh dashuri
Frynë shpirt lirie
për çdo njeri
S’pyet për moshë as pasuri
As për grada e hierarki
Fjala është pasqyrë
e sjelljes, e dëshirës
Amanet i shpirtit
gur i ndershmërisë
Mjer ai që quhet faqezi
sepse fjala e tij s’pati burrëri

BIOGRAFISafet Sadiku ka lindur më 1 nëntor të vitit 1964 në Mitrovicë. Më 1988 ka mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës, drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe”. Është marrë me krijimtari letrare qysh herët kur ishte nxënës i shkollës fillore. Në kohën e studimeve ka botuar shkrime dhe poezi në gazetën e studentëve Bota e re”, Rilindja”, ”Pioneri” etj. Në luftën e Kosovës në prill 1999, paramilitarët dhe ushtria fashiste e Serbisë ia dogjën tërë shtëpinë. Nuk ka shpëtuar pa u djegur edhe tërë bibloteka bashkë me shkrimet e botuara dhe dorëshkrimet letrare, fotografi dhe shumë kujtime të së kaluarës fëmijërore. Botimet: Safet Sadiku ka qenë botues i revistës kulturore „Qëndresa“ në vitet 91-90, njëherazi kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës, e cila botohej në kuadër të Shoqatës Kulturore Fan S. Noli” në Kopër të Sllovenisë. Po ashtu z. Safet Sadiku, është edhe redaktor i librit historik, (enciklopedisë kushtuar Bylisit), Hekali në Histori” (745 faqe, e botuar në Vlorë më 2015) i autorit Hajdar Sulaj. Ndërkaq, në vitin 2021 ka përkthyer nga sllovenishtja në shqip, vëllimin poetik me titull Zemra në mur” të autorit të njohur slloven nga Ljubjana Sreč ko Čoz, i botuar në Tiranë. Safet Sadiku ka botuar vëllimin me poezi: Shekulli i pafund” në Prishtinë në vitin 2022. Vëllimin tjetër me poezi: ”Frymëmarrja e lirisë”(në shqip-rumanisht), të cilin e botoi Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë”, Bukuresht 2022. Librin me poezi: Zërat e krenarisë” dhe studimin kushtuar lindjes së njësiteve të para të UÇK-së: Frymëzuesi i lirisë”, të botuara në Prishtinë në vitin 2023. Në janar 2025 ka botuar edhe vëllim poetik: Thyerjet e menduara”, dhe botimin me publicistikë artistike: ”Proceset Politike pa Identitet Shtetëror”, Prishtinë 2025. 
Pas këtij  botimi autori konfirmon se shumë shpejt do ta botojë edhe romanin: „Diplomaci e shterruar“ dhe vëllimin me poezi: „Në domare e Arbërisë“. Safet Sadiku nga fillim prilli i vitit 1994 jeton në Zvicër. Merret aktivisht edhe me krijimtari letrare dhe publicistikë. Është bashkëthemelues dhe bashkë-drejtues i Institutit Studimor ”Platforma për Referendum Kombëtar” me seli në Tiranë
Përgatiti për botim Angela Kosta