NJË ZË I PJEKUR POETIK SHUMËNGJYRËSH
(“Dua t’i puthë dashuritë”- poezi, Valbona Ahmeti, LENA, Prishtinë 2024)
Shkruan Maxhun Osmanaj
Emrin e poetes, Valbona Ahmeti, e kemi hasur në shtypin e kohës, në këtë çerek shekulli; në revista, gazeta dhe në rrjetet sociale në zhanrin e poezisë. Nga disa poezi që ia kam lexuar në “Fb”, kam hetuar disa tipare, cilësi dhe veçori të artit të saj poetik; pjekuria në ide, ngjyra e shpirtit poetik, rrëfimi dhe mesazhi që përcjell, e bë një poezi të lexuar dhe një komunikim të çiltër, e pranuar për lexuesin. Ajo thur poezinë pa zor, pa siklet, me një shpërthim qoftë të çastit, qoftë të një përpunueseje në laboratorin krijues. Frutin e saj e pjek me kohë dhe me shije estetike, pra nuk i zhgënjen lexuesit. Këto ditë, më ra në dorë, dhuratë, libri më i ri i saj “Dua t’i puthë dashuritë”, që kur mbarova se lexuari, sikur më “detyroi” mendja t’i them ca mbresa leximi. Edhe në rastin e leximit të veprave të autorëve, qoftë të rinj apo të pjekur, të stërvitur me botime letrare, rrjedh pyetja për ndonjë mbresë leximi, pse të shkruhet diçka apo mos të shkruhet fare, por leximi të kalojë në heshtje! Mendoj që është një kulturë dhe frymë e shëndoshë, pasi të lexohet vepra e mikut, mundësisht të thuhet diçka, por pa glorifikime, pa hiperbolizime në vlerësim, por me një modesti të hetohen disa veçori apo ndonjë vërejtje a këshillë qëllimmirë t’i thuhet autorit.
Libri në fjalë, nuk më zhgënjeu për brumin poetik që bart, në temat dhe idetë, ngase secili autor ka shpirtin e veçantë të reflektimit dhe komunikimit poetik, dhe ashtu duhet pranuar. Ndërsa siç e shpreh, me ç’stil dhe ngjyra, varet prej fuqisë krijuese të autorit-autores. Shija pas leximit duhet ndarë edhe me lexuesit si reflektim. Nga biografia e saj, mësuam se Valbona nuk është gjuhëtare, por pedagoge e drejtimit fizikë-kimi, ndërsa sikur poezia e saj ka një alkimi në mes jetës, njerëzve dhe përditshmërisë duke shtegtuar nëpër shtigjet e kohës. Mësuam se kjo është vepra e tretë e radhës në poezi. Valbona nuk e ndal kroin poetik që i vlon brenda shpirtit, por ujit arën emocionale me ndjenja para botës që e rrethon me gjithë atë bukuri ngjyrash siç shpërndan nëna natyrë; me ngjyrat e mallit, dhimbjes dhe atdhe-dashurisë .Duke jetuar dhe vepruar që një çerek shekulli në mërgim, hetohet fryma e etjes së atdheut-vendlindjes, hetohet malli që gërryen shpirtin nëpër vite dhe kohë. Brumi poetik i këtij libri ndahet në pesë cikle: “Dashuri perëndie”, “Në ishullin e paanë”, “Tinguj metafore”, “Njerëzit e mirë”, “Dua t’i puthë dashuritë” me gjithsej 82 poezi.
Bota poetike e Valbonës manifestohet si rrëfim i brendshëm në vetën e parë, si meditim a gërshetim në formën e përshkrimit, si reflektim dhe reagim ndaj botës që e rrethon, ndaj fenomeneve, qoftë si përkushtime, qoftë si dashuri të heroit lirik dhe si dashuri personale apo universale për jetën,për njerëzit aty ku frymon jeta. Koha e luftës, kujtimet e trishta i kanë lënë gjurmë në kujtesë, nuk i ikën aq lehtë poetes pa shprehur gjuhën e dhimbjes ; “fotografitë në korniza/duket se flasin në gjuhën e dhimbjes/e loti i të mbijetuarve/plagë e freskët që duhet të shërohet” (poezia “Fotografitë flasin me gjuhën e dhimbjes), fq.25. Të gjitha ato fotografi të më të dashurve që i gëlltiti lufta, në çdo vend ku i takon poetja, lënë një gjurmë të thellë dhe lëndojnë shpirtin. Kjo poezi është vepër në vete. Në mesin e këtyre fotografive ka fëmijë, ka djem të rinj, ka vajza, “që mbyllën sytë para trishtimit”. Një poezi tjetër që mund ta lexojmë, si rrëfim dhe përkushtim është poezia “Legjendë”, ku poetja ngre lart aktin sublim-heroik të Familjes Jashari, shkëlqimin krenar dhe rënien e Familjes Jashari që nga kryeplaku deri të kryekomandanti , që mbeti legjendë e legjendave; “emrin ia thonë Adem/tani jeton gjithmonë legjendë/asgjë më shumë nuk deshi në jetën e tij/vetëm ta shihte Dardaninë në liri” (fq.22).Fati i të pagjeturve i të dashurve tanë, është një plagë tjetër, një brengë tjetër. Për poeten, poezia është protestë, mallkim, dhe ngre lart dashninë dhe dhembjen dhe padrejtësinë që s’pajtohet, ngre pyetje pse ”ende nuk u gjetë dënim për krimin!/e vërteta nuk arrin dot të dëshifrohet”. Tani e një çerek shekulli, jo vetëm poetja por mbarë popullata, pyesim, kërkojmë shpjegim-përgjigje: ku janë më të dashurit tonë, cili është fati i tyre, ku i kanë varret, eshtrat...? Ende pa përgjigje, ende plaga e shpirtit kullon dhimbje!
Fryma e mallit-nostalgjisë, është reflektim i mërgimit që autorja tash e mbi dy dekada, punon, krijon dhe vepron në mërgim. Lirikat e autores i shquan tisi lirik, herë-herë epik, por mbi të gjitha i ngjyros tharmi i dashurisë universale për njerëzit dhe tharmi fisnik. Por lirshëm mund të themi se poezitë i ka veshur me një gjuhë metaforike si formë ligjërimi dhe komunikimi. Brenda shpirtit poetik të vargjeve gëlojnë tema edhe nga aspekti filozofik-atdhetar dhe ai i dashurisë, si dhe përditshmëria me peizazhin që na ofron. Në gjeografinë poetike hetojmë frymën atdhetare që nga lashtësia, në Dardani, kalon në Krujë, Vlorë, Prekaz, këto kryeqendra epike-legjendare dhe vjen deri të UÇK-ja e vetmja shpresë. Autorja “udhëton” me krenarinë e lavdisë së të parëve, të vendeve, të njerëzve, sikur këta njerëz, këto vende i japin frymë, rritje, i japin jetë në kujtime, dhe shpërthen si krua reflektimi shpirtëror ;” kur më kaplon malli/ia shpalos mëvetësisë ballin/kthej kujtimin në Krujë, në Vlorë/e në Prekazin legjendar” (poezia Shqipëri në katër pole”, fq.20.Pra, krenaria është busollë e mendjes-kujtesës. Në vazhdim, hetojmë tharmin e dashurisë ku me një shpirt të çiltërt-fisnik e shpreh. Autorja do t’i puthë të gjitha dashuritë që i japin energji jetës, bekim dhe lindje, ku shprehet ;
“Dua të zgjohem me lindjen e diellit/të përkëdhelem nga buzëqeshja e tij/mbi zallin e zhuritur të shëtis/e qetësia e detit shpirtin të ma flladitë” , (Dua t’i puthë dashuritë”, fq.81.
Ndër figurat letrare, autorja përdor metaforën, krahasimin, epitetin e ndonjë tjetër. Ndërsa metrika e vargut të saj shquhet si varg i lirë, pa rimë duke përdorë ndonjë strofë dy vargëshe, por edhe strofa katërvargëshe dhe strofa shumëvargëshe.
Autores i dëshirojmë suksese të reja dhe krijimtari të mbarë!