Ismail Ismaili - Rrëfimi për Bllacën (Pjesa -II-)

Ismail Ismaili - Rrëfimi për Bllacën (Pjesa -II-)
DERI NË ORËT E PASDITES KOLONA E SHQIPTARËVE TË NDJEKUR NUK PUSHOI
 
Të nesërmen vala e të dëbuarve nuk kishte të ndalur. Them me mija fëmijë, gra, burra ecnin në platformë mbi tunel, me kokë ulur dhe të humbur ne ethet e frikës. Nuk e dinin se për ku shkonin dhe përse ishin dëbuar sikur delet. Deri në orët e pasdites kolona e shqiptarëve të ndjekur nuk pushoi. Në banesën e vogël timen, ishin strehuar 30 persona. Ditën e klonim duke pritur e natën sikur nuk mund ta dallonim nga dita që tretej. Vetëm një çështje na zgjonte nga kjo amulli pritjeje dhe frike. Gjithnjë, në orën 20 të mbrëmjes dilnim në ballkon për të vërejtur se ku po qëllonin bombat e NATO-s. Si për habi, në mbrëmjen e të enjtes (1 prill) mbeta vetëm në ballkon dhe shikoja andej nga vinin shpërthimet. Papritmas një dritë e vogël e kuqe, më kaloi nga koka nëpër gjoks. Snajperi që nuk e dija se ku ishte i vendosur, si duket donte të merrte pjesë edhe ai në lojën e vrasjeve të shqiptarëve të pa mbrojtur.        

Në mëngjesin e së premtes,  në ora 8, sa filluam të pastrohemi dëgjuam goditje në dyert e banesave, dhe thirrjet e të ndyrëve : I keni dhjetë minuta të dilni nga këtu - “Imate deset minuta da izađete odavde” Të dërmuar nga pagjumësia dhe tmerri, morëm pak rroba për fëmijë dhe për vete dhe dolëm pa thënë asnjë fjalë. Ishte 2 prilli. U nisëm ngadalë sikur të kishim pranga në këmbët tona. Para se të futeshim në tunelin ku ishin të radhitura dyqanet e ndryshme, hodha një sy në tunelin e dytë ku qarkullonin automjetet dhe pash se i tëri ishte i mbushur me tanke dhe autoblinda. Tmerri, dhe dhimbjet bashkë na përshkuan trupin kur pamë dyqanet e demoluar dhe të plaçkitur nga paramilitarët, por edhe nga banorët serbë. E lamë prapa tunelin dhe u drejtuam për në stacion të trenit, sepse u përhap informacioni që ishin përgatitur trenat për të bartur shqiptarët në drejtim të Shkupit.
 Në ora 8.30 mbërritëm në stacion. Më dukej se e tërë Kosova kishte zbarkuar aty. Nuk mund të përmend shifra, por toka ishte e mbuluar me njerëz që pritnin të ngarkoheshin në atë trenin e zi (po them i zi se më dukej ashtu) me dhimbje dhe lot. Kishte familje të ndara në dysh për shkak të dhunës policore që i kishte detyruar të merrnin rrugë të ndryshme. Askush nuk fliste vetëm se më dukej që të gjithë e kishin në kokë pyetjen : Kah po na çojnë këta katilë?
Në ora 9.00 u futem në tren sikur dhentë në vathë. U ulëm në kupe të trenit me dhjetëra, dhe më qindra të tjerë mbeten në korridorin e trenit.
Një kontrollor me ca mustaqe si gjemba iriqi, filloi të thërriste, “platite jer niko vas ne vozi gjabe”. Filluan shqiptarët e shkretë të zbrazin xhepat nga dinarët që dreqit gjë nuk i vyenin. I mbushi grushtet ai, pasi që xhepat tashmë i kishte plotë. Pritëm aty diku rreth dhjetë minuta që mu duken sikur dhjetë vjet. Fishkëllima e treni u dëgjua dhe një gjëmim që bënte me dije se do të treteshim diku, pa e ditur fare se ku. Marshonte treni ngadalë sikur t’i kishte rrotat e gozhduara dhe me shumë vështirësi mbërritëm në Fushë Kosovë. Para se te futej treni në stacion, disa nga ne përpiqeshim të vërenim se çfarë drejtimi po merr. Frikoheshim se do të na dërgonin për Serbi e atje do të shkonim sikur “cjapi te kasapi”. Por, jo treni mori drejtimin e Shkupit dhe në stacion u ndal. Në platformën e stacionit shëtitnin paramilitarët me flokë të gjatë dhe mjekra të parruara prej kohësh. Filluam të dridheshim. Një prej tyre u afrua te dritarja e kupesë dhe bënte me dorë që ta hapnim dritaren. Po si ta hapnim se nëpër kokë vlonte mendimi se do të hidhte brenda ndonjë lotsjellës apo çfarë ishte edhe më keq, ndonjë bombë. E hapa dritaren me druajtje, ndërsa ai tha : Shiko në korridorin tuja dikush e ka tërhequr frenën, lëshoje në vendin e tij që treni të niset normalisht - “pogledaj na vaš hodnik neko je povukao kočnicu, spusti je da voz krene normalno“.
Eh, thash po kjo qenka puna më e vogël që mund ta bëja. Dola në korridor dhe një i humbur nga frika apo nga injoranca e kishte tërhequr frenin. E lëshova në vendin e zakonshëm dhe treni filloi të lëvizat lehtësisht dhe më shpejt.
I përshkuam fushat e rrafshta të Kosovës që nuk më dukeshin se kishin formën e zakonshme, por disi më të errëta, më të paformë. Me vete thashë e moj Kosovë e dashur athua do të takohemi më së bashku?...
 
Vazhdim nga Pjesa -I-        Rrëfimi vazhdon...