Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
BLLACA 1999, FUSHA E VAJTIMIT
Qerim Lita
Pas masakrës së kryer më 15 janar 1999 nga forcat pushtuese ushtarako – policore serbe në Reçak të Shtimes, situata e sigurisë në Kosovë në përgjithësi, e në rrethet e Shtimes, Lipjanit, Ferizajt, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit në veçanti mori një përshkallëzim të skajshëm. Në çdo udhëkryq të këtyre qyteteve ishin instaluar forca të shumta speciale të policisë dhe të ushtrisë serbe.
Njësi të shumta të forcave speciale ushtarake ishin vendosur edhe në kazermën ushtarake të Hanit të Elezit në afërsi të shkollës fillore. Në këtë pjesë të Kosovës, thuajse të gjitha dyqanet ishin të mbyllura, në përjashtim të atyre ku pati qarkullim më të madh të qytetareve.
Në mungesë të mediumeve të pavarura në gjuhën shqipe në Kosovë, mediumet në gjuhën shqipe në Maqedoni, në radhë të parë dy gazetat e përditshme “Fakti” dhe “Flaka”, thuajse 50 për qind të faqeve të tyre i kishin rezervuar për ngjarjet dhe zhvillimet e përditshme në Kosovë, si dhe për përpjekjet e faktorit ndërkombëtar, në radhë të parë të SHBA-së, NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, për ndërprerjen e dhunës dhe terrorit ushtarako-policor serb ndaj popullsisë civile shqiptare dhe në gjetjen e një “zgjidhjeje të mundshme paqësore” të statusit të ardhshëm të Kosovës.
Tre ditë pas kësaj masakre çnjerëzore serbo-çetnike, e përditshmja në gjuhën shqipe “Flaka”, njoftonte se, dyshimi i arsyeshëm, se pas sulmit të forcave policore-ushtarake serbe të premten në mëngjez mbi fshatin Reçak të komunës së Shtimes “ka ndodhur një masakrim i paparë i popullatës civile, dje u treguan si të vërteta”.
Në numrin e njëjtë, gazeta, botoi editorialin e gazetarit, A. Sinani, me titull “Ku shpijnë kanosjet shterpe të faktorit ndërkombëtar?!”, i cili me të drejtë shtronte pyetjen se “edhe çka duhet të ndodhë në Kosovë, edhe sa njerëz duhet të vriten e t'i lënë vatrat e tyre, që të plotësohet 'kushti' për të intervenuar ushtarakisht bashkësia ndërkombëtare kundër regjimit kriminel të Millosheviqit...”.
Në numrat në vijim, gazeta përcillte reagimet dhe deklaratat e shumta të faktorit politik të atëhershëm brenda hapësirës shqiptare, të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të Këshillit të NATO-s dhe të sekretarit të përgjithshëm të asaj organizate politikeushtarake, Havier Sollana, të Komisarit të Lartë për të drejtat e njeriut pranë OKB-së, Meri Robinson, të organizatave të shumta humanitare ndërkombëtare etj....