Mirlinda Latifi - Cikël poezish (Përgatiti Abdullah Troshupa)

Mirlinda Latifi - Cikël poezish (Përgatiti Abdullah Troshupa)
MIRLINDA LATIFI
 
    Mirlinda Latifi u lind më 26 gusht 1980  në fshatin Bujari të Lipjanit. Ka mbaruar shkollën e mesme për ekonomi dhe administratë. Pas një periudhe, i është kthyer përsëri shkollimit, ka studiuar Komunikim masiv (gazetari).
    Me shkrime ka filluar të merret që nga shkolla fillore, kryesisht me poezi, ndërsa më vonë ka shprehur interesimet e saj edhe me tema filozofiko-psikologjike, të cilat i publikon herë pas herë edhe në portale të shumta elektronike. Krijimtaria e saj poetike është publikuar, përveç në revista letrare e rrjete elektronike sociale, edhe në botime të përbashkëta, si në “Ditët e Lidhjes” “Ora e Pavarësisë”, “Gjurmë në kohë” "Vjeshta dhe Vargjet" Botime të poezive në disa numra në revistën   "Zog Mëngjesi"  në revistën ‘’Orfeu’’ në gazetat Nacional" etj. Për krijimtarinë poetike është nderuar me Mirënjohje e çmime letrare.
Për lexuesin ka sjell librin me lirika “Tingujt e zemrës”, i cili për një kohë relativisht të shkurtër gëzoi botimin e dytë. “Muzës i vjen ora” është libri i dytë.
      Autorja jeton dhe vepron në Fushë - Kosovë. 
 
MISTERET E DRITËS
 
Iu kërkova gjetheve t'më pëshpërisnin emrin tim,
Nga pemët desha të shtrijnë shumë hije gjithandej,
Diellin e përgjërova për më shumë rreze drite,
Nga qielli prisja pak shi pranvere dhe një ylber, me padurim,
Pahetueshëm të vallëzoja mistereve të dritës
Në valsin e shpresave për ditë më të mirë.
 
Gjatë meditova në pritje të një drite hyjnore
Që të vrapoja si lozonjare nëpër bjeshkë,
Apo të tulatesha si shpend i hutuar
Me flatrimin lart në qiell, kur bie ndeshë.
 
Dallgëve të detit u sugjerova që të fshihen
Mes shkëmbinjve në pafundësi,
Luta pulëbardhat në fluturim t’më dhurojnë pak puhi,
Kaltërsive mëngjesore të thur një varg të ri!
 
Fjalët i vendosa në një letër - pergamenë
Që koha pastaj mos t'më lë në harresë,
Kurdo që lexoj këto vargje të përndritura
Mbushur me drithërima jete,
Që më rikthejnë në kujtesë.
 
Ah, sikur të isha hënë e të lozja me yjet
Pahetueshëm të vallëzoja mistereve të dritës,
Shpirtin e muzës ta ngopja me frymëzim,
Me ashkun e mallit do të thurja vargje
Për Ty, dhe për shpirtin tim
 
PESHA E FJALËS
 
Pesha e fjalës është e madhe sa shkëmbi,
Ajo ndërton dhe rrënon gjithçka në shpirtin tonë
Fjala e urtë frymëzon për ndryshime të mëdha,
Ndërsa fjalë e keqe thyen shpirtin,
Ndodh që fjala shkakton dhimbje çdo kund.
 
Është fuqi e jashtëzakonshme fjala,
Ajo krijon lidhje të forta mes njerëzve,
Mund të zgjidh nyje besimesh
Dhe të vret shumë zemra.
 
Kujdes të përhershëm për atë që e thotë goja,
Fjalët mund të lëndojnë lehtë shpirtin e tjetrit,
Me një fjalë goje mund të dalim nga loja,
Dhe zemrës ia lëkundim pikën e vrerit.
 
T`i peshojmë fjalët me dashuri njerëzore,
Të ndërgjegjshëm për fuqinë që ato kanë në jetë.
Pesha e fjalës është e rëndë sa një oqean
Shemb kështjella miqësish dhe lidh miqësi të vërtetë.
 
BALADË HESHTJESH
 
Baladë heshtjesh, një melodi
E paqëndrueshme në shpirt,
Fjalët zhduken, vetëm heshtja na shoqëron.
Nëpër rrugë të largëta
Zërat zbehen e treten në errësirë,
Heshtja bëhet frymëzim si një tufë yje në qiell.
 
Heshtja flet me gjuhën e saj të fshehur,
Shpreh emocione e mendime,
në mënyrë të përkohshme.
Në baladën e heshtjes
Zemra dëgjon me kujdes,
Mendja shpalos bukurinë e një ndjenje thellë
Në shpirt të fshehur!
 
Në heshtje, fjalët marrin formë të re,
Shumë imagjinata thellë në kokë  krijohen
Në harkun e një frymëzimi
Baladë heshtje, një udhëtim në thellësitë e mendjes,
Ku zëri i heshtjes merr formë
Dhe bëhet mrekulli e vërtetë.

Përgatiti: Abdullah Troshupa