Irma Kurti, intervistë me poetin amerikan Stanley H. Barkan

Irma Kurti, intervistë me poetin amerikan Stanley H. Barkan
IRMA KURTI, INTERVISTË ME POETIN AMERIKAN STANLEY H. BARKAN
 
Stanley H. Barkan ka lindur më 1936 në Brooklyn, Nju Jork. Ai është poet, përkthyes, redaktor dhe botues. U rrit në Nju Jorkun Lindor midis shumë njerëzve që ikën nga Evropa e pushtuar nga nazistët. Barkan mbeti i mahnitur nga gjuhët që flisnin dhe historitë që tregonin se si dhe pse u larguan nga Evropa. Ky interes për të njohur gjuhë të tjera formoi bazën e jetës dhe të punës së tij si koordinator midis kulturave, duke u përpjekur me zell të mësonte gjuhë të tjera. Gjatë 27 viteve si mësues në sistemin e shkollave të mesme të Nju Jorkut, ai u njoh me poezinë e poetëve të gjuhëve të tjera si dhe me veprat e përkthyesve të mëdhenj, si Gregory Rabassa, me të cilin krijoi një miqësi të ngushtë. Si botues, ai ka botuar një numër të konsiderueshën poetësh të gjuhëve të tjera - vepra në 59 gjuhë të ndryshme. Poezia e Stanley H. Barkan është botuar në 23 edicione, në 28 gjuhë të ndryshme, duke përfshirë edhe botime dygjuhëshe (bullgarisht, kinezisht, italisht, polonisht, rumanisht, rusisht dhe spanjisht).

-Poet, përkthyes, redaktor dhe botues. Ku e gjeni më shumë veten veten?
-Poet.
 
-Si lindi interesimi juaj për gjuhët e tjera?
-Unë u rrita në Nju Jorkun Lindor, Brooklyn, midis miqsh që ishin arratisur nga Evropa e pushtuar nga nazistët. Ata të gjithë flisnin gjuhë të ndryshme - gjermanisht, polonisht, rusisht. Isha shumë kurioz se çfarë u thoshin prindërve dhe motrave të tyre.
 
-Deri më tani keni botuar poetë në 70 gjuhë të ndryshme. A është ky një pasion apo një sfidë?
-Është padyshim edhe pasion edhe sfidë.
 
-Me cilin libër ndiheni më shumë i lidhur?
-Me përmbledhjet me poezi të Dylan Thomas.
 
-Çfarë kanë të përbashkët poetët?
-Ashtu si Gabriel Preil, dëshirën Për T'u Kujtuar (titulli i librit të tij që unë kam botuar).
 
-Poezia duket se është harruar në shoqërinë e sotme. A është e vërtetë?
-Jo, ajo ka marrë vetëm forma të reja - kryesisht në një shumëllojshmëri këngësh.
 
-Shumë poetë e kanë të vështirë të publikojnë librat e tyre. Cili është mendimi juaj si botues për këtë?
-Tregu i poezisë është mjaft i kufizuar. Poetët duhet të kënaqen me shtypjen e kopjeve të librit sipas nevojës. Nëse qëllimi i tyre është që të sigurojnë jetesën me të shkruarin, ata kanë zgjedhur profesionin e gabuar. Shumica e poetëve e sigurojnë jetesën si mësues dhe nga leximet me pagesë të lartë në kolegje. Ka kaluar epoka kur Aleksandër Papa paguhej me një ekuivalent prej 25,000 dollarësh vetëm për një kuplet heroik.
 
-A mendoni se poezia është një mjet i fuqishëm për t’i bashkuar njerëzit dhe për të promovuar paqen në botë?
-Mendoj se poezia mund t'i bashkojë ose t'i ndajë njerëzit për paqe ose luftë. Kjo varet nga qëllimi i poetit dhe fuqia e krijimtarisë të tij. Personalisht, mendoj se një poet duhet të shmangë të qenurit propagandues. Nëse ai duhet të shprehë diçka sot, kjo duhet të rezultojë në një publik që preket emocionalisht ose të këndojë apo ta ketë mendjen e ndriçuar.
 
Intervistoi: IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
Itali