“POEZIA PA KUFIJ”, shqipëroi Irma Kurti

“POEZIA PA KUFIJ”, shqipëroi Irma Kurti
“POEZIA PA KUFIJ”, shqipëroi Irma Kurti
 
 
“Poetry without borders” (Poezia pa Kufij) është një projekt i Fondacionit Kulturor Ithaca në Spanjë që synon ta bëjë poezinë universale. Çdo dy javë botohet një poezi nga poetë botërorë në faqen e Shtëpisë Botuese belge Point Editions në 35 gjuhë të botës si dhe në gazeta, revista të ndryshme e faqe interneti letrare  të shoqëruara nga një ilustrim.
Projekti drejtohet nga poeti, përkthyesi dhe botuesi i njohur i poezisë moderne ndërkombëtare Germain Droogenbroodt. Siç shprehet ai vetë: “Ideja e Poezisë pa kufij është t’u ofrojë lexuesve pa pagesë dhe pa publicitet tregtar një poezi të shkurtër cilësore: një copëz bukurie. Qëllimi ynë është që poezia t’u përkasë sa më shumë njerëzve të çfarëdo race, kulture apo feje.”
Përkthyese nga anglishtja në gjuhën shqipe pranë Fondacionit Kulturor spanjoll është poetja dhe shkrimtarja me banim në Itali, Irma Kurti.
......................................................
 
FJALËT
 
Në fund gjithçka dukej
që ishte e tepërt,
tekat, shqetësimet,
fjalët tona të përditshme
që shtjelloheshin mes
katër qosheve të çdo çështjeje statutore
 
në fund gjithçka ishte
aq e parashikueshme si shpalosja
e një drame të përgatitur mirë
sa fjalët tona u bënë të heshtura
një shkretëtirë e lodhur
pas ditës më të gjatë të vitit
 
në fund çdo gjë na shtyu
deri në skaj të fjalëve,
që shkëmbyem mes debateve,
planeve sekrete,
gënjeshtrave tona përgjatë historisë
së luftës dhe paqes në një kohë pa limit.
 
NILAVRONILL SHOOVRO, Indi
......................................................
 
PA PËRGJIGJE
 
Krahët e saj shtrihen në ajër
sikur dëshiron të përqafojë qiellin
një nënë Afgane për fëmijën e vet
po lyp ushqim.
 
Por lutjet e saj
nuk prekin as njeriun
dhe as Perëndinë.
 
KOPSHTI I EDENIT
 
Parajsa
s’ka humbur kurrsesi
nëpër shekuj
vazhdon të ekzistojë,
por jo për të gjithë.
 
Germain Droogenbroodt, Spanjë
......................................................
 
SI DO TË JETË TË T’KËRKOJ NË DISTANCË?
 
Si do të jetë të t’kërkoj në distancë?
- Eunice Odio
 
Si do të jetë të t’kërkoj në distancë,
dashuri, dashuri që më solle pranë një peme,
në fluturimin e një fluture,
pranë forcës, pranë jetës,
dhe që më rrëzove,
pas gëzimit, në krahët e trishtimit?
 
Si do të jetë të t’kërkoj në distancë,
mes plumbash që më fishkëllejnë pas shpine,
mes zhurmës së luftës dhe lotëve?
 
Si do të jetë, i dashur, të t’kërkoj ndërkohë
në korridoret e gjata të ditëve, e prakrehur,
e zbathur, me këtë dashuri, dashuri
që rrotullohet tek unë si një det në akuarium?
 
 
Si do të jetë të t’kërkoj në distancë, në mungesë,
e zhytur në vetmi, në këtë zbrazëti që gëzon ligësisht
pasigurinë time prej gruaje të braktisur?
 
GIOCONDA BELLI, Nikaragua
......................................................
 
TESTAMENT
 
Kur të vdes, varrosmë
në një varr
në mes të stepës së gjerë
në Ukrainën time të shtrenjtë
Kështu do të mundem t’i shoh fushat pafund
Dnipron dhe shkëmbinjtë
─ e do të dëgjoj
se si ai ulërin!
Kur të sjellë gjakun e armiqve
nga Ukraina në detin blu
atëherë unë do të ngrihem nga fusha
do të lë gjithçka këtu dhe do të arrij
Zotin vetë
që të mund të lutem... por më parë se kjo
unë nuk njoh asnjë Zot
Varrosu dhe ngrihu
thyeji zinxhirët
lirinë tënde vadit
me gjakun e armiqve të zemëruar
Dhe mos harro për shpirtin tim të pish
kujtomë tek them një fjalë të qetë, të mirë
në familjen e madhe,
në familjen e re dhe të lirë.
 
TARAS SHEVCHENKO, Ukrainë (1814 -1861)