PËRURIM I LIBRIT “NËPËR BREZA ME IDEALIN E LIRISË” KLINË

PËRURIM I LIBRIT “NËPËR BREZA ME IDEALIN E LIRISË” KLINË
PËRURIM I LIBRIT “NËPËR BREZA ME IDEALIN E LIRISË”
 
Në Klinë, më 3 gusht 2022, në sallën e Qendrës së Kulturës "Jehona e Dukagjinit", u promovua libri “NËPËR BREZA ME DIEALIN E LIRISË” të autorëve Shefqet Kryeziu e Rovena Shuteriqi, në shenjë përkujtimi për të parët e Shefqet Kryeziut e familjes së gjerë Kyreziu: që nga Januz Islami, Sylë Islami, Hazir Selmani (dëshmor), Sokol dhe Ajet (Galan) Kryeziu e deri te Halit Kryeziu Skender Selmani etj... Që të gjithë këta të një trungu familjar.
 
Libri i autorëve Shefqet Kryeziu dhe Rovena Shuteriqi me titullin “Nëpër breza me idealin e lirisë “ dëshmon një të vërtetë që e lind dhe e shkruan vetë jeta: përmasën epike dhe dramatike të saj. Është jeta e rrëfyer në disa forma e vetë autorit Shefqet Kryeziu nga njëra anë, si dhe përmasa e kujtesës dhe ajo e dëshmisë së familjes së Kryezinjve të Bubavecit (Malishevë), nga ana tjetër.
Kësaj radhe, autorët marrin përpjekjen për ta angazhuar jo vetëm shpalosjen e një jete, por shpalosjen e kohëve dramatike që i jetuam dhe përjetuam. Kjo shpalosje jepet në disa pamje: si rrëfim jetësor në veten e tretë e herë-herë edhe në veten e parë, nga njëra anë, e që e përbën faqen autobiografik të kësaj pamjeje; si dhe të shpalimit të kujtesës, të dëshmive e të këndvështrimeve të të tjerëve për prejardhjen e familjes, për jetën familjare e për vetë protagonistin e librit.
Libri ndahet në gjashtë pjesë: I. Prejardhja, trungu familjar, II. Shefqet Kryeziu, rrëfime nga përjetësia e atdheut, III. Demonstratat e para në Kosovë, IV. Arratisja, rrëfime nëpër amësinë e lirisë, V. Golgota e Familjes Kryeziu, Rrugëtime lirie nëpër vorbulla jete, VI. Pjesëmarrja e Shefqetit në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe në ndihmë të luftës në Kosovë.
Është libër me vlerë, që e zbulon thelbin e veprimeve dhe të fateve njerëzore e të fatit tonë nacional. Të duket sikur te secili rresht është fati i një kombi. Është libër frymëzues, sepse jetëshkrimi i autorit Shefqet Kryeziu na dëshmon se si njeriu, kur përpiqet të angazhohet për një qëllim madhor në jetë, siç është liria e Kosovës, atëherë ai nuk ndalet para asnjë vështirësie. Të tillë ishin ata të rinj të përndjekur gjatë vutëve ’80, që mësynë Shqipërinë e asaj kohe, jo thjesht për t’u strehuar, por që të bëjnë diçka të rëndësishme edhe për Kosovën.
Protagonistin e këtij vëllimi e shohim aty ku ai mund ta japë kontributin e tij: prej veprimtarit e njeriut të ilegales së dikurshme e deri te jeta e angazhimi politik në Shqipëri e te ndihmat organizative për UÇK-në, prej jetës së gjimnazistit atdhetar në Kosovë e deri te jeta studentore e ajo arsimore në Shqipëri.
Libri ka edhe meritën tjetër: që i vë në komunikim të përbashkët Kosovën me Shqipërinë në ato kohë me aq shumë ndalesa, aty komunikojnë jeta dhe vepra e protagonistit, e kaluara e brezave (gjenealogjia e familjes) dhe historikja, tradita dhe koha jonë, tradicionalja dhe modernja, e kaluara dhe vizionet për një të ardhme më të mirë, idealet dhe perspektivat historike.
Autorët arrijnë që të spikatin rrëfime sintetike të thukëta e kuptimplote, paraqitje rrethanash historike, politike e shoqërore e deri te ato familjare, që e kanë kushtëzuar jetën e tij, që kanë lënë gjurmë te ai apo që lidhen me breza e me një komb të tërë.
Prend Buzhala