Nilavronill Shoovro - poezi (shqipëroi Irma Kurti)

Nilavronill Shoovro - poezi (shqipëroi Irma Kurti)
 
Poeti indian, i cili shkruan me pseudonimin NilavroNill Shoovro është themeluesi, redaktori dhe botuesi i revistës mujore në internet Our Poetry Archive (Arkivi ynë i Poezisë). Poezitë e tij janë përkthyer gjerësisht në shumë gjuhë evropiane. Ai është gjithashtu eseist dhe shkruan artikuj mbi çështjet sociale, aktualitetin dhe letërsinë.
 
200 DITË GJENOCID
 
Nuk ka më lot për të derdhur
Nuk ka shpresë për të ndërtuar
Asnjë ëndërr për të mbajtur
Nuk ka turp për t'u fshehur
200 ditë Gjenocid
 
Të destinuar për t'u vrarë
Të destinuar për të vuajtur
Të destinuar për t'u bombarduar
Të destinuar për të mos qenë krenarë!
200 ditë Gjenocid!
 
Askush për t’u besuar
Askush për t'u mbështetur
Askënd për të pritur
Askënd për të gjetur pranë vetes
200 ditë Gjenocid!
 
Të destinuar për t'u sulmuar
Të destinuar për t'u pushtuar
Të destinuar për t'u shtypur
Të destinuar për t’u dëbuar
200 ditë Gjenocid!
 
E PASHMANGSHME
 
Një moment i shkurtër hezitimi!
I një mendjeje të pushtuar
Plot dyshime dhe mosbesim
 
Ai i vëzhgoi të gjitha këto, me
Një buzëqeshje të zbehtë si
Rrezet e para që shkëlqejnë vetëm
 
Një moment i shkurtër hezitimi!
I përvojave të gjata, përreth
Kujtimeve të humbura dhe kohëve moderne
 
Ai i dinte të gjitha këto që më parë
Ashtu si shkrimtari që luan me
Personazhet dhe fatet e tyre
 
Një moment i shkurtër hezitimi!
I gabimeve njerëzore, mëkateve njerëzore
Epsheve dhe tundimeve pa limit
 
Ai e vëzhgoi njerëzimin kaq gjatë!
Ai nuk kishte as shpresë dhe as dëshpërim
Ai nuk kishte as dhimbje as pikëllim
 
Një moment i shkurtër hezitimi!
I egos sime, i arrogancës sime
I krenarisë time, i paragjykimit tim
 
Ai e dinte, Ai dështoi pa masë
Ai e dinte, instinktet e Tij nuk funksiononin
Ai e dinte, gjithçka ishte e pashmangshme!
 
NJË HAP LART
 
Një hap lart, dy hapa poshtë
Tre hapa përpara, pastaj
Katër hapa mbrapa,
 
Kthimi në pikën e fillimit, dhe sërish
Nisja nga e para
Hap pas hapi duke shtyrë përpara
 
Mozaiku hyjnor, përtej
Çdo kuptimi, logjike ish
Edhe Ai Vetë ndihej në kurth
E dinte këtë dhe heshtte përsëri...
 
AI ISHTE LODHUR NGA VETMIA
 
Ai ishte lodhur nga vetmia
Ashtu si atomi prehistorik
I vetëm në boshllëkun pa limit
 
Më kot priste dikë
Dikë si Ai, i vëmendshëm
Që do të rritej mes disfatave personale të jetës
 
Për të ndarë dhimbjet dhe vuajtjet e Tij
Etikën nga logjika për ta dalluar
Për të gjetur arsyen e së vërtetës
Duke u mbajtur dorë për dore si të dashuruarit.
 
Përktheu nga anglishtja: Irma Kurti