Kazimierz Burnat - Biografi dhe cikël poetik

Kazimierz Burnat - Biografi dhe cikël poetik
Kazimierz Burnat (Shqipëroi: Irma Kurti)
 
KAZIMIERZ BURNAT lindi në fshatin Szczepanowice, që ndodhet mbi lumin Dunajec. Ai u diplomua në Universitetin Wroclaw dhe në Fakultetin e Ekonomisë në Wroclaw.
Poet polak, eseist, përkthyes i letërsisë sllave, gazetar, kritik letrar, animator kulturor. Autor i 23 librave me poezi, përfshirë 6 ribotime dhe 7 përkthime nga çekishtja dhe gjuha ukraine, dhe mbi 60 librave me autorë të tjerë me përkthime veprash nga këto gjuhë, si dhe nga bjellorusishtja, rusishtja, sllovenishtja dhe hungarishtja. Ai ka redaktuar dhe ka shkruar pasthënie apo hyrje për mbi 90 libra. Bashkautor i rreth 400 antologjive dhe monografive, Kazimierz Burnat është përkthyer në 47 gjuhë të huaja. Organizator i seminareve mbi letërsinë, anëtar jurie në konkurse të ndryshme letrare. Organizator apo bashkëorganizator dhe pjesëmarrës aktiv i festivaleve dhe takimeve të shumta letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej shumë vitesh organizon Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë "Poetë pa Kufij" në Polanica-Zdrój. Iniciator dhe organizator i bashkëpunimit kulturor me Unionin Kombëtar të Shkrimtarëve të Ukrainës, ai është vlerësuar me disa çmime letrare për përkthimin dhe popullarizimin e letërsisë ukrainase jashtë vendit, si dhe për krijimtarinë letrare dhe kontributin e rëndësishëm në ringjalljen e spiritualitetit dhe kulturës së kombit ukrainas.
 
VJESHTORE
 
Mërmërima e lodhjes
shoqëron valëzimin e një shatërvani
kalendari shkurtohet gjithnjë e më shumë
uji ngrihet në mënyrë alternative
dhe zbret në një vërshim vitesh
ashtu si gjethet
nga pemët e zhveshura
në çarjet pranë rrënjëve
të fiksuara me një fije garze
të rrjetës së një merimange
 
por krahët e blirit
ende dridhen në pjerrësinë
e ajrit
 
ndoshta nuk është kohë
ngrice
apo shkëlqim i tehut të një thike
 
muzgu vazhdon të ndriçojë
 
FRUTI
 
dikush do të donte të arrinte
të pinte lëngjet e tij
dhe në ëndrrat e vetmuara
të depërtonte në psikikë
 
vetëm nata e di
sesi lëndon përmbytja
e nektarit hyjnor
në një enë fizike
 
shumë e lartë
shija e tij –
e pakuptueshme krejtësisht
 
MENDJE TË GABUARA
 
Të dekurajuar nga pritja
për pasuri
ata braktisin shtirjen e lidhjeve
 
edhe pse frutat janë të papjekura
gati për t’u pjalmuar
lulet buzë rrugës
tashmë me papërsosmëri janë të ngarkuara
 
mosbesimi
i bën bartës të urrejtjes
banuese në burimet më të brendshme
 
dhe kështu
të strehuar në butësi të huaj
duke dëgjuar pulsin që flluskon
të zemrave që kullojnë
imazhin e mosplotësimit ata shijojnë
 
nga gulçimi
shpirtrat bëhen blu
 
thirrja finale e zgjimit
për një mësim kompromisi
 
* * *
 
baba,
nëna priste
prekjen tënde të fundit
ti s’mundeshe ta besoje
dhe çertifikata e vdekjes për ty
e pabesueshme ishte
 
sytë e tu që nuk shohin
dhe qepallat e mençura
zbulojnë ende gjithçka
që ka kuptim
ndonjëherë kulla pa simbole
piedestale pa kokë
 
lutja
është një gur i zemrës sime
shpengim shpirtrash
për ju të dy
 
kujtesa ime
është jeta
e ne të treve
 
Përktheu: Irma Kurti