Tahir Bezhani: dy poezi

Tahir Bezhani: dy poezi
NË VARRET E FSHATIT TIM...
 
Kur trazohet malli  dejve të zemrës
E  era fryn me aromë blini
Më kaplon papritur mallëngjimi
Ndalem ku pushon zemra e shpirti
Mbi varrin e nanës e të babës
Sytë  shpërlahen në pellg lotësh
Shoh portretin e babës  në kohë
Me buzëqeshjen e djegur  të syve
I shtangur qëndroj  n’ kujtime
Si i humburi  në mes dallgësh
Si t’i ndal kujtimet e çmendura
E lotin  që rrëshqet  në barin e tharë
Si pëshpërimë zëra nga nëntoka
Një vaj  si në kullë dikur
Kur nana tinëz qante
E digjej  nga malli në shkrumb
Për Zogajt të Malësisë zgavër shpirti
Ku kumbon trishtueshëm malli...
Në mermer  lulet e babës
Kris shpirti në ofshamë
Dëgjoj hapat e tij të ngadaltë
E  gishtat e dorës n ‘dru të fyellit
Kur formojnë melodi të rralla
Mbytur në vals dhimbje...
Sytë më janë ngrirë në kujtime
Në fytyra të banorëve të ikur
Dhimbjeve të përmotshme
Rri në heshtje , guri n ‘errësirë
Në vetminë e ngujuar  buzët flasin
Me portretin e tij ballë meje
Ai ngrihet një çast në thellësinë time
Dua përqafime, dua puthjen tënde
Oh sa mallë kam në zemër, sa zjarr
Gacave të mallit që lënë pas aromë...
Në varret e fshatit tim, gjaku im
U përulem të gjithëve me radhë
Në zemër i mbaj gjithmonë
Të mbështjellë në kujtime
Si medaljon...
 
 
 
VAPË  BRENDA....
 
Shpirt i lodhur nga trysni  vape
Brenda lëkure dridhet  jeta
Rri strehuar skutave të   errëta
Mushkëritë frymojnë rëndë
E zemra pulson fort
Hapat e galaktikës tallen n ‘lojën e marrë
Frika lahet   shtratit të qullur
Krevati këndon  këngë stine përvëluese
Kori xhinkallave  heq valle n ‘brekushe
Pinë uji në pellgje  djersësh
Lodhja përgjon dihatjet
Këndeve të lidhura nyje
Në heshtjen e djegur shpresash
Udhëtojnë mendimet pandalë
Deri te dimrat e mëdhenj rrugëtojnë
Duke menduar akujt e gjatë  dikur
Strehëve të kullave zvarrë
Një e rrëqethur trupin përshkoi
Sa  mërdhijë në mes kësaj vape
Vetëm ata dimri kur i kujtoj......