Poeti amerikan Michael Lee Johnson (Shqipëroi Irma Kurti)

Poeti amerikan Michael Lee Johnson (Shqipëroi Irma Kurti)
Poeti amerikan Michael Lee Johnson 
 
Michael Lee Johnson ka jetuar në Kanada për dhjetë vjet gjatë periudhës së Vietnamit dhe është njëkohësisht qytetar i Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Sot, ai është poet, shkrimtar i pavarur, fotograf amator dhe pronar i një biznesi të vogël në Itasca, DuPage County, Illinois. Ai ka 301 video me poezi në YouTube. Michael Lee Johnson është poet ndërkombëtar me vargje të botuara në më shumë se 1488 antologji; poezitë e tij janë botuar në 45 vende të botës. Michael Lee Johnson redakton dhe boton 10 faqe interneti me poezi.  Ai është nominuar për 7 çmime Pushcart Prize në gjininë e poezisë dhe 6 nominime si Autori më i mirë në rrjet. Gjithashtu, është editor i 3 antologjive me poezi, të disponueshme në Amazon si dhe ka botuar disa libra me poezi e të tjerë me format të vogël. Ka në arkivin e tij 463 poezi të botuara. Michael është administrator i 6 grupeve të Poezisë në Facebook. Ai është po ashtu anëtar i Shoqatës së Poezisë në Illinois: http://www.illinoispoets.org/.
 
TANI QË DËSHIROJ
 
Tani që dëshiroj të jem pranë teje
si dy banorë që ndajnë të njëjtin shtrat
teksa ndjejnë ngrohtësinë e shpatullave të djersitura,
i uritur për mishin tënd si një ujk i egër
që përkulet mbi një skelet të zbrazët,
ti je jashtë duke kërkuar shkëmbinj të paeksploruar,
duke ngjitur maja malesh të rrezikshme,
duke kapur gretha në shishe birre të thyera për
orën e biologjisë,
duke i gëzuar bimët, duke u hedhur me parashutë
nga retë për argëtim.
Në hije, ti je më afër jetës, marrëzisë,
një princeshë e absurditetit, një koleksioniste
e ëndrrave dhe tingujve të heshtur.
Tek retë, ti ndërton fantazinë.
E ndan atë me njerëz të përzgjedhur të famshëm.
Por derisa ky rob të gjejë ilaçin për kujdesin,
një mënyrë për t’i shpëtuar çmendurisë së pangopur,
ose të jetojë aq gjatë sa t’i zgjasë dëshira për
ty -
duhet të jesh syhapët,
sepse me kalimin e kohës, dëbora me siguri
do ta mbulojë këtë dëshirë të ngrohtë.
 
NDRYSHOJ JETËN TIME
 
Unë e ndryshoj jetën time.
Kapëse dhe karfica mbi tel
var, rrobat e papastra
për të tharë.
Bëhem qejfli, poetik
në fillim të të 70-tave të mia,
duke rishikuar gëzimet
dhe dhembjet
e udhëtimit tim.
E gjej veten dukë dëshiruar
një recension të ri, një produkt të ri,
një makinë të re të kohës,
një hapësirë të re interneti,
një planet të ri ku
ne, krijesa të vogla krijuese
mund të rritemi.
 
Përktheu nga anglishtja: IRMA KURTI