SHPËTOVA PËR TA DËSHMUAR TMERRIN E PËRJETUAR
(Fragment nga libri “Shpirti i dërmuar-Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”- Naxhije Doçi) - Botuar në vitin 2000
Unë autorja e këtij rrëfimi, vizitën e parë Prekazit dhe Familjes Jashari e bëra në gusht të vitit 1999.
-TAKIMI I PARË ME BESARTA JASHARIN- Gusht-1999:
Quhem Besarta Jashari dhe jam nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës. Jam 13 vjeçe dhe i vijoj mësimet në shkollën fillore në Skënderaj. Kujtimet për ditët e fillim marsit 1998 tmerrsisht qarkullojnë në mendjen time. Dhimbje të mëdha më sjellin në zemër dhe në shpirt, se m’i kujtojnë 20 trupat e vrarë të më të dashurve të mij. Ata të gjithë ranë heroikisht në shtëpinë e vet, duke u kacafytur me bishat gjakatare serbe. Serbët ushtarë dhe policë, që erdhën me tërë makinerinë ushtarake të tyre për të na sulmuar në shtëpi, ishin shumë. Erdhi pothuajse një shtet i tërë. Ndërsa ne në shtëpi ishim një familje e zakonshme shqiptare prej 22 anëtarësh, me burra, gra e fëmijë. Nuk kishim ku të shkonim prej shtëpisë sonë. Qëndruam në shtëpi me vendim të përbashkët dhe me vetëdije luftuam për lirinë e Kosovës.
-Drenica përherë ka qenë halë në sy për Serbinë pushtuese. Prekazi përherë ka qenë në shënjestër të regjimit të saj. E lagja e Jasharajve ishte epiqendra e epsheve të atij regjimi fashizoid. Familja e Shaban Jasharit, në krye me Adem Jasharin po ia rrëmihte dheun nën këmbë Serbisë uzorpatore, e cila e kishte pushtuar Kosovën dhe e kishte lënë në pellgun e prambeturisë-.
Këto fjalë i kam dëgjuar sa e sa herë, kur shkoja me Nënën Zahë gjatë ndonjë pasdarkeje në odë të burrave. Mua më pëlqente që të shkoja shpesh në odë të burrave dhe ata se si më pranonin me një lloj kënaqësie të veçantë që të jem aty.
Adem Jashari, xhaxhai im i dashur 45 vjeç, ishte ai trimi mbi trima, që u bë shembulli më aktual i brezave të tashëm, kudo që dielli ndriçon nëpër shqiptari. Ishte i lindur Ditën e Flamurit për t’u shndërruar në flamur krenarie.
Ndonjëherë kur doja që të shtrihesha në krahët e ëndrrave, i shihja para vetes ata Dragojtë e përrallave, që na i tregonte herë Nëna Zahide, e herë Gjyshi Plak netëve të gjata të dimërit. Habitesha se si të gjithë ata Dragojtë e fantazisë sime e kishin pamjen si të xhaxhi Ademit tim. Xhaxhi Ademi disi përherë rrinte si shumë i mendueshëm. Ku ta dija unë se ku e kishte mendjen ai. Unë e doja shumë dhe kisha dëshirë që ai të kishte kohë ndonjëherë edhe për mua, si edhe për fëmijët të tjerë të familjes sonë. Njëherë unë pata guximin dhe iu afrova te prehëri, se m’u duk që ai kishte nevojë për t’i ndihmuar edhe dikush kështu si unë. Ai qeshi me të madhe, kur unë duke e përqafuar ia kisha lëmuar edhe atë mjekrrën e tij të madhe e të zezë dhe ato mustaqet që gati gjithëherë i mbante vesh më vesh. Si fshehtas e hetova edhe se në brez e kishte edhe një allti. Por, ajo allti nuk mishte si ato alltitë me të cilat luanin fëmijët e shtëpisë sonë, si Kushtrimi, Igballi e Blerimi. Ajo ishte ndryshe. Ishte e rëndë. Duke e shikuar armën m’u kujtuan fjalët e babit tim gjatë një bisede në odë, se xhaxhi Ademi i dashka shumë heronjtë e luftës, si edhe se do të vdiste vetëm nga pushka. Seç m’u kujtuan edhe mua ato fjalë. Xhaxhi im nuk do të vdesë kurrë, thash më vete. Ai është vetë Dragoi!
-A është si Dragoi i ëndrrës sime?!- mendoja me vete.
Po, po krejt si Dragoi është! - I përgjigjesha vetës sime si e trazuar. Madhështor si Ai është. Dhe unë, atëherë prap bëhësha rob i ëndrrës dhe fluturoja mbi trojet tona mbushur me re të e zeza. Pushtuesi shekullor serb i kishte krijuar ato re të zeza për të na zënë frymimin e lire në shqiptarëve. Nga nënqielli ynë i katranizuar unë vrisja kriminelët serbë, të cilët dhunshëm kishin ardhur në vendin tonë dhe donin të na çfarosnin ne shqiptarëve vendës nga faqja e dheut. Nuk na linin kurrë që të rrinim të qetë në shtëpitë tona, në tokat tona dhe në rrënjët tona të lashta. Kafshatën e gojës na zinin në fyt katilët. Nuk e shihnim kurrë një ditë të bardhë prej tyre.
Fantazia ime tani fluturonte mbi krahët real të Xhaxhi Ademit tim Drague, e jo mbi krahët e Dragoit të ëndrrës. Për një moment se si u stepa pak. Duke e përqafuar Xhaxhin tim, isha kacavarur në shpinën e tij, me shkas. Ajo shpinë e tij, mëgjithëse ishte si një shkëmb mali, nuk kishte krah si të Dragoit. E prekja, ashtu si padiktushëm nëpër xhamadan, por ama krihë të tjerë nuk gjeta se nuk gjeta. I dola përpara pak si e mërrolur, e ai duke më buzëqeshur dhe duke m’i lëmuar flokët, më shikonte disi si çuditshëm.
-Ku i ke krahët?!- i thash.
-Cilët krahë, të pastë xhaxhi?!
-Ata, si të Dragoit të përrallës së Nënës Zahë. Ai njëherë më shikoi, se a e kam me gjithë mend, e pastaj qeshi me të madhe për fantazinë time fëmijërore. Më dukej se zëri i tij jehonte bjeshkë më bjeshkë. Më dukej se trandeshin edhe malet nga forca e atij zëri. Para meje gjendej Dragoi real. Xhaxhai im-Adem Jashari është krenaria dhe madhështia e kohës sonë.
TRI RRËTHIME IA BËRI PUSHTUESI SERB SHTËPIVE TONA DHE LAGJES JASHARAJ
Rrethimin e parë e kishte bërë më 30 dhjetor të vitit 1991. Atëherë forca të shumta policore me autoblinda dhe me mjete të tjera ushtarake ia kishin mësyer shtëpive të Shaban Jasharit në lagjen e Jasharajve të Prekazit të Poshtëm. Donin ta zinin të gjallë Adem Jasharin. Çfarë apsurdi! A zihet i gjallë Dragoi?! Prirës i kësaj ekspedite të krimit serb ishte helikopteri, që çante dhe i plagoste retë mbi qiellin e rirtë të Drenicës. Plumbat nga ky hekurshpend i zi i kishin shpuar anë për anë çatitë dhe muret e shtëpive tona të gurta.
-Rrethimi i dytë i Kullës së Shaban Jasharit ishte bërë më 22 janar të vitit 1997. Forca të shumta të njësive speciale e paramilitare serbe të nisura nga Fabrika e Municionit në Skenderaj, në orët e hershme të mëngjesit, më së dy orë i kishin sulmuar shtëpitë tona me minahedhës, me mortaja dore, me bomba, me mitralozë e me armë të ndryshme luftarake. Fabrika në kohët e fundit ishte bërë kazermë famëkeqe ushtarake serbe. Aty ishin mbledhur të gjitha uniformat kriminale serbe. Prej aty shihej si në shuplakë të dorës oborri i shtëpive tona.
Edhe rrethimin e tretë e përjetoi Kulla e Adem Jasharit. U rrethua gati krejt Drenica. Shumë njerëz i lëshonin shtëpitë nga tmerri. Më 5 mars të vitit 1998 mëngjesi agoi në shtetrrethim të plotë të Kullës së Jasharajve. Ishte ora gjashtë e mëngjesit, kur u dëgjua rafali i parë. Ishin sinjalet e para se po nisej një luftë e tmerrshme. Po nisej lufta më e pakrahasuar, se një shtet me tërë makinerinë e vet luftarake po i shpallte luftë një shtëpie, apo edhe pak më gjërësishtë, një lagjeje të vogël kosovare. Mbrojtësit nuk kishin armë të rënda. E kishin vetëm vullnetin e fortë dhe moralin e lartë për ta mbrojtur pragun e shtëpisë dhe vendin e vet.
Xhaxhi Ademi e kishte hetuar rrethimin dhe u kishte thënë burrave: “Sot do të kemi luftë. Më fat na qoftë!” Ata nuk deshtën të largoheshin nga shtëpia, se ashtu e kishin dhënë besën. Brenda në shtëpi ndodheshim 22 anëtarë të familjes sonë. Të gjithë kishim vendosur të bëhemi luftëtarë. Aty duhej të luftohej për jetë a vdekje, se tjetër zgjidhje nuk kishte. Secili luftëtar e trimëronte tjetrin. Ndërsa komandanti i Shtëpisë dhe i mbarë Shqiptarisë, Adem Jashari na trimëronte të gjithëve. Ai vetëm këndonte dhe lëvizte prej një pozicioni në tjetrin dhe sa herë që me pushkë dhe me automatik qitte, nga një armik serb e vriste. Herë u jepte zemër pleqve luftëtarë, si Babait Plak (gjyshit tim) e Dajës Osman, e herë shkonte te të rinjt dhe herë te gratë, që të mos frigoheshin. Aty luftonte edhe Nëna Zahë. Edhe Adilja e Selvetja luftonin, e bashkë me to edhe nëna ime Feridja. Ne fëmijët i mbushnim pushkët me fishekë, por e bënim edhe furnizimin me municion.
NGA KAZERMA E MUNICIONIT FILLUAN BOMBARDIMET
Nga kazerma famëkeqe filluan bombardimet e pandërprera. Konkretisht në shënjestër ishte Kulla e Adem Jasharit. Gjithkah kishte krisma me automatikë, me mitraloza, me topa. Gjithçka filloi të ndizej flakë. Bombardoheshin edhe disa shtëpi të lagjes sonë. U bë tri ditë luftë. Të tretën ditë një predhë topi e goditi kthinën, ku ishim ne, numri më i madh i anëtarëve të familjes. Me këtë goditje çdo gjë përfundoi. Aty u vranë përnjëherë trembëdhjetë vetë, të cilët nga prapavija e ndihmonin frontin. Të vrarët ishin: Nëna Zahide, nëna ime Feridja, Zarifja, Selvetja, Hidajetja, Valdetja, Afetja, Liria, Fatimja, Blerimi, Igballi, Igballja dhe Blerina. Vetëm unë, Besarta Jashari nuk di as vetë se si i shpëtova atij tmerri. Nuk e di pse edhe shpëtova?! Ky është një rrëfim me një përjetim trishtues më vete. Edhe djali i xhaxhi Rifatit, Bashkimi, i cili tërë kohën nuk kishte pushuar së luftuari në mbrojtje të pragut të shtëpisë, nuk di se si e kishte çarë rrethimin dhe kishte shpëtuar. Njëzet anëtarë të familjes kishin mbetur të vrarë në Kështjellën, që ende po e vazhdonte qëndresën. E para ishte vrarë bashkëshortja e xhaxhi Ademit, Adilja, e cila ishte duke i dhënë municion burrit të vet, trimit të paepur.
Xhaxhi Ademi ende këndonte dhe sa mundte vrante shkije.
Kur nuk e dëgjova më këngën e tij, atëherë më kaploi trishtimi. Nuk është e mundur!- thashë me vete. Dragojt nuk vdesin. Ata vetëm shndrrohen në këngë. Legjendë bëhen. Ajo është madhështia e tyre. I fundit në këtë betejë të përgjakshme kishte rënë Kushtrimi trembëdhjetë vjeç, djali i xhaxhi Ademit.
Gjithësejt të vrarë të lagjes së Jasharajve, që e mbrojtën pragun e shtëpisë së tyre, ishin 53 vetë, burra, gra, fëmijë, pleq e plaka. Qëndresa dhe sakrifica e rrallë mitike e Jasharajve në fund të shekullit njëzet e mahniti botën liridashëse. Sërbinë uzurpatore dhe kriminale e turpëroi dhe gjunjëzoi moralisht dhe ndërkombëtarisht. Shumë kufoma i masakroi dhe i karbonizoi për së vdekuri. Të vdekurit që s’mund të identifikoheshin ishin shndërruar si në urna zjarri. Varrimi i tyre bëri bujë, gati edhe sa vetë lufta e tyre e bujshme.
-Naxhije Doçi – Prishtinë - 05. 03. 2024