Izet ABdyli - Tregim

Izet ABdyli - Tregim
Tregim
 
LUFTA ME ÇAUSHIN
 
Çaushi po turfullonte diçka nën dhëmbë, ndërsa zaptit po qëndronin gatitur para tij, pa ditur se çfarë ka krisur. Herë herë vështronin njëri-tjetrin tinëzisht dhe mundoheshin përmes mimikës të merrnin vesh se çfarë ka ndodhur. Ata ishin thirrur nga Zihani i cili as vetë nuk po kuptonte asgjë. Ai veç kishte zbatuar urdhrin e Çaushit. Heshtjen e theu zëri i ashpër i Çaushit i cili si të kriste reja foli: fort e ka qua kryet e na ka zanë udhën ai çafir, po shpejtë do t’ia shtypim kokën. Zihani si ta therte diçka, kërceu i gatshëm të dinte për kë bëhej fjalë, por kur u përmend emri i Mehmet Hazirit drithërima ia përshkuan trupin. Iu kujtua çasti kur si çoban kishte dashur të provonte forcat me djemtë e shtëpisë së Avdyl Agëve, kur Mehmeti me një të dredhur e kishte hedhë në kokërr të shpinës. Për një javë nuk kishte mundur të ngrihej në këmbë duke u paritur me lëkurë të deleve. Shyqyr që Çaushi ishte kthyer me shpinë nga ai dhe nuk ia pa çehren se koka tij saora do fluturonte në hanxhar. Zaptitë e dinin se Mehmeti ishte një trim i çartur dhe nuk ia ndiente për pushtet. Moti Çaushi ia kishte vënë syrin mauzerës së tij me nellin prej sermi por ai nuk e kishte pranuar të ia dorëzonte. Bile i kish qua edhe fjalë: Në ta mbajt b... hajde merre. Zemërimi i Çaushit kishte mbërri kulmin kur hafijet e kishin njoftuar se në kullën e tij te ara e Hanit shpeshherë po strehonte kaçakët si Azemin Galicën, Lutë Gllanasellën e Shaqir Smakën. Kështu kishte vendos njëherë e përgjithmonë t’i qëronte hesapet me këtë kaur të pabindur siç thoshte ai. Plani ishte bërë i tillë që kulla të rrethohej në orët e hershme të mëngjesit duke shpërndarë zaptit në tri grupe. Kishte premtuar edhe trofe për atë që do t' i sillte kokën e Mehmetit dhe mauzerin me nellin prej sermi. Po hesapet i dolën kapuç me mangë. Planin ia prishi njëri prej zaptive që ishte nip i Avdyl Agëve. Ai nuk mund të bënte sehir duke parë kurthin që po u përgatitej dajave të tij. Tinëzisht u përvodh nga grupi i zaptive kinse po shmangej për nevojë dhe të kroni afër Gurit të Keq takoi hallën Sofë e cila po mbushte bucelën me ujë. Ai me të shpejt i dha kumtin për planin ogurzi të rrethimit. Ajo menjëherë lëshoi bucelën në rrasën e kronit e cila u bë copë copë. Me të shpejt njoftojë meshkujt e shtëpisë të cilët me shpejtësi rrufeje zunë pozitat në tri drejtime. Kur armët e Çaushit hapen zjarr ata iu përgjigjen flakë për flakë. Me të dëgjuar krismat Lutë kaçaku, fluturimthi u doli krahë vëllezërve Mehmetit, Shabanit e Nezirit. Gruaja e tij Azeminja si një trimëreshë, në pashallëkun e saj mbushur fishekë mes plumbave vraponte drejt trimave. Çaushi që planin e kishte bërë në fshehtësinë më të madhe e pa sa është sahati. Dikush na ka tradhtuar foli vetë me vete i zemëruar dhe sakaq nga breshëritë e plumbave u kositën disa degë lisash dhe e rrëzuan përdhe. Zaptit u çakorduan dhe në ato çaste nuk e njihte qeni të Zotin. Vetëm Zihani me katër veta me dredhi kishte arritur afër kullës dhe i kishte vënë zjarrin gardhit të avlisë nga i cili kishte marr flakë edhe kulla. Nuk ishte mjaftuar me djegien e kullës dhe u ngrit në këmbë dhe po krekosej para grave e fëmijëve të lebetitur që dolën mes flakës nga kulla. Kishte harruar se aty ishte Mehmet trimi i cili e kishte marr në nishan dhe plumbat ia qëndisen ballin dhe për një çast si një përftim iu kujtua Mehmeti kur me një të dredhur e kishte hedhur në kokërr të shpinës dhe ra pa shpirt në gardhin që po digjej. Shokët e Zihanit kur e panë atë të shtrirë për dhe ia dhanë vrapit dhe mezi shpëtuan nga plumbat e mauzerës së Mehmetit me vëllezër. Të kota qenë thirrjet e Çaushit që ata të mos zmbrapseshin, ata të tmerruar as që ia dinin të dëgjonin komandën e tij. As Çaushi nuk kishte më kohë te tepërt ngase zjarri i armëve të vëllezërve Haziri nuk kishte të ndalur. Ndihma e kaçakut Lutë Gllanasella u kishte dhënë zemër vëllezërve Mehmetit, Shabanit e Nezirit të përballojnë rrethimin në tri drejtime, nga Dushkaja, prapa shkollës dhe nga drejtimi i Gallushës. Sulmin nga Dushkaja e kishte zmbrapsur Mehmeti me Lutën sulmin prapa shkollës Shabani me Nezirin, të cilëve iu kishte dalë në ndihmë trimi Habib Tema, ndërsa turrin e zaptive që vinin nga Gallusha e kishte zmbrapsur nipi Avdylit Beqiri nga çardaku i shtëpisë së tij pranë kullës së Avdyl Agës. Shpirti krijues e kishte përcjellë tërë ngjarjen me çdo detaj, duke nxjerr kështu edhe vargjet që do t’ i këndonin pastaj rapsodët në tela të sharkisë:
Dil Çaush mos u fsheh si mini
Se mua më thonë Mehmet Haziri
Derë e Gjyshit të Avdyl Agës
Që s' dorëzohet po ta qet flakën
Këqyr Çaushi ku janë zaptit
Në Dushkajë tanë t’u ikë
Nëpër mal na i zu paniku
I koritën vëllaznit Haziri