Rubjana Nika (poezi)

Rubjana Nika (poezi)
Rubjana Nika
 
DILEMË JETËSORE

Me thonj jetën e mbërthej,
shpeshherë dua ta lëshoj,
ta braktis,shpinën t'ia kthej,
ta lëndoj siç më lëndoi.

Dhe të qesh,dhe të qaj,
veç një degë e thatë mbetur,
herë ta mbaj,herë ta thyej,
në shpirt si purtekë e djegur.

Herë bie,herë ngrihem,
degës tharë mbajtur fort,
herë dorëzohem,herë mbahem,
qesh buzëplasur,shkrehur në lot.

Qesh me hir a me pahir,
se nuk mundem të qaj dot,
lehtë nën zë këndoj me vehte,
se nuk dua të derdh lot.

Qeshja shpejt kthehet në vaj,
me ç'po ndodh e përjetojmë,
s'po dimë çfarë ,s'po dimë si,
veç frymojmë e gjallojmë.

Në këtë zymtësi jetësore,
këmbëzvarrë,mendjeshtrënguar,
me ç'po shohim,ç'po dëgjojmë,
mbetëm me zemër ndër duar.