Meri Bo – Cikël poetik 2 (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)

Meri Bo – Cikël poetik 2 (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
PARAJSA IME...
 
Qielli,
që rri mbi ballin tim
është gjithmonë i pastër,
pa re, pa stuhira dimri dhe pa grinet
e tij të përhershme.
 
Qielli im,
nuk vret ëndrra,
nuk ndjell hijena, nuk sjell hidhërime.
 
Qielli im, 
ka sytë dhe zërin e tim biri
nuk qëndron mbi kulla letre
dhe ndërtesa prej rëre,
themelet e tij nuk kanë gurë të rremë.
 
Qielli im,
riciklon shpresën
luan me zogjtë me violinë
dhe sjell aroma pyjesh veriu.
 
Qielli im
beson tek unë
dhe dashuritë shpirtërore
Qielli im
është si fytyra jote, mbas puthjeve të djeshme.
 
Qielli im,
ka ngjyrë transparente dhe flet vetëm shqip.
 
PËRTEJ DASHURISË 
 
Të dua
më shumë se fjalët e tua
që humbasin thelbin e tyre pas rrokjeve të vogla,
ti që je fjala e zemrës sime.
 
Të ndjej
më shumë se e qeshura ime
e cila e humb gëzimin pas jehonës së saj të shkurtër,
ti që më sjell lumturinë.
 
 Mendoj për ty
përtej ëndrrave
që humbasin fuqinë e tyre kur hiri afrohet,
je ëndrra që pasqyron shpresën time
në lindjen e diellit
 
Të shikoj
përtej vështrimit intesiv
dhe më shumë shpirtin tënd
që pasqyrohet aty me butësi.
 
Joshem,
përtej buzëve dhe aq më tepër
fjalëve të tua që rrotullohen në fund të mendjes sime
 
Kam nostalgji
përtej ardhjes tënde dhe më shumë
se të një mijë jetëve, që më ke dhuruar.
Të dua përtej gjithçkaje
përtej dashurisë dhe më shumë se vetë jeta!
 
ZJARR I MADH
 
Do të ngjitem në mal me këmbë të përgjakura
Në lumin plot dallgë do notoj 
Dhe nëse nuk kthehem, nuk dua të mërzitesh 
Me engjëjt në qiell, do fluturoj.
Me dorë do t'i prek, gjithë retë endacake 
 
Prej tyre të hedh shi mbi tokë
Nëse më lodh rruga dhe krahët s'më binden
Do të marr në shpinë ndonjë zog.
 
Në tokë do të kthehem, kur nata të bjerë
Dhe terri gjithçka të mbulojë
E shndërruar në hije, me vel të mistertë
T'iu them që unë, si yll egzistoj
 
Por mos më kërko të të them gjithçka ndjej
Për lidhjen që egziston midis nesh
Nëse më kërkon, brenda vetes do të më gjesh
Tek digjem nga zjarre rrufesh.
 
BOTA POETIKE
 
Poezia,
dëshpërimisht
në një natë pranvere
bëhet shpresë e i thërret ringjalljes 
të ngjitet në qiell.
 
Ndërsa ajo,
zhytet në vakum dhe kamuflohet me ngjyra
nën blunë qiellore.
 
Në kohën e orgazmës së madhe
dhe sirenave që dalin në breg,
ajo,
e përdala, sërish zhytet në det
në kërkim të paqes dhe shijes së një trëndafili
në një moment të dytë.
 
Buzët e kafshuara të një vajze
ndërsa këndonte në shtratin e Erosit
dhe Futurës së Zezë,
janë enigma tragjike
që zhyten në mishin e ngrohtë të ngashërimit.
 
Poezia është shpëtimi
nga bota e vockël
kur e madhja të bëhet njerkë!
 
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta