Meri Bo – Cikël poetik 1 (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)

Meri Bo – Cikël poetik 1 (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
MERI BO 
 
Meri Bo ka lindur në qytetin e Laçit ku u rrit dhe u shkollua si violiniste e flautiste në arsimin e përgjithshëm. Meri jeton prej shumë vitesh në Athinë (Greqi). Ajo është autore e dy librave me poezi: "Njëra nga Poezitë" dhe "Të fshehtat e Shpirtit", të botuara nga Shtëpia Botuese "Klubi i Poezisë"

DO TË VIJ SI SHPIRT  
 
Le të kërcejmë një tango të ëndërrt,
tango pranvere, 
në mes të një livadhi dhe me gjembaçë
ku çelin lule heretike!
 
Kam veshur një fustanin të kuq
ku çelin lule të mjalta
që m'i ke qëndisur kur ishte pranverë.
Eja!
Dua të luaj fshehurazi me ty
në breg të detit,
aty ku ti shkruan vargje
me guralecë e me guacka
e shkumë valësh!
 
Janë tekste ëndrrash
që bredhin hazdisur,
pa fre e doganë,
në infinit,
në skaj të botëve!
E di, 
ti po qesh mosbesues,
po unë jam Afërdita,
jam Vajzë e valëve,
jam Hankoja që të ngjall
edhe mes varreve!
 
UDHETIM DREJT AGUT
 
Gjithnjë e më të shndritshëm yjet
drejt mesnatës.
Notat nuk po luan më
me gjethet e grilat
dhe asaj po i shuhej në buzë
një fishkëllimë melodioze.
Dy mace që s'pushonin së luajturi,
tani po gërrhasin
lehtë e shtruar poshtë divanit.
Hëna,
 
si një vatër e madhe,
shpërndante shkëndija yjesh
në qiellin e pagjumë.
 
Ç'të bënte?
 
Të flirtonte butësisht me gjethet e pemëve
që nanuriteshin lehtazi
mbi djepin e erës?
Dhe befas ndjeu 
se e kishte marrë malli për gjumin,
të hipte e të kalëronte mbi të,
si mbi Pegasin antik
e të udhëtonte drejt agut të mëngjesit
ku do të fillonte një tjetër ditë...
 
GRUA DHE NËNË 
 
Grua dhe Nënë
frymë nga lulet e kopshteve të Edenit
Kur Krijuesi vendosi që ti të vije në jetë,
gjithë bukuritë surreale dhe ngjyrat e tokës
rrufetë e qiellit dhe ngjyrat e ylberit 
t'i dha si prikë.
 
Lëngjet e stinëve dhe qumështin e pemëve,
i vendosi pa kursim në dhomat e zemrës tënde.
Në çdo fidan pranvere në gjethet e prillit
në oazet e shkretëtirës dhe buzët e thara nga etja,
vendosi zërin tënd.
Ka momente, kur ndien se deti dhe oqeani, janë ti
Edhe udhëtimet drejt së panjohurës
zhytjet drejt thellësive dhe udhëtimet
drejt bordit të shpresës, janë ti.
Momentet e dëshirave të tua
krijojnë liqene të kaltër. 
Nëse dikush tenton të hedhë një guralec në të
ujërat e tij shndërrohen ne xhame të hollë që krisen.
 
Ka momente kur kupton, se emri yt është nxitje
për ta vazhduar gjer në fund udhëtimin 
dhe për të sfiduar tërbimin e erërave
duhet patjetër të thërrasësh imazhin tënd.
Grua dëshpërimi yt, është varg për lutje.
 
Destinacioni i valës, është përherë bregu i qetë
Grua psherëtima jote është një udhëtar i lodhur
nga një udhëtim i gjatë në shkretëtirë 
ngarkuar me bagazhe të rëndë
hallesh dhe ëndrrash të plagosura.
Grua
Shenjtore e pafajshme e mëkatit!