GURI I SOKAKUT TIM
Aty ndanë sokakut tim një gur i stermadh
Me rrenjë të futur thellë e gjysëm i mbuluar
Mote e mote kanë kaluar,ai nuk u tund hiç
Me temthat të thinjura e kokën të gjelbëruar
Sa herë i kaloj pranë më zë të ngjirur ai flet
‘Mbaj mend një herë, ah,tek unë je pënguar
Me gjunjë të gjakosur qaje dhe më shaje fort
Pastaj si një çamarok i keq më ke shkelmuar
Nuk të mbajta inat, më theren të qarat e tua
Kur kaloje ti mblidhesha e thoshja ki kujdes
Fshija ballin tim nga shiu që më rridhte rreke
Të mos të rreshqisnin këmbët e tua si në vesë:’
Tek ngjitem sokakut te shtëpia ime që më pret
Guri i stermadh i jeshiluar më sheh i përmalluar
Akoma më kërkon të falur me durim të heshtur
I ngrati gur, e ledhatoj, dhimnbjen për t’i shuar
SI LUMI...PA GJUMË
Krahët e erës ulerijnë e përplasen frikshëm sonte
Pemët frikacake i përulen dhe rrugët i hapin rrugë
Vetem malit tim s’i bën syri ter, këmbëkryq ulur
Gjoksin i ka kthyer e diçka seç thonë aty në muzg
Nata ka fshehur në gjoksin e saj trumcakët e gjorë
Që presin gushëmbledhur të çel horizonti në agim
Moskokëçarës ky lumi im, me vete seç kuvendon
S’i vjen keq për shelgjet që dridhen e bien në trishtim
Kjo erë tinzare nisi retë ushtare e pushtuan qiellin
Mbollen me temjan terr e hënën e yjet i moren peng
E trembur edhe dhelpera s’doli nga strofka për gjah
Veç sytë e zëzë të natës dhe ulerimat e erës si brengë
Si një endërr e keqe kjo natë me erën që ulerin vaj
Kjo botë që shthurret më mundon e më lë pa gjumë
Ku të qetësohem?Nuk kam as hënën për ngushellim
-Eja për shoqeri, nuk fle as unë,-më thotë i miri lumë
NUK VDIQ ULLIRI I GJYSHIT
Kur isha fëmijë mendoja se gjyshi im s’do të vdiste kurrë
Po një ditë shkurti, pa ardh pranvera,shpresa u shkermoq
Ai mbylli befas sytë e unë thoshja se merr një sy gjumë
Ah, këtë vit,edhe ulliri i madh mbi shtepinë seç m’u dogj
Nuk e dija kaq katil zjarrin,në tokë gërmoi t’i djeg rrenjet
Tamam katil si vdekja që mori fshehur edhe gjyshin tim
Po u çudita sot kur pashë në gërmadhen e zëzë të ullirit
Shperthyen papritur të brishta,plot hije,ca filiza gjelberim
Filizat mbulojnë plagën e zgavrës dhe zgjaten drejt diellit
-Ne , ullinjtë, jemi si feniksi, nga hiri dalim prapë të gjallë
Keshtu mendoja fëmijë, gjyshi e ulliri s’do të vdesin kurrë
Vertet, ringjallja e ullirit mos është amaneti i gjyshit vallë?
MBESHTILLU MIRË ME SHALLIN E BARDHË
Një shall të hirtë ka venë rreth qafës hëna
Në shetitjen e mbremjes në qiellin e qelqtë
Ku frymojnë
Avujt e thellimtë të dimrit.
Ti moj henë, nuk të kam merak
Yjet të ndjekin nga pas
Ta rregullojnë shallin
Kur rreshqet nga pak
Ti udhëton sonte,më the,në këtë natë cingerimë...
-Mos ki merak,me shall të bardhë jam mbeshtjellë
Mos u shqetëso
Malli i syve të tu më ngroh-
-Ruhu dremitjes së ëmbël dinake
Ajo fshehtas të liron shallin e bardhë
Mos ftohesh e mira ime
Dhe unë ..oh,..jam larg-