Cikël poetik nga Marjeta Shatro Rrapaj (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)

Cikël poetik nga Marjeta Shatro Rrapaj (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA MARJETA SHATRO RRAPAJ
 
Marjeta Shatro Rrapaj lindi më 15 dhjetor 1974 në Gjirokastër dhe u rrit në një familje me vlera dhe tradita. Marjeta është Mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Gjuhës Frënge, Shkrimtare në zhanrin e poezisë e prozës, Korrektuese dhe redaktuese librash. Ajo është një ndër poetet bashkëkohore shqiptare. Rrapaj ka studiuar letërsi në Universitetin e Gjirokastrës dhe ka mbrojtur gjuhën frënge në Universitetin e Tiranës.
Është autore e 8 vëllimeve poetike nga të cilat
2 vëllime poetike janë botuar në Francë në frëngjisht, 1 vëllim poetik është botuar në anglisht e spanjisht dhe vëllimi i fundit është botuar në 5 gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht.
Poezitë e saj janë përzierje e imagjinatës me realitetin. Ato bashkë me tregimet janë publikuar në shumë antologji të huaja.
Në vitin 2019 Marjeta mori çmimin Alphonso G. Newcomer Poetry Train U.S.A and Canada me vëllimin poetik "Vesta".
 
Botimet e saj janë: 
- Në detin e syve të mi (Milosao, 2016)
- Shtegtim me muzgun (Milosao, 2017)
- Regëtima pulëbardhash (Milosao, 2017)
- To be ever God's smile (Lulu.com)
- Nerthus (Geer Publishing 2018)
- Nerthus Edilivre (2019)
- Vesta (Lulu.com 2019)
- Hestia Edilivre (2019)
- Far from illusions Made in the USA Columbia, SC në 5 gjuhë (2020)
 
Përkthime:
- Espalier me erën (Geer Publishing 2020)
- Poezi nga Abdelghani Rahmani (2020)
- Melodi poetike, Yayati Madan G Gandhi Groupe of Publication (2020)
- Murmure d'un autre monde AAbs Publishing house (2020)
- Murmure fugaces (2021)
- Lettres de silence (202)
- The return of Prometheus (2021)
- The indifferent fate (2021)
 
PËR NJË BOTË MË TË MIRË...
 
Endemi në kaosin e dëshirave
Atyre dëshirave të mëdha e të vogla
Mes rrëmujës së rrugëve
Cilat duhet të ndjekim për t'i realizuar
Lëvizim me retë,me zogjtë
Rendim pas avionëve
Pas gjithçkaje që fluturon
Me melodinë e dashurisë
Për jetën që na përplas
Me realitetin e trazuar
Prej zhurmës kaotike
Të pushtetit mediatik kibernetik
Duke ngulitur në vetëdije
Se era e ndryshimeve do të bëjë
Që e ardhmja të jetë më e mirë
Me shpresë
Më e bukur se sot...
 
MOS U HABIT...
 
Mos u habit me mua
Pse dua t'u jap përgjigje
Gjithë pse-ve të kësaj bote
Pse dua të prek kufijt e dijes
Pse dua të zbuloj
Dimensionet e panjohura të njeriut
Për ndjenjat, pasionet, dëshirat
Ndaj mos u çudit sesi sille
Më josh përsosmëria e të dashurit
Me fjalë e sy që djegin heshtjen...
 
VUAJTJE KALIMTARE...
 
Shkëputur prej njerëzve
prej kohësh.
Duke vuajtur vetminë e madhe,
dhimbjen e mungesës...
 
Zbrazëtia e jashtme
shtyp ndjesitë e brendshme
duke çuar në reaksione të ngadalta
që digjen në heshtje.
 
E mundimshme
të heqësh dorë nga dëshirat,
nga e kufizuara e ndaluar
nga e drejta legjitime
 
Shpejt
do të vijë edhe çasti
që të zhduket frika e misterit
 E i pakontrollueshëm të jetë guximi
ku idetë e reja do të sundojnë mbi egon personale
Për ekuilibrim forcash
Për çlirim prej prangave të rënda
Që fati na vendos papritur.
Të zgjohemi përfundimisht
nga gjendja e kllapisë së marrëzisë kalimtare
me ardhjen e shumëpritur të vitit të brishtë
duke pritur erën e shpresës për paqe shpirtërore.
 
HESHTUR...
 
Një ëndërr m'u thinj
Ëndërr e një jete plot mundim
Si diell shfaqet e zhduket
Në horizontin e largët pa mbarim
 
Gjumi i trazuar mundon
E sërish rrëmben
Balli mbuluar djersë
Trupi ngritur somnabul
Brengat rikujton
 
Shpirti lutet 
E lutet për harrim
Deri në agim
Heshtur
Nata shuan
Çdo ëndërr
Çdo kujtim...
 
SYTË  SI SMERALD TË JETËS...
 
Sytë e etur për jetën
Me ngjyrat e ujërave
Përpijnë horizontin
E prekin kufijt e paprekshëm të Diellit
Për t'u ringritur mbi përkohshmërinë e përditshmërisë
 Dëgjojnë klithmat e shekujve
Që vijnë me jehonat e erës
Nëpër sqepa zogjsh që çajnë ajrin
Për të rindërtuar të tashmen
Mbi gjurmët e së vjetrë
Mbuluar nga harresa
Me pranga ndryshku
Që shtrëngojnë dhimbjet e kohëve
Që shkuan me furtunë
Mbi caqet e durimit
Për të kërkuar e gjetur flakën e mendimit
Në kryqëzime fatesh rastësore
Ngrirë në ikona të besimit të shenjtë
Për përndritje e zbardhje misteresh
Si hieroglife të panjohura të nesërmesh
Nën melodinë e valëve 
që shkumëzojnë me turfullimë
 
 Për të rilindur Venusin
Brigjeve të miteve e legjendave
Për të mahnitur me shpirtrat e harruar
Rikthyer me heshtjen e mjegullt
Që rrethon njerëzimin
E me pamje madhështore
Sundon qiejt e besimit
Pa i lejuar Dantet modernë të zbresin shkallët
Për të rikthyer të "gjorat Beatriçe"
që flenë në botën e errët të Hadit...

Pregatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese