Manushaqe Ramadan Shalsi – Autobiografi dhe poezi
JETA IME, ËNDRA IME E GËNJESHTËRT
U linda dhe u rrita në familjen time, me tradita dhe ndjenja patriotike, liridashëse, mbartës të traditës dhe kulturës të të parëve. Kam lindur në fshatin Rov të rrethit Korçë. Fëmijëria ime ishte si një ëndërr e bukur, mbushur me gëzim e lumturi. Kujtoj ende netët e gjata të dimrit kur mblidheshim me xhaxhallarët e kushërinjtë. Këndonim, luanim, tregonim përralla e dëgjonim kujtimet nga lufta që tregonte babai im veteran. Brenda secilës prej tyre shihja sakrificat, mundin, vuajtjet, urinë e babait tim dhe të shokëve të tij që luftuan për liri. Vitet rrodhën dhe fëmijëria ime filloi të zbriste nga krahët fluturues të atij fluturimi aq të bukur, në një tjetër hapësirë të errët, pa dritë. Çdo ditë shihja babanë tim të ndier, që vinte me duart e plasaritura e të mbushura me gëlqere e llaç. Zhgënjimi im filloi të rritej e mërzia më gllabëroi të tërën. Pyesja e ripyesja veten: Përse babai im nuk mund të punonte si gjithë shokët e tij ish - partizanë? Përse duhej që të vuante aq shumë kur kishte sakrifikuar, luftuar, kishte rrezikuar jetën, ishte plagosur, kishte kryer misione të rëndësishme, kishte mbetur i rrethuar në operacionin e Qershorit për shtatë ditë e net,(së bashku me brigadën e tij 15- të sulmuese dhe celulën udhëheqëse të luftës), kishte qenë kryetar këshilli në fshatin Gjergjevicë në vitet e para të çlirimit, ku as lakra s'kishte për t'u ushqyer. Kishte qenë post komandant në kufi, në periudhën më të vështirë kur provokimet e shumta të anglo - amerikanëve dhe grekëve, vrisnin e digjnin të gjithë sa mundeshin.
Më pas kuptova se nuk nderohet vlera e njerëzve të ndershëm dhe patriotë, por e atyre të cilët kanë fuqinë dhe ligjin. Ishin pikërisht ato ligje, ajo luftë klasash e cila më privoi nga kryerja e shkollës së lartë ku asnjëherë nuk munda të realizoja ëndrrën time aq të bukur edhe pse kisha një mesatare notash të shkëlqyera. Fillimisht m'u dha e drejta për të studiuar si zo - veterinere specialiste dhe më pas do të vazhdoja të lartën...
Fluturoja nga gëzimi. Isha aq e lumtur dhe çdo çast ëndërroja ditën kur do ulesha në atë bankë.
Më kot! Më ndante vetëm një javë nga nisja e asaj rruge aq të dashur e të bukur, kur babai hyn në shtëpi i mërzitur, i pikëlluar, sikur të kishte ndodhur gjëma. Nëna na urdhëroi të dilnim jashtë.
Dëgjova pas derës lajmin më të hidhur për mua. Më kishin kthyer mbrapsht bursën e studimit se gjoja duhej ta merrte një vajzë së cilës i pati ndërruar jetë e ëma. Në të vërtetë ishte lufta e klasave që dënonte jo vetëm familjen time por dhe mua. Ajo ditë u bë për mua një ndër ditët më të këqija e cila më vrau përgjithmonë: ëndrrat, shpresat, lumturinë, jetën time. Ai vendim më mbajti varur në trekëmbëshin më të madh të dhimbjes time. M'u mbyllën të gjitha dyert e së ardhmes por jo kurajoja, guximi, vullneti për ta luftuar atë lloj fati i cili nuk erdhi nga qielli, as nga armiku i vërtetë, por nga zilia, nga injoranca, nga etja (për të qenë mbi të tjerët) e ca njerëzve të pa skrupuj, të pa aftë, injorantë të asaj kohe.
Pas dy ditësh prindërit më thirrën veças dhe më thanë se duhej të vazhdoja shkollën e mesme, sepse ishte më mirë të isha pranë shtëpisë.
Mes shumë vështirësish duke udhëtuar dy orë vajtje - ardhje, në këmbë, në shi e borë, arrita ta mbaroj me mesatare të mirë.
Nuk dëshiroja të vazhdoja të kërkoja përsëri bursë, sepse kujtoja atë ditë kur babain e pati pushtuar hidhërimi. Sfidat e jetës janë aq të shumta e të vështira por janë dhe një lloj nxitje për të rritur kurajon, vullnetin për të ecur përpara. Nuk u ligështova asnjëherë për vuajtjet e mia, sepse ato më çuan në një ëndërr plot lule të bukura, me të cilat jam kapur fort qysh kur isha në shkollën tetë - vjeçare. Fantazia dhe talenti im ishin bota e dytë e imja. Kjo botë i pati rrënjët prej tregimeve dhe kujtimeve që pata dëgjuar nga im atë. Poezitë e para dhe hartimet që bëja, ishin gjithmonë në tendat e murit tek nxënësi më i dalluar i shkollës.
E kështu, një ditë arrita të botoj librin e parë "NGA SIMBOLE TË LIRIS NË VIKTIMAT E PAQES"
Ekzemplari i tij u lexua nga babai para se të ndërronte jetë pas disa ditësh dhe që ma la amanet: - Çoja këtë libër Ismail Kadaresë ose Dritëro Agollit!
Ismail Kadareja për mua ishte një njeri i madh, intelektual i cili më dukej i ftohtë. Me drojë kërkova ta takoja. Fillimisht fola me Znj. Elena Kadare e cila më la adresën e shtëpisë.
Ishte e befasueshme për mua. Akulli dhe droja u shkrinë si me magji. Përpara meje ndodhej një Ismail Kadare shumë më i madhërishëm sesa e pata menduar. Në thjeshtësinë dhe mikpritjen e tyre pash një vlerë të madhe të njeriut të madh. Ai takim aq i përzemërt ndoshta ishte një lloj kurajo edhe më e madhe për të vazhduar të botoja edhe katër libra të tjerë: "GRIMCAT E SHPIRTIT RRINË ZGJUAR", "NË KËRKIM TË PAVDEKËSISË", "SHPIRTRA TË VRARË". "DASHURI NË KOHËN E PANDEMISË",
"NGA SIMBOLET E LIRISË NË VIKTIMAT E PAQES"
Dymbëdhjetë dorëshkrime të tjera, të shkruara me penë, më humbën në momentin që shtëpia m'u shemb nga tërmeti në vitin 2019. Jam autore e një numri të madh poezish në rrjetet sociale të facebookut. Drejtoj disa platforma me përmbajtje artistike, kulturore dhe patriotike.
Shumë herë jam rrëzuar dhe përsëri jam çuar, pa pasur një dorë nga shteti apo shoqëria që të më mbështesë. E vetmja forcë e imja për të përballuar këtë jetë kaq të egër, është talenti im. Ai nuk më jep të mira materiale për të mposhtur mjerimin por më jep kurajo, hapësirë, lumturi, fuqi, për të luftuar të këqijat që na kanë sjell varfërinë. Jeta është luftë ku secili duhet të gjejë armën e duhur për të qenë i fort ndaj saj. Nuk ka rëndësi për mua nëse jam në krye apo në fundin e këtij kalvari. E rëndësishme është që me penën time të jem një ushtar i mirë që t'i shërbej kauzës së madhe për paqe, kulturë, që të luftoj plagët e shoqërisë tek e cila duhet të gjejmë vendin e merituar. Të jesh shkrimtar sot është shumë e vështirë. Gjithsesi i kam premtuar vetes se nuk do të heq dorë kurrë nga bota ime e dytë. Jam duke shkruar përmbledhjen me tregime: BOTA NË SYTË E NJË GRUAJE". Mbasi të përfundoj atë, mendoj të bëj një skenar filmi. Dhe nëse dikush ka mundësi për të më ndihmuar, do ju falënderoja shumë.
Ju falënderoj shumë gjithashtu ju gazetarë dhe gazetën tuaj...
(Manushaqe Ramadan Shalsi)
VITET
Vitet...
Ato i kanë rrënjët ndër yje
Degët mbi botën kanë hedhur fort
Me hijet e tyre vetëm vijnë
Si dallgë deti që shkëmbinj rrëzojnë mbi port
Ne kapemi pas tyre, zvarritemi
zvarritemi për të qenë Zot.
Më kot as njëherë s'i kapim dot.
Vitet dhe ne
Dy udhëtarë si asnjëherë të pa ndarë
Brënda secilit një trup jemi të bashkuar
Si dy binjakë
ku bota na ka mysafirët e parë
Mes gjithçkaje asnjëherë të harruar.
Vitet
Mbi gjokse si medaljone të varur
Janë jetë të shkuara që mbjellin kujtim, mall.
ngroh tokën mbarë.
Janë bujqit qiellorë
që njeriun mbjellin si farë.
Ata janë dhimbje që dehen në të qarë
Janë hije që botën e frikësojnë me tjetër jetë.
Ata, janë gjithë thesari që në botë vlen vërtet.
Oh! Vitet! Sa mall kam për ta.
Nuk di ku shkuan, si të ishin gjethe peme
Mbase perëndia e erërave i fluturoi tej e përtej,
u mori brishtësinë.
U MBLODHËN HIENAT
Oh, dhimbje që del prej malit dhe mes pyjesh oshëtin.
Një therje shpirti që prej mali botën po përpin.
Kufomë e regjur në xhunglën e mashtrimeve
Rrethuar prej Hienash që qeshin mbi kufomën e trimave.
Nata e zezë mbulon fëlliqësitë
Por jo aromën e pasurisë, babëzisë
Vrapojnë të struken mes tymnajash të pa parë,
Mes flakësh ku digjen shpirtrat e vrarë.
Oh! Rënkon mali i plagosur mes errërash stuhie
Skllevër që mbi shkëmbinj marshojnë çalë - çalë,
Mbi lista pangopësie me euro e dollarë
Shekulli i fundit që vjen ngadalë
Verbuar do lerë hiena e pashallarë.
Hienat u mblodhën tok dhe malit i thanë:
- Sekretet e tua ku ikën, ku janë?
Skllavërinë e veshur me gënjeshtra pse e panë?
Por mali hesht, hesht, vetëm dhimbjen tregon.
Që hienat të kthehen në njerëz të vërtetë
Këtë dëshiron.
Lotët e tij hienat i panë.
Qeshën me të madhe pastaj thanë:
- Po na del sekreti i madhështisë!
Ne jemi hiena, s'kemi pse fytyrën në lista t'i tregojmë vegjëlisë!
Hienat janë hiena, s'duhet të na mohojnë
Dhe pse me fytyrë njerëzish
me gjak njerëzor do rrojmë!"
Këtë sekret bota e ka pas harruar,
Për të demokracia ishte ëndrra e dëshiruar.
Doli sekreti i drejtësisë për vlerësim
Ku jeta njerëzore nuk pati asnjë çmim.
U mblodhën krye hienat dhe qetësinë e vendosën
Po dhimbjet e malit nuk i sosën.
Rënkon ende mali nga dhimbjet shekullore,
Dhimbja e vegjëlisë përmendore.
Ah, mal i dhimbjeve që fsheh këto të këqija!
Forcën shkëmbore hidhe mbi hienat
që llustrohen nga madhështia!
O mal me dhimbje çohu njëherë!
Bjeri të keqes që të është bërë ferrë!
DHIMBJA E KOMBIT
Dhimbje në kolona shpërndarë,
Nga djalli me emrin Serb zemrat përçarë.
Një dhimbje mes borës në të kuqe.
Një gonxhe lirie ngrirë me akuj mbuluar.
Një dhimbje e kombit tërhequr zvarrë
Karvani i shekullit shpresë varrosur nga vrastarë.
Rënkojnë pleq dhe plaka, i luten perëndisë
Qajnë foshnjat në gjirin e nënës prej vetmisë.
Në vend të qumështit pinë gjakun e plagëve
Në vend të ninullave tingujt e armëve.
Qajnë malet dhe qielli nga dhimbja e turpit
Flet heshtja e rrugës së bardhë.
Rënkon toka e atdheut dhe Zotin thërret
Zoti pranë ju ka ardhë!
Qielli nxin, retë ecin mbi shtegun e shpresës
Si pambuk mbulojnë të mjerët e pa faj
Shoqërojnë këmbësorët e pamposhtur.
Vetë Zoti dhimbje përjeton i mbuluar në vaj
Këta bij nënash robër zoti
Të pa faj që borën kanë si ushqim
Janë pjellë e tij e kombit që zgjodhi
Mes kombesh më i bukuri, i urti, më trim.
Ja në krye të karvanit një nënë.
Qan dhe qesh me dhimbjen e këtij çmimi,
Në krahë mban të ardhmen e jetës,
Hapat ngarkuar nga mundimi.
Qan plaku nga dhimbja e jetës
Plagët e vjetra nga pranga përgjakur
Pas tyre të tjera më të mëdha në zemër
Ato të bijve të rënë në beteja tretur
Atje ku gjaku në burim është kthyer
Atje ku liria rrënjët ka mbërthyer.
Mbi barrelë të vdekur, të gjallë
Në dorën e armikut, kafshës Serbe
As fijet e flokut ky karvan nuk i la
Karvani i vdekjes nuk i mposhti ata.
Nga mali i dhimbjes lirinë ndërton
Nga forca e jetës mbijeton
Nuk vdes asnjëherë shpresa e lirisë
Nuk vdes jo kurrë drejtësia e perëndisë.
Vetëm një Komb ka vulën e perëndisë
I vetmi që në shekuj mbijetoi
Në bot më të dlirë e zemër dashur
Nuk mund të ketë, nuk mund të ekzistojë
Ai është kombi i Shqipërisë.
Le të fryjnë furtunat e rrebeshet.
Le të bien rrufe nga grykat e pushkëve
Le të derdhet gjaku i pa faj
Përsëri ky komb do të ringjallet pas kësaj.
Bota e gjitha le ta dijë
Se Shqipëria nuk shuhet kurrë
Edhe pse kokën e trupin të prerë
Jeta e këtij kombi jeton mbi gurrë.
Le të bëhen ushtritë e taborët
Në kuçedra të kthehen serbë e dushmanë
Sikur dhe dy pasardhës të mbeten
Meduzë ata kthehen, kurrë nuk treten
Zot të kombit kanë qënë dhe janë!
PRES
Kjo natë e gjatë si shekulli i atomit
Kjo natë si një ortek dëbore që nuk shkrin
Pres agimin e së nesërmes
Dritën që do më sjellë shkëlqim.
Rrahin këmbanat e kishave
Tingujt e tyre s'kanë mbarim
Në minare të tjera tinguj shpalosen,
Galaktika ka tjetër kuptim.
Po pres që dielli të ndriçojë.
Dritë të sjellë në skutat e syve të mi
Të shoh gjithë sa ka kjo jetë
Të përzgjedh të bukurat e shpirtit tim.
Thonë e çfarë nuk thonë
Gojët fjalët kanë produkt
Atë që mendjet prodhojnë
Gjuha ia fal gjithkujt.
Nesër dita do gdhijë,
Bota të tjera fjalë do të prodhojë
Të flas duke shtruar thesare
A të flas çfarë mendojnë të tjerët?
Nesër në garë është fjala
E stisur në panaire dhe reklama
Në agim nis maratona
Kush fjalëve u thur lëvdata.
Ky Nëntor s'është si të tjerë
Mbi të kam shtruar fletët me ngjyrime
Ato nuk kanë fjalë të arta
Brenda secilës shenjtërohet rruga me mundime.
Një diell pres të më ngrohë,
Në letrën e bardhë ku germat flasin vet,
Ky Nëntor ndrin si një pranverë,
Lus zotin ëndrrat t'i kthejë realitet.
E bukura nuk do sy që të shihet
Ajo nuk do as fjalë të mëdha
E bukura është brenda çdo shpirti
Panaire brenda vetes ka.
Në garë nesër është fjala, shpirti, jeta,
Gjithëshkaje i është vënë një çmim
Vetëm shpirtit ende nuk i gjendet
Një ilaç që mbjell vetëm gëzim.
Nesër pres diellin të ndrijë
E di që ai i njëjti do jet
Ndriçimi i tij nuk do më ndryshojë
Diellin tim që brenda meje më jep jetë.
Dhe përsëri do pres
Mbase një tjetër diell do mund të ndrijë
Brenda kësaj bote që galaktika na dhuron
Për të ndritur çdo skutë në errësirë.
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, shkrimtare, poete, eseiste, kritike letrare, promovuese, gazetare