Mimoza Marjanaku – Cikël poetik dhe biografia

Mimoza Marjanaku – Cikël poetik dhe biografia
MIMOZA MARJANAKU
 
Mimoza Marjanaku është aktore e njohur dhe figurë e rëndësishme në skenën kulturore të Shqipërisë, aktualisht aktive pranë Teatrit "Aleksandër Moisiu" (Durrës).  Ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura (1988–1995) me specializim në aktrim dhe ka ndërtuar një karrierë të pasur në teatër, film dhe televizion, duke interpretuar role kryesore me një repertor të larmishëm që përfshin vepra klasike dhe bashkëkohore.
Gjatë karrierës së saj,  Marjanaku ka interpretuar personazhe ikonike, si: Klitemnestra në Elektra të Sofokliut, Titania në Ëndrra e një nate vere të Shekspirit dhe Elena Popova në Ariu dhe Martesa të Çehovit, si dhe role të shumta në shfaqje moderne dhe adaptime lokale. Ka pasur gjithashtu, prezencë të spikatur në kinematografi dhe televizion, duke interpretuar figura të ndryshme në filma dhe seriale të shquara.
Përveç aktivitetit artistik, Mimoza Marjanaku ka dhënë kontribut edhe në drejtimin e skenës kulturore, si Drejtoreshë Artistiske e Teatrit "Aleksandër Moisiu", dhe ka marrë pjesë si anëtare jurie në festivale dhe konkurse artistike. Ajo është vlerësuar me çmime të ndryshme, duke përfshirë Aktoren më të mirë protagoniste, si dhe për performanca të veçanta në poezi, duke dëshmuar aftësi artistike shumëdimensionale.
Marjanaku vazhdon të ndikojë në zhvillimin e skenës teatrale dhe kinematografike shqiptare me shumë profesionalizëm.
 
FETUS
 
Një ditë
Vendosën ta damkosin:
E përdalë”
 
Tifozeri pantallonash
Do të shijonin show-n.
“Objekti
I zhveshur,
brenda një topi plasmasi.”
 
I lirë çdo “tifoz”:
të grushtonte,
të gjuante,
të luante.
 
Trupi grua –
Rridhte gjak,
sikur lindte vetveten.
 
Për t’u mbrojtur
U mblodh brenda vetes,
si në mitrën e nënës:
Fetus!
 
Qesja ulërinte nga dhimbja,
çau veten
që foshnja të dilte.
 
Në çdo pantallon
Nxori kokën një baba –
Ndëshkim
Për ç’panë sytë.
 
HARAKIRI
 
Kur sqepi
I zogut
Në orën e murit
Çukit dymbëdhjetë,
hijet
përpiqen
të më shqyejnë sytë.
 
Shtrëngoj
kapakët
të qepur fort
me tegelë qerpikësh,
nga frika e plaçkitjes
së lumit të zjarrtë
që shpërthen
nga krateri i dëshirave
të një vullkani të rizgjuar.
 
Si samuraj
ngre shpatën,
gati të kryej
harakiri
nëse sytë
humbin
betejën.
 
NUSE DIMRI
 
Nuk e thashë
kurrë,
Sa kam dashur
Te jem një nuse
dimri.
Të ftoja malet
Të më vinin kurorë
Në krye,
nga derdhen flokët
si stalaktide,
e me borë të pashkelur
të laja kurmin,
para se rrezet
të më vishnin fustanin
ngjyre ari.
Retë, krushq të bardhë
T’u binin tupanave:
“Ehehehehejjj
 Po marrim nuse!”
Detin blu (si syri i nënës sime)
Ta  hidhja në gota
e dolli të ngrinin
dallgët
e  dehura
që shkumëzojnë  tërbuar
një kërcim dashurie.
 
E unë, nusja me duvak dëbore
të shkruaja në buzët e kuqe:
“Po!
Deri sa vdekja të na ndajë!”
 
Redaktoi: Angela Kosta