Halil Xani - Cikël poetik
MIRUSHA
Kjo ujëvara e Mirushës
Është e bukur në çdo stinë
Vizitori sa herë shkon
Si askund e gjen rehatinë.
Verës të rinjtë aty freskohen
Zogjtë në degë cicërojnë
Gurgullima e ujit që bije
Hijeshinë vendit seç ia shtojnë.
Edhe kur ngrin nga acari
Edhe bora zbardhon malet
Akulli nga lart e poshtë
Shkëlqen n‘rreze si kristalet.
MENDOVA SA ISHA NË DET
Mendova sa isha në det
Si ta marr pak det
Ta sjellë në Kosovë
Për fëmijët që s`kanë lekë
Por edhe për pleqtë
Që s`janë mirë me shëndet
Pak ujë me kripë
Pak rërë t’ua çoj
Reumën t’ua shëroj
Thashë, ah të kisha duar magjike
T’ia marr
Pak det Shëngjinit
T`ia falë Dukagjinit
Pak rërë e ujë të kaltër
Ta marr nga Kavaja
Thashë s`bëhet belaja
Ta sjellë rrëzë Qyqavicës
Për fëmijët e Drenicës.
Kështu mendova një vjet
Kur isha në det.
PAGJUMËSIA
Bie në krahun e djathtë
mbyll sytë rri në terr
Pastaj në krahun e majtë
Por kot, gjumi s‘më merr
Mendoj valëzimin e grurit
Dëgjoj tiktaket e orës së murit
Mendoj fishkëllimën e erës
Këngën e gjinkallës së verës
Në liqe lëkundjet e barkës
N‘orkestër tingujt e harfës
Në livadh valëzimin e barit
Në arë numëroj brazdat e ugarit
E kthej mendjen në shtrat
Numëroj deri njëqind e shtatë
Gjumin me ninula e ftoj
Frymëmarrjen time e dëgjoj
Pasi mendja mjaft u end
Tjetër gjë nuk mbaj mend.
PREJ NGA ËSHTË
DALLËNDYSHJA
A s`më thua lum gjyshja
Ku e ka vendlindjen
E ku dajtë dallëndyshja?
Nga jugu kur vijnë
Këtu bëjnë folenë
Dhe rritin fëmijët.
Prindër në jug e veri
Janë zogj Kosove
Apo me dyshtetësi.
Njerëzit në diasporë
Shkojnë “përkohësisht”
E vijnë rrallë e më rrallë.
Zogjtë andej e këndej
Në dy vendet njëjtë
Shkojnë e heqin mall.
Nuk kanë valixhe
Asgjë për doganë
As pasaporta s`kanë.
Nuk bartin libra
As hartë e busollë
Se nuk kryejnë shkollë.
Fluturojnë hoooopaaa
Nuk i pengojnë retë
S’çajnë kokën për gropa.
Larg e ndiejnë motin
Me sy krejt të mbyllur
Kaptojnë horizontin.
Pa hartë e pa busollë
Kështu gjithherë
Vjeshtë e pranverë.
Ikin e prapë vijnë
Ia shtojnë stinës
B U K U R I N Ë.