Kastriot Malo, poezi
Tani pse më dhembin kaq plagët e shpirtit,
Ata që brengat kalojnë në heshtje gjithashtu,
Kur dikush i vendos shkelmin në fyt miqësisë,
Dhe fjalët i nxjerr nga goja, pa doganë, kuturu.
Dhemb, kur dikush zbraz të gjithë mllefin,
Dhe zë mendoj, sa ziliqare që është kjo botë,
Sa e lehtë është të gjykosh pa e njohur tjetrin,
Por unë s'mund ti mbaj ison një këngë të kotë.
Dhemb, kur përgojojnë vajzën e mikut,
Pse ndjenjën e saj e përjeton ashtu të lirë,
Më bëjnë ndot jargët si litarë prej buzëve,
Epitetet që lëshon si një rrebesh i pa mëshirë.
Ti e di o mik që ti s'ke lindur me moralin,
Më dhimbsesh, kur mbrapa përkulesh si urë,
Jeta jote qenka bajate, pa shije pa ngjyrë,
S'lodhesh kur tjetrin gjuan pa pushim me gurë.
Rrëzohesha shpesh dikur kur isha fëmijë,
Gjunjët gjakosja në tokë dhe gurëve në lumë,
Pluhurin me gjak pastroja lehtë me pëllëmbë,
Dhe ikja sërish duke thënë: - S'u vrava shumë.
Tani pse më dhembin kaq plagët e shpirtit,
Ata që brengat kalojnë në heshtje gjithashtu,
Kur dikush i vendos shkelmin në fyt miqësisë,
Dhe fjalët i nxjerr nga goja, pa doganë, kuturu.