Panajot Boli - CIKËL POEZISH

Panajot Boli - CIKËL POEZISH
CIKËL POEZISH
 
KUR...
 
Kur qepallat të mbyllin me forcë sytë
Dhe nuk ke jastëk,
Fli në prehrin tim
 
Kur nata të bëhet fantazmë lugate
Mbylli krejt  dritaret.
Fli me ëndrrën time
 
Kur lumturinë nuk  e mbajnë më këmbët
Dhe s’ka stol të çlodhet,
Fli në stolin e shpirtit tim
 
Kur do që të shikosh hënën  e bukur
Dhe retë nuk të lenë,
Fli në sytë e mi
 
Kur do flladet me aromë të majit
E mali nuk të lë,
Fli në gushën time
 
Jam këtu për ty, mos harro
Diell i ëmbël, hënë
Dhe dashuri
 
NUK E DI...
 
Nuk e di pse moti ka marrë vetëm një ngjyrë
Ngjyrën e dhëmbjes, ngjyrën gri
Nuk di pse ngjyra e kuqe e dashurisë zvenitet
E prushi i puthjes mbulohet me hi
 
Nuk e di nga dolën ca robotë blu në horizont
Më shohin më përçmim, e unë hesht
Kërkoj stinët e mia të ndërrojë gjakun në deje
Ka ngelur vetën stina e trishtë, vjeshtë
 
SE ËSHTË PRAG VJESHTE...
 
Këtë natë vere dua të çmallem me yjet
Se vjeshta zgjati dorën dhe është në prag
Buza e tyre po  kuqëlon fort nga lumturia
Sytë e mi, ah sytë e mi, me aromë malli i lag
 
Ndofta yjet mërziten nga vjeshta verdhoshe
Ndaj sonte me to dua të  loz dhe të  flertoj
Të dehet edhe kjo natë me një kupë dritë ylli
Një qilim përrallë të zgjedh e për ne të shtrojë
 
Yjet me shkallë të zbresin  nga qielli i larë
Në qilimin e mallit të ulën bashkë me mua
Herë të më bëhen lule, herë flutura syshkruara
Pastaj, ah pastaj.. të pres të bëhen sytë e tua
 
Yjet buzëqeshin kaq vite drite larg, o sa larg
Si zbriten  shkallët e më erdhën kaq pranë?
Sytë e tua shtatë male kapërcyen me hënën
Veshur e ndritur si yje, këtë natë s’mu ndanë
 
VJESHTË, ERDHE?
 
Vjeshtë, të thashë të presësh pak në  prag
Por  ti hyre pa pyetur moj e uruara
Me nxitim ule grilat e dritareve...
Agut i hodhe një xhaketë gri
Mos ftohen gjinjtë e zbuluara
 
Ta tha njeri? Ta them unë: ke talent piktori
Nuk e di pse vizaton peizazhe të verdha
Ti ia vodhe  hënës një mbrëmje..
Xheloze i bëre ditët  e tua
Duke i trishtuar të tëra
 
Ta tha njeri? Ta them unë: Ke talent piktori
Nuk e di pse ngjyrën e kuqërremtë mban në dorë..
Ndoqe diellin teksa fshihej në perëndim
I vodhe   ngjyrën e misterit
Dhe e fshehe në kraharor
 
Nuk  e di, ndofta këto ngjyra të bënë me depresion
Dhe Mbretërinë tende e mbuloi melankolia
Ca puçrra pellgjesh të dolën në fytyrë
Të dalin  netëve yjet të notojnë
E të belbëzojnë ëndrrat e mia
 
MEDITIM VJESHTE
 
Po m’i tjerr mendimet ky shi i qetë i pasdites
Me merak, pa u nxituar, m’i mpleks si gërshetë
Me dorë m’i ngjyen me ngjyrën e melankolisë
E paftuar në tryezë, një gjethe e lodhur ulet vet
 
Kafja e ftohur dhe gjethja po rrinë të heshtura
Me serenatën e psherëtimave të shiut meditojnë
Të shastisur të katër: kafja, gjethja shiu dhe unë
Dhe retë, si sytë e vajzës së pikëlluar, që lotojnë
 
Të katër jemi ulur të ftuar në studion e vjeshtës
Kafja mund të flas për veshjet që po ndërron dita
Gjethja për mallin e dallëndysheve  që ikin si ajo
Unë e shiu?! Për shijen e lotëve të mikes që prita
 
NDJESI VETMIE
 
Era ka festë sot
Hedh valle si e marrë.
Degët e pjergullave terë gëzim
I tundin shami të jeshilta.
 
Rrugët akoma të përgjumura
Të shkreta , pa zë
Dhe dielli i mpirë..
 
Shtëpitë memece..
Një qetësi shkretëtire....
 
Mbytur vjen që poshtë
Një gurgullimë e përmalluar..
Psherëtin lumi im
Bistrica ime
 
Qetësi e mistershme
Qetësi e çuditshme
Vetëm era vallëzon...
 
Dilemë apo ankth?
Mos ngela vetëm në këtë planet?
 
Zëri i gjelit më përmend
Kam shok...
 
Dita nuk ngjan me ditët e tjera
E qelqtë, indiferente..
Me ca sy të mëdhenj,
Të çuditshme...
 
Ditë  robote
Me fytyrë njeriu
Nga një planet tjetër ka zbritur.
 
Vetëm sytë  e tu
Trokasin në dritaren time të mbyllur