Panajot Boli - Dy poezi

Panajot Boli - Dy poezi
POEZI
Panajot Boli
 
TË PRES ME NJË DEGËZË BORZILOKU
 
Sa shumë u lodha me pritjen në prehër
Poshtë pjergullës hijerëndë të vesuar
Me dallëndyshen që më ndjek nga foleja
Dhe stolin e shkretë dalëbojë  të stresuar
 
Sy me sy shihemi unë me dallëndyshen
Ka frikë ta prish qetësinë mani, s’bëzan
Borziloku fletëgjerë, i heshtur në dritare
Ka renë në mendime e herë herë ofshan.
 
Një puhizë i tund fletët dhe i bën vargje
Zgjohet kënga e melodia vjen nga larg
-Borzilok do të bëhem në dritaren tende
Të më ujitësh agut, të më nuhatesh pak-
 
Sa shumë u lodha me pritjen në prehër
S’durova, zbrita të pyes zogjtë në lumë
Sytë e tu blu  më treguan Syrin e Kaltër
Dhe, natën, si magji ti më erdhe në gjumë
 
Më puthe ëmbël e kokën vure në kraharor
-E di, zemër, e di, pak durim e unë do të vi
Më prit në mëngjes me një degëz borzilok
E do më gjesh në fletët e tij, si vesë dashuri
 
18.RREKËZAT...
 
Sot ra shi me bollëk
Rrekëza rrodhen në faqet e malit të etur
Si lotë gëzimi
 
Rrekëzat rrodhen
Nga padurimi i tejmbushur i tij
 
Hapa ditarin tim
Një rrekëzë e verdhë si amebë mes shkronjave
Si lotë malli.
 
Rrekëzat rrodhen
Nga malli i tepruar i shpirtit
 
Nga sytë e vajzës
Rrekëza lot të ngrohtë rreshqiten faqeve
Drejt buzëve.
 
Rrekëzat rrodhen
Nga liqeni i tejmbushur i dashurisë.
 
Shpesh netëve të vona
Rrekëza shperthejnë befas në shpirtin tim
Si dhimbje e trishtë
 
Rrekëzat rrjedhin
Nga pritja  e tejlodhur për ty.